Google ADS

“Rezistimi i SBASHK-ut për zëvendësimin e orëve, çështje inati”

20:53 | 19 Mars 2019
Arbresh.info

Zëvendësimi i orëve të humbura gjatë grevës së mësimdhënësve ka mbetur ende çështje e pazgjidhur mes SBASHK-ut dhe MASHT-tit.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë para 3 javësh ka lëshuar një vendim sipas të cilit, mësimdhënësit obligohen që t’i zëvendësojnë orët e humbura gjatë grevës, shkruan lajmi.net.

Madje, në vendimin e MASHT-it është përcaktuar edhe mënyra e zëvendësimit të këtyre orëve sipas një skeme të kombinuar që përfshinë, pesë ditë nga pushimi pranveror, 5 ditë të shtuna gjatë këtij viti shkollor dhe 5 ditë zgjatje të përfundimit të këtij viti shkollor.

E me këtë nuk u pajtuan Sindikata e Pavarur e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Ata u shprehen se një vendim i tillë i ministrisë së arsimit, pa konsultim me SBASHK-un nuk mund të respektohet nga këta të fundit.

Në lidhje me këtë, SBASHK-u iu drejtuan gjykatës për të marrë verdiktin në lidhje me zëvendësimin e orëve të humbura.

Zgjidhje për këtë problem nuk u gjet as në mbledhjen e përbashkët të SBASHK-ut me Ministrinë e Arsimit dhe Komisionin Parlamentar për Arsim.

Në anën tjetër, njohësi i arsimit, Rinor Qehaja për lajmi.net është shprehur se ky rezistim i SBASHK-ut duket më shumë çështje inati sesa diçka parimore.

“Rezistenca e SBASHK-ut karshi vendimit të MASHT-it për zëvendësim duket më shumë çështje inati sesa diçka parimore”, tha Qehaja.

Më tutje, Qehaja është shprehur se SBASHK-u vetëm po e zgjatë këtë çështje, kur dihet se edhe propozimi i tyre për zëvendësim nuk mund të jetë shumë më ndryshe sesa ai i Ministrisë së Arsimit.

“Nëse SBASHK-u tashmë ka pranuar që orët të zëvendësohen, atëherë është me të vërtetë e padrejtë që kjo të stërzgjatet, aq më shumë kur dihet që edhe propozimi nga SBASHK-u për zëvendësimin nuk mund të jetë aq i ndryshëm sesa ai i formatit të propozuar”, tha Qehaja.

Më tutje, ai është shprehur se nëse mësimdhënësit kanë të drejtë të mos i zëvendësojnë orët, duhet ditur se edhe nxënësit kanë të drejtë për ndjekje të procesit mësimor.

“Rikujtoj që përtej së drejtës nga ligji për paga për mos-zëvendësim të orëve të grevës, është e drejtë e patjetërsueshme e fëmijëve për ndjekje të procesit mësimor”, tha Qehaja në fund për lajmi.net.

Vlen të theksohet se greva e mësimdhënësve e cila zgjati 3 javë përfundoi me realizimin e kërkesave të tyre për ngritje të koeficientit.

Ligji për Pagat kaloi me disa pakënaqësi, pasi mësimdhënësit e ciklit të ulët klasor, u shprehën të pakënaqur me ngritjen e koeficientit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme