Rexhep Hoti nënshkruan memorandum me kryetarin e Bujanocit, Shaip Kamberi

13:07 | 26 Shkurt 2019
V. S.

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport Rexhep Hoti, i shoqëruar nga zyrtari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Xhelal Shaqiri, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Bujanoc. Hoti u takua me kryetarin e Komunës së Bujanocit z. Shaip Kamberi, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin e Kosovës me Komunat Shqiptare të Luginës, si dhe konkretizimin e bashkëpunimit përmes Programit Nacional për Rininë.

Me këtë rast, u nënshkrua një Marrëveshje Bashkëpunimi e cila përcakton detyrimet e dyanshme në lidhje me implementimin e Programit Nacional për Rininë në shkollat e Komunës se Bujanocit.

Gjatë këtij takimi, Koordinatori Hoti shpalosi Programin Nacional për Rininë, si dhe Programin Ndërshtetëror për Rininë, duke sqaruar vizionin e tij të bashkimit kulturor e edukativ të Luginës me Kosovën. Sipas tij, Programet në fjalë do të përafrojnë në veçanti nxënësit  e mësimdhënësit e shkollave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, me nxënësit e mësimdhënësit e Kosovës.

“Në këtë mënyrë, do të ketë më shumë komunikim, zhvillim dhe prosperitet për nxënësit dhe për arsimin e tri komunave shqiptare, të cilët do ta kenë mundësinë më të mirë që të tregojnë aftësitë e tyre në Sport, Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik, si dhe në garat e diturisë”, tha Hoti.

Në anën tjetër, Kryetari Kamberi u shpreh i lumtur me hapat që po i ndërmerr Qeveria e Kosovës për të rritur bashkëpunimin me shqiptarët e Luginës së Preshevës. “Programi ka peshë të veçantë për shkak të mundësive të gjera të garimit”, tha Kamberi, duke shtuar se tashmë ka caktuar një koordinator i cili do të merret ekskluzivisht me këtë Program.

Koordinatori Hoti po ashtu takoi edhe Nënkryetarin e Komunës së Bujanocit nga komuniteti serb, Stojanca Arsic, me të cilin bisedoi rreth dobive që do t’i sjellë Programi Nacional për Rininë në shkollat e kësaj komune. Nënkryetari Arsic tha do të ofrojë mbështetjen e tij për realizimin e këtij programi.

Takimi u përmbyll me qëndrime të përbashkëta për të ngritur nivelin e bashkëpunimit dhe për të bërë më të mirën në dobi të nxënësve të Luginës së Preshevës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme