Rexhep Hoti nënshkruan marrëveshje me kryetarin e Klinës

13:49 | 10 Dhjetor 2018
V. S.

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti sot nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Kryetarin  e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj për realizimin e Programit Nacional për Rininë.

“Programi Nacional për Rininë është një program i hartuar ekskluzivisht për 340.000 nxënës dhe 110.000 mijë studentë i cili do t’u krijojë atyre hapësirën që deri më tani u ka munguar. Do të ndahen mbi 100.000 shpërblime për një vit. Pra, për fituesit e vendeve të para do të ketë shpërblime të ndryshme. Përmes këtij programi synojmë të ndalim shpërnguljen e të rinjve”, tha  Hoti, njofton kumtesa.

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport tha se programi ka për qëllim avancimin e pozitës së të rinjve në sport, kreativitet kulturor dhe mendim kritik si dhe në dituri.

Siç thuhet në njoftim, kreu i Klinës tha se është shumë i lumtur që më në fund një program gjithëpërfshirës është miratuar nga qeveria.

“Jemi me fat që qeveria e ka implementuar këtë program. Është një ndër projektet më të qëlluara dhe është investimi më i madh që kam parë gjer më sot për arsimin. Ne si komunë kemi planifikuar të mbajmë gara, por kjo që ju sot po prezantoni është e një niveli të lartë dhe jam i lumtur që do të jetë garë për të gjithë pa dallim”, theksoi Elezaj.

Marrëveshja e bashkëpunimit me Komunën e Klinës të përcakton angazhimet e ndërsjella të palëve nënshkruese për implementimin e Programit Nacional për Rininë dhe për organizimet e përbashkëta të aktiviteteve./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme