Google ADS

Qeveria urdhëron heqjen e billbordeve me fotografi të Kryeministrit Haradinaj

15:52 | 24 Nëntor 2018
Arbresh.info

Pak ditë pasi Qeveria mori vendim për vënien e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe, në pikat kryesore të kryeqytetit u vendosën billborde gjigante ku falënderohej kryeministri Ramush Haradinaj. Pankartat që dukeshin se papritmas filluan zgjedhjet nuk dihet se kush i vendosi.

Zyra e Kryeministrit distancohet nga to, duke kërkuar menjëherë që të hiqen, ndërsa institucionet tjera deklarohen se nuk dinë asgjë rreth tyre.
Të premten Prishtina u stolis me fotografitë e kryeministrit për një vendim qeveritar ndërsa nuk dihej se vepër e kujt ishin pankartat që ngjanin në ato të zgjedhjeve.

Pankartat “Tash jam 100% shtet. Falëmnderit kryeministër”, mbuluan Hotelin Grand, Pallatin e Rinisë, dhe rrugët në Prishtinë , pak ditë pasi Haradinaj mori vendim për vënien e taksës ndaj produkteve serbe.

Autori i këtyre shkrimeve nuk dihet, edhe përkundër se janë vendosur në prona publike.

Ndërsa Zyra e Kryeministrit Haradinaj, të cilit i dedikohen këto pankarta për gazetën Express thotë se ata nuk i kanë porositur e as nuk kanë pasur njohuri për billborda.

“Nuk është në strategjinë tonë të komunikimin kjo formë dhe as në interesin institucional dhe Zyra e Kryeministrit kërkon që ato të hiqen nga kompetentet”, ka thënë të shtunën zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi.

Tutje Zyra e Kryeministrit potencon se vendimi ka qenë mbi baza institucionale, ndërsa e quajnë të papranueshme tendencat për ta shfrytëzuar vendimin për taksën. Sipas përgjigjes së kësaj zyreje, dikush mund ta ketë shfrytëzuar vendimin për qëllime të caktuara

.“Vendimi per taksen ka qene vendim institucional për te cilin tashme kemi dhënë arsyetimin dhe faktet tona si Kosove dhe rrjedhimisht cdo tendence për ta shfrytëzuar ketë vendim për qëllime te caktuara, është i papranueshëm për ne”.

Pankartat u vendosën në objektet kryesore të Prishtinës, për të cilat ka përgjegjësi Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Express të shtunën ka kontaktuar zyrtarin e AKP’së, Veton Hajdinin, për ta pyetur nëse AKP ka bërë marrëveshje me dikë për t’i liruar hapsirat para Grandit dhe Pallatit të Rinisë për t’i vënë billbordet.

“Nuk kam asnjë informacion për to”, ka thënë shkurt Hajdini.

Gazeta Express ka pyetur Komunën e Prishtinës nëse dikush ka marrë leje para se pankartat të vendoseshin, mirëpo zyrtarë të komunës kanë qenë të paqasshëm.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme