Igballe Rogova, drejtoreshë e Rrjetit të Grave të Kosovës, ka thënë se protesta e 8 Marsit, “MARSHojmë, s’festojmë”, është përhapur në tërë Kosovën.
Ajo thotë se këto iniciativa për barazi gjinore ju takojnë të gjithëve, e jo vetëm grave.
“Në komuna tjera morën jehonë të madhe, sidomos kur shkonin aktiviste nga Prishtina nëpër komunat tjera. Sot isha në Prizren ku marshin e organizoi organizata FEMaktiv. Rrjeti i Grave nuk është vetëm i grave, por i të gjithëve në Kosovë”, theksoi ajo në Interaktiv të KTV-së.
Ajo u shpreh e lumtur që të rinjtë po i shohin shkeljet që po u bëhen grave në Kosovë dhe po e ngrenë zërin për këtë çështje.
“Këta të rinj dhe të reja nuk po e dënojnë dhunën vetëm në Facebook, por edhe me vepra. Po kërkojnë barazi e drejtësi”, tha Rogova. “Kjo është një shpresë e madhe që më në fund po flet drejtësia, se krimineli s’mund të jetë i lirë, por të dënohet. Megjithatë, ky rast ka mundur të parandalohet, të jetojnë edhe nëna edhe vajza. Po të mos ishte KTV-ja, nuk do ta dinim se çfarë po ndodhte në rastin e Zejnepes në Rahovec. Përmes avokates që e angazhuam, ai e mori dënimin, ndonëse jo të merituar. Megjithatë, ai doli fajtor. Rasti i Gjakovës ka qenë një rast që ne e pamë se më në fund drejtësia po vepron. Por, ndjejmë dhimbje që nëna dhe vajza nuk jetojnë më”, tha ajo.
Duke folur për rastin në Gjakovë, ku burri vrau vajzën dhe bashkëshorten, e për të cilën vepër ai u dënua me burgim të përjetshëm, drejtoresha e RRGK-së thotë se drejtësia më në fund ka filluar të funksionojë, por tha se nuk janë të kënaqur, sepse “ne dëshirojmë parandalimin e rasteve”.
“Te parandalimi, institucionet kanë rol shumë të madh. Liderët tanë nuk duhet të dënojnë dhunën në Facebook, por të veprojnë. Boll më fjalët se i kemi mekanizmat. Gratë dhe vajzat janë qytetare të Kosovës dhe ato duhen parë të barabarta”, u shpreh Rogova.
Sipas saj, ka policë në Kosovë që ende mendojnë se dhuna është e arsyetueshme. “Policët, si në rastin e Gjakovës, e kanë parë se dhuna nuk është e arsyetueshme”.
Ajo tha se ka raste kur kryerësit e krimeve kanë lidhje të forta me institucionet e drejtësisë, kanë zinxhir njerëzish, siç është rasti i Drenasit.
“Ne kemi qenë një grup i organizatave, e kemi vizituar edhe Prokurorinë dhe jemi interesuar për rastin e Drenasit. Ne besojmë se nuk guxojmë të përzihemi në hetuesi. Por, kemi shkuar që t’ju themi se jemi në përkrahje të vajzës. Duhet të pyetet vajza se për çfarë ka nevojë, e jo t’i ofrohet ndihma që ajo s’e kërkon. E gjithë Kosova është ngritur në këmbë për rastin në Drenas. Edhe Prokuroria na ka siguruar se janë duke punuar që ky rast të shkojë deri në fund. Edhe ata e dinë se është një zinxhir që duhet hetuar. Ne do të jemi monitorues në çdo hap të këtij rasti”, theksoi Rogova.
Organizatat tona, tha ajo, i kanë ofruar ndihmën e kërkuar nga vajza, por ajo ka kërkuar vazhdimisht që të jetë afër familjes. “Ajo që më shqetëson mua është se të gjithë e shohin me nënçmim vajzën, sikur ajo ka faj. Por, ajo vajzë, në moshë minorene, s’ka mundur të marrë vendim tjetër. Por, shpresoj në drejtësi, dhe vajza të marrë atë që e meriton”, theksoi aktivistja e të drejtave të grave, Igballe Rogova.
Rogova tha se është e sigurt se ka edhe shumë raste të ngjashme si ai i Drenasit në Kosovë, dhe se ky rast ka bërë që të raportohen raste të tilla.
Ajo thotë vajza në Drenas, fatkeqësisht ka përjetuar atë që ka përjetuar, “por ka bërë një zgjim të rasteve tjera në Kosovë”.
Për procesin e verifikimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ajo thotë se RRGK është e lumtur me punën e Komisionit.
“Ky proces kërkon shumë kohë dhe duhet të kemi durim. Është me rëndësi që procesi ka filluar, dhe janë 4 organizata që punojnë ditë e natë me të mbijetuarat. Presidentja Atifete Jahjaga sot ka bërë një thirrje ndërkombëtare, sepse s’është njëjtë sikur të merremi me këtë çështje vetëm brenda Kosovës, por të shkojë ndoshta edhe në OKB”, deklaroi Rogova, ndërsa theksoi se dëshmi të shumta që i janë dhënë UNMIK-ut pas luftës, janë zhdukur.
Ajo tha se mund të ketë edhe keqpërdorime, prandaj duhet t’i jepet komisionit kohë.
“Ka raste që nuk duan të raportojnë çfarë ka ndodhur në jetën e tyre sepse kanë filluar një jetë dhe s’duan të kthehen prapa. Ne duhet t’i respektojmë ato. Është vendim i tyre se a dëshirojnë të aplikojnë apo jo, s’guxojmë t’u bëjmë presion. Shumë qytetarë, këtë çfarë ka ndodhur, nuk e shohin më si nënçmim”, theksoi drejtoresha e RRGK-së, Igballe Rogova.
Për çështjen e pronës për gratë, ajo tha se është mirë që tani po flitet për këtë çështje.
“Rinia po ndryshon. Nuk mund të presim nga pleqtë të ndryshojnë. 70 për qind e burrave dhe djemve në Kosovë kanë kërkuar pushim prindëror. Kjo tregon se edhe ata dëshirojnë të kujdesen për fëmijët e tyre. Tash çiftet i regjistrojnë pronat bashkë. Kjo është mirë që po ndodhë, rinia është duke bërë revolucion”, u shpreh Rogova në këtë bisedë.
Superliga rikthehet sot me dy superduele
Poker dhe baste sportive online, 29 të arrestuar në Tiranë
A do të arrestohej Benjamin Netanyahu në Gjermani?
Aksident me fatalitet në Suharekë, vdes një person e lëndohe...
Vidhet një pistoletë me 40 fishekë në Prizren
Policia jep detaje rreth protestës së kompanisë “Pastrimi” p...