QKSS: Serbia kërcënim i madh për Kosovën përmes Listës Serbe

10:39 | 17 Dhjetor 2018
arbresh.info

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka mbajtur  konferencë për lansimin e të gjeturave të Barometrit Kosovar të Sigurisë, lidhur me politikën e jashtme dhe dialogun me Serbinë.

Florian Qehaja, drejtor ekzekutiv në QKSS  ka thënë se çdo implikim në politikën e jashtme ka ndikim në Kosovë.

“Zgjedhjet në vende të ndryshme apo komplikimet e ndryshme po kanë impakt në Kosovë, si tek liberalizimi i vizave apo tek dialogu. Qytetarët kanë impakt për këto gjëra, dhe në përgjithësi ka një qasje selektive të qytetarëve në raport me partnerët, me BE, pastaj tek ushtria. Ka një çrregullim kur BE komenton për ushtrinë, e NATO për ekonominë. Kosova nuk ka një pozicion të qartë për të ardhmen euroatlantike. Ishte rasti me INTERPOL kur disa shtete nuk e njohën Kosovën”, ka thënë ai, raporton arbresh.info.

Donika Emini, humumtuese në QKSS, ka thënë se qytetarët e Kosovës e kanë të qartë se çfarë orientimi ka Kosova në politikën e jashtme.

“Ata e dinë cilët janë partnerët e Kosovës, cilët e kundërshtojnë, si po shkon rrjedha e dialogut Kosovë-Serbi e gjëra të tjera”, ka thënë ajo.

Sipas saj këtë vit Kosova është ballafaquar me tërheqje të njohjeve.

“Lëre që s’ka pasur njohje por ka pasur tërheqje. Pastaj kemi pasur shkëmbim territoresh në këmbim të dialogut. Po ashtu askush nuk ka folur deri më tani për mosnjohjen e Kosovës nga Bosnja, se sa herë e ka bllokuar Serbia Kosovën përmes Bosnjës”, ka thënë ajo.

Ndër të tjera Emini ka thënë se Shqipëria dhe Kroacia mund të jenë aleat strategjik dhe partnerë për Kosovën.

“Qytetarët besojnë tek këto dy vende. Të gjithë përceptimin për Shqipërinë, qytetarët e kanë bazuar në eksperiencat që kishin nga udhëtimet në Shqipëri, pastaj edhe mbështetja që i ka dhënë Shqipëria Kosovës në shumë gjëra. E ngjashme është edhe me Kroacinë ku shumë qytetarë e shohin si partneritet dhe mbështetës kryesor në përpjekjet e Kosovës në anëtarësim në mekanizma ndërkombëtar”, është shprehur ajo duke shtuar se Maqedonia dhe Mali i Zi njihen si zonë neutrale për qytetarët e Kosovës.

“Dy shtetet me të cilat Kosova nuk ka fare partneritet janë Bosnja dhe Serbia. Me Bosnjën kjo ka nisur kur i vuri fusnotë Kosovës. Kur jemi te Serbia, e kemi potencuar që njëri ndër kërcënimet më të mëdha që i vije Kosovës është Serbia. Fakti që nuk ka njohje për shkak të problemit të Serbisë është ndikim i jashtëm. Ndërsa ndikimi i brendshëm vije nga Lista Serbe e cila e bllokon vendin, sidomos kjo lidhet me asociacionin. Influenca e Serbisë është parë e rrezikshme në Kosovë dhe kjo prapë i atribuohet Listës Serbe meqenëse janë në Qeveri. Kur ata duan edhe dalin nga Qeveria dhe krijohen zgjedhjet”, ka thënë ajo.

Emini ka thënë se SHBA konsiderohet si njëri aleat kryesor.

“ShBA njihet më shumë se aleat. Vetëm kjo mund t’i jap zgjidhje problemeve. Siç ishte edhe për ushtrinë. Pastaj Gjermania është njëri ndër aleatët kryesor të Kosovës në Evropë. Të gjithë qytetarët e shohin Gjermaninë si parteritetin më të madh ekonomik, përmes vizave për kërkim pune dhe arsye tjera”, theksoi ajo duke përmendur edhe Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar e Francën si aleat të vendit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme