Google ADS

Qytetarët reduktojnë zakonin e gjuajtjes me armë në dasma

08:15 | 7 Shtator 2019
Arbresh.info

Gjatë muajve të sezonit veror si zakonisht kemi shtim të numrit të dasmave dhe ahengjeve familjare, të cilat për fat të keq në disa raste përcillen me të shtëna nga armët e zjarrit.

Sipas statistikave të policisë së Kosovës dërguar në arbresh.info për sa i përket rasteve të përdorimit të armëve në ahengjet e familjare dhe në dasma për dallim nga muajt qershor, korrik dhe gusht të vitit të kaluar këtë vit ka një rënie të lehtë.

Rënie e lehte vërehet dhe në konfiskimin e armëve të vogla.

“Në vitin 2018 janë evidentuar 86 raste,  ndërsa në vitin 2019 janë evidentuar 79 raste, në vitin 2018 janë konfiskuar 78 armë të vogla, ndërsa në vitin 2019 74 armë të vogla”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Ndërsa sa i përket konfiskimit të armëve të gjata këtë tre mujor të sezonës krahasuar me 3 mujorin e vitit të kaluar shihet një rritje.

“Në vitin 2018  janë konfiskuar 10 armë të gjata,  ndërsa në vitin  2019, 16 armë të gjata”, njofton Policia e Kosovës.

Sa i përket pasojave në njerëz policia thotë se vitin e kaluar nuk ka pasur të lënduar ndërsa këtë  vit është shënuar një rast.

Policia e Kosovës thotë se lidhur me këtë dukuri negative për çdo vit ndërmarrin veprime ligjore për parandalimin e kësaj dukurie, ngaqë gjuajtja me armë është në kundërshtim me ligjin si dhe përveç kësaj mund të ketë dhe pasoja të rënda.

“Andaj, sipas nevojave dhe gjendjes aktuale për sa i përket kësaj dukurie negative, në Policinë e Kosovës në vazhdimësi janë hartuar programe dhe plane veprimi të cilat konsistojnë në mbrojtjen e jetës së qytetarëve si dhe në vetëdijesimin e tyre”, thonë nga policia.

Avni Islami, njohës i çështjeve të sigurisë në një përgjigje për arbresh.info thotë se dukuria e gjuajtjes me armë të zjarrit nga ana e dasmorëve në ahengjet familjare ende mbetet fenomen duke e konsideruar si traditë tek shqiptarët.

Megjithatë, Islami thotë se kohëve të fundit vërehet një rënie e intensitetit të gjuajtjes me armë të zjarrit nëpër ahengje të ndryshme kryesisht në dasma.

Sipas tij, gjuajtja me armë në njëzet vitet e fundit është bërë edhe për arsyen se pas luftës në Kosovë një numër i konsideruar i armëve gjendet ende në duart e qytetarëve.

“Personalisht në 20 vitet e fundit pas përfundimit të luftës jemi dëshmitarë se si dasmorët pra njerëz të cilët e kanë konsideruar si normale i kanë përdorur armët e zjarrit për shkak se pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë një numër i konsideruar të armëve ende mbetet në duart e qytetarëve e të cilat ato armë konsiderohen se janë bukur shumë, pra një lloj euforizmi në përdorimin e armëve kishte mbet pas përfundimit të luftës”, është shprehur Islami.

Njohësi i çështjeve të sigurisë mendon se ky fenomen është në rënie dhe në dhjetë vitet e ardhshme do të zhduket.

Vetëdijësimi i qytetarëve dhe roli i institucioneve në vend janë faktorët që kanë ndikuar që jo dukuri të ketë rënie por siç thotë ai duhet punë që të zhduket ky fenomen.

“Mendoj që ky fenomen është në rënie e sipër dhe në dhjetë vitet e ardhshme mendoj se do të zhduket kjo traditë e cila ishte rrënjosur në kultin tonë, pra për shkak se edhe vetëdijesimi i qytetarëve është bërë, por një rol të rëndësishëm kanë luajtur institucionet e Republikës së Kosovës të cilat në njëfarë mënyre i kanë informuar njerëzit në përgjithësi për shkaqet dhe pasojat që kanë pas dhe mund të ketë përdorimi i armëve të zjarrit dhe vrasja nga pakujdesia, kështu që mendoj se në të ardhmen do të mbetët ende punë për tu bërë që në dhjetë vjetët e ardhshme të zhduket ky fenomen dhe të mbetet vetëm si një e kaluar ku nuk do të duhet të përdoreshin armët e zjarrit”, ka thënë njohësi i çështjeve të sigurisë.

Islami ka treguar se çka duhet të bëjnë institucionet e Kosovës konkretisht në këtë drejtim rreth kësaj dukurie.

“Që të zhduket ashtu siç e potencova në dhjetë vitet e fundit kjo dukuri duhet që institucionet e Kosovës të punojnë edhe më tutje në legalizimin e armëve të bëhet vetëdijesimi i përdorimit te tyre nga ana e qytetarëve dhe të gjitha armët e zjarrit të cilat janë armë luftarake të dorëzohen të gjinden stimulatorë të ndryshëm që qytetarët ti dorëzojnë këto armë dhe të bëhet vetëdijesimi sepse tashme kemi ushtrinë e Kosovës dhe Policinë e Kosovës dhe nuk kemi nevoje për ato armë”, ka përfunduar ai./arbresh.info/R.Rexhepi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme