Qytetarët dalin për pazar në Natën e Bajramit, ankohen për çmimet e larta

19:15 | 3 Qershor 2019
Arditë Shkodra

Rrugët që të dërgojnë në drejtim të pazarit në kryeqytet, të hënën gjatë ditës ishin të mbushura plotë me njerëz. Festa e Bajramit i kishte mbledhur shumicën e banorëve të kryeqytetit aty. Disa thonë se kanë dal në pazar për shkak të çmimeve të lira, derisa të tjerët ankohen se çmimet janë astronomike për buxhetin e familjeve. Por, që të gjithë thonë se kanë bërë përgatitje që nga supa e deri në bakllava për këtë ditë.

Pothuajse secili qytetar që kalonte rrugëve të kryeqytetit sot gjatë ditës, mbante në dorë nga një qese me artikuj ushqimorë. Sot ishte dita e fundit që ata të përfundonin përgatitjet për Festën e Bajramit.

Rrugën për në Pazar e kishte marrë edhe Kadrie Gashi nga Prishtina. Ajo tregon për Gazetën Express për përgatitjet që bën ajo për këtë festë, e cila tregon se edhe sot e kësaj dite vazhdon të përgatisë ushqime tradicionale.

“Kam dalë pak me u furnizu për përgatitjen finale për nesër. Anën tradicionale akoma e aplikoj, bakllavën e kom t’hollu, e kom bo gati, zakonisht të gjitha i bëj”, tregon Kadria.

Gjërat e fundit për Bajram sot kishte dalë që t’i blejë edhe Ejup Murati nga Kamenica. Për këtë ditë, Ejupi thotë se nuk kursejnë asgjë. Ushqimi thotë se fillon me supë, dhe përfundon me bakllavë.

“Kemi përgatit diçka dje edhe sot dola me marrë pak po janë disa gjëra ma lirë ashtu që kjo festë madhështore të kaloj sa më mirë. Të gjitha gjërat i përgatisim prej supës e deri te bakllava”, thotë Murati.

E përderisa shumica e qytetarëve furnizoheshin me artikuj ushqimorë, disa kishin dalë thjeshtë për t’i “monitoruar” çmimet.

Ibish Asllani nga Prishtina thotë se çmimet janë shumë të larta.

“Psh. çmimi i mishit sillet rreth 7.50 për një kg, vetëm një shembull prej konvertimit të markës në euro atëherë ka qenë 7 marka, tash i bjen me kanë 15 marka. Edhe çmimet e perimeve dhe pemëve janë të larta”, thotë Asllani.

Në pazar sot u panë edhe pula e gjela. Në një tavolinë që sipër saj kishte lakra, rrinin në heshtje dy gjela e pesë pula. Afër tyre gjithmonë ishte e vendosur një thikë, e pronari i tyre ishte në pritje të blerësit të radhës.

Ndryshe, mëngjesi i sotëm ka nisur me inspektime nëpër marketet e vendit. Me këtë aksion, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë po synon të verifikojë nëse çmimet e produkteve në rafte janë të njëjta edhe tek arka.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala pas këtij aksioni tha se kjo është bërë për të verifikuar zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit.

“Fokus kryesor i këtyre inspektimeve ka qenë inspektimi i çmimeve të produktit, të cilat shiten në tregun e Kosovës, e kjo për verifikimin se produkti i cili është duke u shitur në pikën shitëse me vlerën të cilën i prezantohet qytetarit, ajo vlerë e atij produkti a është duke u reflektuar edhe në çmimin e arkës”, tha Shala.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme