Marrëveshja për vizitat e zyrtarëve të lartë midis Prishtinës dhe Beogradit, e cila hyri në fuqi që nga janari i vitit 2014, shpeshherë është e pazbatueshme, çka është dëshmuar edhe në praktikë.
Palët nënshkruese, akuzojnë shpesh njëra-tjetrën për moszbatim të marrëveshjes, kurse në disa raste, është kërkuar edhe ndihma e Bashkimit Evropian si lehtësues dhe garantues i zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që të ndërmjetësojë.
Në këtë marrëveshje është e specifikuar forma e realizimit të vizitave të zyrtarëve të lartë nga të dy vendet. Në kategorinë e parë janë vizitat e presidentëve, kryetarëve e kuvendeve, kryeministrave, ministrave të jashtëm, atyre të brendshëm dhe të mbrojtjes.
Por, përtej kësaj marrëveshje, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, ka edhe vendime e lista në bazë të të cilave shumë prej zyrtarëve të lartë të të dyja vendeve u pamundësohet realizimi i vizitave. Andaj, përderisa Kosova dhe Serbia të mos arrijnë një marrëveshje finale për normalizimin e raporteve, edhe kjo marrëveshje, sikurse edhe disa tjera tashmë të nënshkruara, në disa raste janë të pazbatueshme.
Në Qeverinë e Kosovës, ekziston një listë e personave, ku përfshihen zyrtarë aktual apo ish-zyrtarë të Serbisë, si edhe poste qeveritare që në vazhdimësi u refuzohet çdo kërkesë për të vizituar Kosovën.
Ndërkaq, në Beograd, shumë nga ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët sot mbajnë poste të larta udhëheqëse në Kosovë, nuk mund të udhëtojnë në Serbi, pasi që janë të dënuar në mungesë nga autoritetet e atjeshme të drejtësisë. Edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, janë ndër personat që Beogradi i ka në listat e peronave të kërkuar dhe dënuar në mungesë. Madje, lëvizja jashtë Kosovës e ish-pjesëtarëve të UÇK-së ka qenë e sfiduar shpesh edhe nëpër vendet tjera evropiane, për shkak të lëshimit të urdhër-arresteve nga ana e Serbisë, përmes INTERPOL-it.
Kurse në Prishtinë, përveç personave të shpallur si të padëshiruar, Qeveria e Kosovës ende e ka në fuqi edhe vendimin e nënshkruar tre vjet më parë, sipas të cilit, ministrat serbë të Mbrojtjes dhe të Brendshëm e kanë të ndaluar të hyjnë në Kosovë.
Kosova aktualisht po funksionon me një qeveri në dorëheqje, por vendimet që janë marrë më herët janë në fuqi
Zëvendëskryeministri në dorëheqje i Kosovës, Fatmir Limaj tha për Radion Evropa e Lirë se Ministria e Jashtme e Kosovës, është kompetente të vendosë për këtë çështje. Kosova është mbështetëse e lëvizjes së lirë, tha Limaj, duke rikujtuar edhe faktin se Prishtina zyrtare po e zbaton edhe politikën e reciprocitetit në raport me Serbinë.
“Kosova ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë për heqjen e çfarëdo pengese, por kjo varet edhe nga pala tjetër. Derisa ka zyrtarë serbë, të cilët kërcënojnë stabilitetin e vendit tonë, kërcënojnë edhe me luftë, kërcënojnë edhe me ushtri, mohojnë krimet e kryera…,[këto] janë çështje të cilat e vështirësojnë këtë komunikim, për të mos thënë e pamundësojnë dhe krijojnë pengesa në lëvizjen e lirë siç po quhet. Prandaj edhe Qeveria e Kosovës, në këtë rast Ministria e Jashtme, secilin rast e trajton veç e veç”, tha Limaj.
Edhe ministri i Jashtëm në dorëheqje i Kosovës, Behgjet Pacolli, të cilit autoritetet serbe nuk i kishin lejuar në një rast vizitën në Serbi, ka sqaruar rregullat sipas të cilave, lejohet apo jo një vizitë e një zyrtari të Serbisë në Kosovë. Sipas tij, Kosova është vend i lirë e demokratik që garanton lirinë e lëvizjes së njerëzve, por nuk mund të lejojë vizita që kanë si qëllim destabilizimin e brendshëm.
“Në Kosovë do të jetë i mirëseardhur çdo mik dhe çdokush që dëshiron të vijë, të vizitojë e të zhvillojë marrëdhënie me Kosovë. Por, Kosova do të jetë e mbyllur gjithnjë për dikë që ka tentativë, që çakordon marrëdhëniet ndëretnike që për ne paraqet një simbol të shenjtë që është e mbrojtur me të gjitha ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, tha Pacolli.
“Askush nuk ka të drejtë të vijë në Kosovë të nxitë urrejtje ndaj njerëzve”, tha ai.
Sipas shefit të diplomacisë kosovare, vizitat e zyrtarëve të Serbisë nuk janë lejuar vetëm atëherë kur është dëshmuar se ata vijnë në Kosovë me arsye tendencioze.
Për kah numri, Serbia prin dukshëm me realizimin e vizitave në Kosovë, sidomos në pjesën veriore. Kurse zyrtarët e Kosovës, kryesisht udhëtojnë në Beograd vetëm për pjesëmarrje në ndonjë konferencë ndërkombëtare që mbahet nën drejtimin e BE-së.
Rasti më i njohur deri më tani nga historia e këtyre vizitave ishte ardhja pa leje në Kosovë e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, më 26 mars, 2018, kur ai ishte arrestuar dhe më pas dëbuar për në Serbi nga autoritetet e rendit të Kosovës.
Kohë më parë, Qeveria e Kosovës i kishte konfirmuar Radios Evropa e Lirë se dhjetëra persona janë të përfshirë në listën e të padëshiruarve, “non grata”, të cilët nuk mund të hyjnë, të vizitojnë apo të qëndrojnë në Kosovë. Ata janë kryesisht ish-zyrtarë shtetërorë serbë apo edhe aktualë.
Lista që Ministria e Jashtme e Kosovës ka me emrat e personave që nuk mund të hyjnë në Kosovës, fillon me emrin politikanit ultranacionalist serb, Vojisllav Sheshel, i dënuar nga Gjykata e Hagës, pasuar nga Lubusha Divkoviq, ish-gjeneral i Armatës serbe, pastaj ministri i Brendshëm dhe ai i Mbrojtjes i Serbisë, deri te kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, e të tjerë.
Kjo listë, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, përditësohet dhe plotësohet në vazhdimësi./rel
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...