Google ADS

Qytetarët ndihen më të sigurt pa produktet e dyshuara si kancerogjene nga Serbia

11:48 | 8 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Qytetarët janë duke u ndjerë më të sigurt pa produktet e dyshuara si kancerogjene nga Serbia.

Kjo pasi që me vendosjen e taksës prej 100 për qind për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina është ulur edhe importi i tyre.

E si rezultat i kësaj takse tashmë Serbia nuk është më eksportuesi më i madh në Kosovë.

Nga rreth 1.2 milionë euro sa importoheshin çdo ditë nga Serbia, pas vendosje së masës tregtare në dy javët e fundit janë importuar produkte në vlerë 140 mijë euro, shkruan portali arbresh.info.

Taksa po shihet si një gjë pozitive nga qytetarët, pasi që në periudha të ndryshme kohore është raportuar se mallrat e Serbisë janë jocilësore, si dhe ka pasur dyshime se janë kancerogjene.

Që nga paslufta e deri sot në Kosovë janë importuar dhjetëra miliona euro produkte të tilla si gruri, qumështi, keksët e famshëm Plazma e shumë gjëra të tjera.

Gruri ka rezultuar të jetë jocilësor, sepse ka qëndruar me vite të tëra nëpër depo të Serbisë dhe më pas është sjellë në Kosovë.

Ky produkt i destinuar për kosovarët, zakonisht përdoret për kafshët.

Gjithashtu gjithnjë ka pasur dyshime se Serbia prodhon me linja të veçanta për tregun e Kosovës, pra produktet serbe që vijnë në Kosovë kanë cilësi më të dobët, krahasuar me linjat tjera prodhuese që i prodhon për vende të tjera.

Përgjatë viteve janë bërë testime në laboratorë të sofistikuar që kanë treguar se disa nga produktet serbe janë jashtë standardeve dhe mund të jenë kancerogjene.

I tillë ka rezultuar edhe qumështi  nga Serbia, i cili ka prani të madhe në Kosovë. Pasi që analizat shkencore holandeze treguan se 70 për qind të mostrave të qumështit serb ishin kontaminuar me aflatoksinë, qeveria e Beogradit njoftoi se qumështi i kontaminuar do të asgjësohet.

Aflatoksina, konsiderohet potencialisht kancerogjene, dhe kjo është arsyeja kryesore pse shtetet anëtare të BE-së dhe fqinjët e Serbisë insistojnë në nivele të ulëta të lejuara me vetëm 0,05 për kilogram. Kjo materie toksike hyri në zinxhirin e ushqimit me anë të ushqimit të koncentruar të kafshëve.

Gjithashtu edhe produkte tjera që përdorën për fëmijë si kremra janë ndaluar të shiten në Kosovë, por kjo ka ndodhur vetëm kur laboratorët në Maqedoni e kanë zbuluar rrezikun e tyre. Të gjitha produktet e firmës “Kosil”, të cilat prodhohen në Serbi janë ndalur të shiten në Kosovë, pasi autoritetet e Maqedonisë e kanë njoftuar Inspektoratin Sanitar të Kosovës se ky produkt përmban materie të rrezikshme kancerogjene.

Ndërkaq, bëhet fjalë për të njëjtën Serbi që ende nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra në Kosovë, ende nuk i ka kthyer trupat e të pagjeturve, nuk ka dëmshpërblyer për dëmet që ka bërë si dhe ende mirëmban strukturat ilegale në veri të vendit./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme