Tri vite më parë i gjithë vendi u trondit nga rezultatet e testit të PISA’së, i cili i renditi nxënësit kosovarë pothuajse të fundit në botë për nga cilësia e shkollimit. Për këtë punë u alarmua gjithë shteti, duke premtuar rritje të cilësisë në arsim. Por, edhe pas tri viteve, rezultatet janë të njëjta. Madje, këtë herë gjendja është rënduar edhe më shumë. Sipas, një raporti të publikuar nga Banka Botërore, shkollimi në Kosovë është pesë vite prapa për nga cilësia në krahasim me shtetet me standarde normale. Në MASHT, fajin për këto rezultate po ia lënë qeverisjes së kaluar, shkruan Gazeta Express.
Dyert e shkollave e universiteteve çdo vit presin me mijëra nxënës e studentë nga e gjithë Kosova. Por, shkollimi që po iu ofrohet në këto institucione të arsimit nuk po del të jetë cilësor.
Madje, gjendja nuk ka ndryshuar shumë që nga koha kur nxënësit kosovarë dolën pothuajse të fundit në testin e PISA’së. Ndonëse u bën shumë premtime se do rritej cilësia në arsim, gjendja e arsimi në vend, vetëm se është rënduar edhe më shumë.
Sipas, një raporti të publikuar nga Banka Botërore, shkollimi në Kosovë është pesë vite prapa, ashtu që 12.8 vite shkollimi në Kosovë janë të barasvlefshme me 7.7 vite për nga cilësia në krahasim me shtetet që kanë standarde normale.
“Fëmijët në Kosovë deri në moshën 18 vjeçare pritet të ndjekin 12.8 vite të shkollimit parafillor, fillor dhe të mesëm, mirëpo kur vitet e tyre të shkollimit nivelohen për nga cilësia e arsimit, atëherë shkollimi i tyre është i barabartë vetëm me 7.7 vite, që do të thotë se ata kanë një mungesë prej 5.1 viteve të arsimit”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.
Në këtë raport, thuhet se një fëmijë i lindur sot në Kosovë do të jetë vetëm 56 për qind produktiv kur të rritet në krahasim me fëmiun që do të kishte arsimim komplet dhe shëndet të plotë.
E në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, fajin për këto rezultate po ia lënë Qeverisjes së kaluar.
Zëdhënësi i MASHT’it, Valmir Gashi i ka thënë Gazetës Express se raporti i Bankës Botërore është për vitin 2017, dhe se që nga fillimi ata si kabinet kanë ngritur shqetësim për gjendjen e arsimit në përgjithësi.
“Raporti është për vitin 2017. Ne si kabinet i ri, prej që kemi marrë me drejtu Ministrinë e arsimit që nga viti i kaluar , që prej fillimit e kemi shfaq shqetësimin tonë për gjendjen e arsimit në përgjithësi”, tha Gashi për Express.
Por, thotë se MASHT’i po bën çdo përpjekje që ta përmirësojë gjendjen në arsim. Deklaron se ata vetëm se kanë filluar të marrin masa, si në sistemin parauniversitar dhe në atë universitar.
Deklaron se MASHT’ vazhdimisht është duke punuar edhe për tekste të reja që do të fillojnë të përdoren prej vitit të ardhshëm dhe që janë në përputhje me kurrikulën e re.
“Ne vetëm se kemi filluar të marrim masa si në sistemin e arsimit parauniversitar dhe universitar. Është duke u punuar shumë edhe sa i përket shkollave profesionale dhe ka formuar grup për ta bërë një strategji për këtë. Ministri ka formuar edhe një grup punues për zhvillimin e një strategjie për arsimin e lartë në përgjithësi”, tha Gashi për Express.
Ndërkohë, njohësit e arsimit po thonë se për të përmirësuar rezultatet në arsim nevojitet shumë punë. Derisa, thonë se ndikim në këto rezultate ka edhe testi i PISA’së, i cili i renditi nxënësit kosovarë pothuajse të fundit në botë.
Dukagjin Pupovci nga Qendra për Arsim të Kosovës, i ka thënë Gazetës Express se problemi kryesor vazhdon të jetë cilësia në arsim dhe se me përmirësimin e rezultateve në teste ndërkombëtare do të përmirësohet edhe rangimi i Kosovës në indeksin HCI të Bankës Botërore.
Deklaron se aktualisht Kosova renditet në vendin e 80-të nga 157 vende të botës.
Pupovci thotë se përmirësimi i rezultateve nuk vjen vetë, por se për këtë duhet shumë punë.
‘Natyrisht, përmirësimi i rezultateve nuk vjen vet, por do shumë punë nëpër shkolla dhe është diskutuar shumë herë deri tani se çfarë duhet bërë për të përmirësuar cilësinë”, tha Pupovci për Express.
Tutje, ai shpjegon edhe se si bëhet llogaritja e Indeksit të Kapitalit Njerëzor (HCI) nga Banka Botërore.
“Këtë indeks e llogaritë Banka Botërore që të krijohet një ndërlidhje në mes të investimeve në arsim dhe shëndetësi me produktivitetin e fuqisë punëtore në gjeneratat e ardhshme. Në kuadër të këtij indeksi llogaritet edhe kohëzgjatja e pritshme e shkollimit prej moshës 4 vjeç, e cila kombinohet me suksesin në teste ndërkombëtare (në rastin tonë me PISA)”.
E ndonëse sipas këtij raporti, shkollimi në Kosovë është pesë vite prapa, Pupovci thotë se Kosova nuk qëndron keq në raport me vendet fqinje.
“Kjo llogaritje ka treguar se fëmijët kosovarë prej moshës 4 vjeç deri në moshën 18 vjeç i përfundojnë, zakonisht, 12.8 vjet shkollimi, përfshirë edhe edukimin parashkollor. Është interesante se, në këtë aspekt, Kosova nuk qëndron keq në raport me vendet fqinje”, thotë ai.
Por, deklaron se vendi në bazë të performancës në testet ndërkombëtare renditet më keq se Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi.
“Llogaritjet tregojnë se fëmijët tonë përfundojnë vetëm 7.7 vite shkollim efektiv, pra kemi një humbje prej 5.1 vitesh në raport me vijimin e pritshëm. Sa për krahasim, fëmijët në Serbi kanë një humbje prej 2.1 vjetësh, në Shqipëri – 4.1 vjet, në Maqedoni – 4.4 vjet, ndërsa në Mal të Zi – 3.8 vjet”, shtoi ai.
Ndryshe, në përgjithësi, Indeksi i Kapitalit Njerëzor i Kosovës është nën mesataren e rajonit, por mbi mesataren e grupit të saj të të hyrave.
Indeksi HCI përbëhet nga pesë indikatorë: gjasat për mbijetesë deri në moshën 5-vjeçare, vitet e pritura të shkollimit të një fëmije, rezultatet e testeve të harmonizuara që masin cilësinë e mësimit, shkalla e mbijetesës së të rriturve, dhe proporcioni i fëmijëve që nuk kanë kufizime në zhvillim./Gazeta Express/
Maqedonci: Nga 16 dhjetori ka filluar punën stafi i kuzhinie...
Kurti nesër pas mbledhjes së Qeverisë organizon pritjen për ...
“Shkon këndon nëpër kafet e Komoranit”, Xheneta tregohet e a...
Kurti, Çeku e Sokoli vizitojnë Lirinë e Prizrenit, diskutojn...
BIK dhe “Mbreti Selman” do t’u dhurojnë 500 fëmijëve jetimë ...
Prokuroria Themelore në Prishtinë nesër mban konferencën për...