Këto janë ditët kur çdo fjalë, pikë apo presje duhet të matet mirë. Vetëm rreth dy javë më parë kancelarja Angela Merkel ishte e prerë se “nuk mund të ketë ndryshime të kufijve në Ballkan dhe se ato janë të paprekshme”, por tani nga Berlini dëgjohen tone pak më të ndryshme. Apo kemi të bëjmë vetëm me interpretime të ndryshme?
Kancelarja Merkel tha (të martën 28.08) pas një telefonate me presidentin amerikan Donald Trump se “ne i mbështesim bisedimet, që çojnë deri tek qëllimi, por njëkohësisht themi se integriteti ka një rëndësi të posaçme”, dhe shtoi: “Duhet të kemi kujdes që hapat e bërë në një vend të mos kenë pasoja edhe për hapat në vendet tjera.”
Korrigjimi i (pa)mundshëm
Në kohën e spekulimeve të shumta për mundësinë e korrigjimit të kufirit, apo shkëmbimit të territoreve, thuhet se kjo çështje nuk është më tabu as në Uashington. Ndërkohë që për Berlinin kanë qenë deri tani një temë tabu. Duke u prononcuar për Deutsche Wellen, deputetët e Bundestagut gjerman nuk janë të një mendimi për këtë çështje. „Kjo nuk çon drejt zgjidhjes, madje edhe më shumë irriton, kur dëgjohen mendime për vendosjen e kufijve të rinj“, thotë Peter Beyer, deputet i Partisë Kristiandemokrate (CDU). „Nuk mendoj asgjë të mirë për këtë dhe mendoj se këto lojëra teorike për kufijtë paraqesin rrezik për destabilizimin. Kufijtë e dy shteteve sovrane, Serbisë dhe Kosovës janë përcaktuar.”
Beyer thotë për DW se ai angazhohet për respektimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe vazhdimin e negociatave për një marrëveshje të detyrueshme juridike për normalizimin e raporteve fqinjësore mes këtyre vendeve. “Me rëndësi është që funksionimi i shtetit të Kosovës të mos rrezikohet.”
Edhe deputeti Josip Juratoviq, nga Partia Socialdemokrate (SPD), është i shqetësuar. Nëse lejohet ndryshimi i kufijve do të hapet mundësia e “krijimit të 40 shteteve të reja në Evropë, që me siguri do të sillte kaos dhe konflikte”. „Shkëmbimi i territoreve do të thotë kthim në Mesjetë kur feudalët kanë shkëmbyer territore dhe i kanë zhvendosur popujt sipas dëshirës së tyre. Gjithmonë do të ketë të pakënaqur, gjithmonë do të ketë persona që duhet të zhvendosen. E të mos flasim për mundësinë që edhe në shekullin 21-të të kemi spastrime etnike, që është një teori e vjetëruar, e cila është shoqëruar gjithmonë me luftëra”, thotë Juratoviq për DW.
Ky politikan i lindur në ish-Jugosllavi thotë se duket qartë se në administratën e Trumpit ka njerëz që mbështesin idenë e shkëmbimit të territoreve. Ndësa BE nuk është unike – përveç kancelares Merkel askush nuk është pozicionuar qartë. Pasojat siç thotë, mund të shtrihen prej Bosnje-Hercdegovinës dhe Maqedonisë e deri tek Krimeja dhe Pridnjestrovlje.
“Luftërat e reja”
„Një qasje e tillë ndaj zgjidhjeve politike do të thoshte kapitullim përfundimtar i sistemit demokratik politik, i cili bazohet tek barazia e qytetarëve karshi forcimit të nacionalizmave në Evropë, të cilët kanë për qëllim krijimin e shoqërive autokratike, që me siguri çojnë tek ndarjet e reja në Evropë, e në fund edhe tek luftërat e reja”, pohon Juratoviq.
Në partinë më të madhe opozitare në Gjermani AfD (Alternativa për Gjermani) nuk janë marrë deri tani shumë me Ballkanin. Deputeti i kësaj partie Anton Friesen, i cili e ka kritikuar politikën e Perëndimit në Ballkan, për DW thotë se bota po pret më shumë se 20 vjet gjetjen e një zgjidhjeje për problemin e Kosovës dhe në këtë kuptim duhet anuar nga zgjidhja, të cilën e gjejnë Beogradi dhe Prishtina, pavarësisht nëse një zgjidhje e tillë nënkupton edhe ndryshimin e kufijve.
„Realisht Ballkani paraqet një fuçi baruti dhe kjo jo qysh dje. Incidentet nuk mund të përjashtohen. Ndaj edhe nëse zgjidhje të qëndrueshme shoqërohen me tensione afatshkurtra, do të ishte më mirë sesa të vazhdohet me status-quo-në e tanishme”, thotë ai
Ai mendon se politika e jashtme e kancelares Merkel “gjithmonë ka qenë e orientuar nga SHBA. Ndaj mendoj se qeveria federale nuk do t’i kundërvihet një zgjidhjeje politike që do të kishte bekimin e Uashingtonit.“
“Ballkani ende është një zonë konfliktesh aktive”
Nga ana tjetër, deputetja e liberalëve (FDP) Renata Alt, mendon se rikthimi në skenë i kërkesave për ndryshimin e kufijve dëshmon se “Ballkani ende është një zonë konfliktesh aktive”. Ndryshimi i kufijve “mund të shkaktojë një dinamikë shumë të rrezikshme të konflikteve të dhunshme me pasoja të paparashikueshme. Qëllimi afatgjatë është bashkëjetesa në paqe e grupeve të ndryshme etnike në Ballkan. Deri sa nuk gjendet një zgjidhje e qartë, duhet t’u përmbahemi kufijve ekzistues.“
E Majta gjermane është partia e vetme, e cila ka kritikuar ndarjen e Kosovës nga Serbia. Sevim Dagdelen, deputete e të Majtës, thotë se bashkimi i disa territoreve të jugut të Serbisë me Kosovën do të “fuqizonte bazat për krijimin e një Shqipërie të Madhe. Skenari i tillë jo vetëm që do të thotë se Serbia duhet të heqë dorë nga territore të tjera, por edhe se Serbia duhet të heqë dorë nga pozicioni i saj juridik se shkëputja dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 kanë qenë ilegale.“
Politikanja e majtë Dagdelen: Do të krijohen paqartësi të reja
Megjithatë edhe Dagdelen mendon se “vazhdimi i ndarjeve etnike në Ballkan do të forconte lëvizjet nacionaliste dhe do të krijohet paqartësi të reja“. Lidhur me ndryshimin e pozicionit amerikan, ajo thotë: „SHBA e ka krijuar në Bondstil bazën e dytë më të madhe në Evropë. Pavarësisht se çfarë zgjidhje “kreative” dhe “fleksibël” gjejnë palët, kjo bazë prej 386 hektarësh nuk guxon të preket. Ndërsa në rast të ndonjë lufte të re, refugjatët nuk do të kërkojnë ndihmë përtej oqeanit por në Gjermani. Duket se interesat këtu janë në masë të madhe të ndryshme.“
Sa i përket qëndrimeve të kancelares Merkel, Dagdelen thotë se kutinë e Pandorës në Ballkan e kanë hapur ish-kancelari Kohl dhe ministri i Jashtëm Genscher, të cilët i kanë pranuar “shumë shpejt secesionet antiligjore të Kroacisë dhe Sllovenisë, e më pas edhe të Bosnjë-Hercegovinës“. „Kancelarja gjermane është e fundit, e cila duhet të përzihet në çështjet e kufijve në Ballkan. Kancelarja Merkel i ka kontestuar vetë kufijtë me njohjen e pavarësisë së Kosovës, e tani paralajmëron. Kjo është një politikë e dështuar moralisht, sipas parimit “kapeni hajdutin”, por në përgjithësi është një politikë e papërgjegjshme.”
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë...
Erëra të forta e shi orët në vijim, Komuna e Prishtinës para...
Rihapet aeroporti në Londër/ Nuk jepen detaje pas alarmit pë...
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të Kosovës
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri prej tyre th...
A do të “rikthehet” Atilla sonte në BigBrother?