Megjithëse kryen dhjetëra shërbime, Posta e Kosovës e ka të pamundur vetëqëndrueshmërinë financiare, për shkak të borxheve që nuk po iu paguhen.
Sipas kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Sejdi Hoxha, përveç obligimeve financiare që Telekomi dhe Qeveria e Kosovës nuk po i kryejnë ndaj Postës, problem tjetër është edhe ekonomia joformale dhe kompanitë që kryejnë shërbimet e Postës pa licencë.
Hoxha për Ekonomia Online ka thënë se ka shumë operatorë postarë që funksionojnë përmes internetit, të cilët nuk kanë regjistrim dhe prapë punojnë me shitje online, duke u bërë konkurentë joligjorë krahas Postës.
Ndërsa, është shprehur se ka muaj që Telekomi ekzekutimin e pagesave e bën pjesërisht dhe pas datës së caktuar, ndërsa Qeveria ende nuk po e paguan borxhin prej 5 milionë eurosh.
“I kemi dy probleme themelore. E para është pamundësia nga Telekomi i Kosovës me i kry obligimet financiare kontraktuale që ka me Postën e Kosovës. Kemi raporte kontraktuale me Telekomin që diku rreth 500 mijë euro në muaj ata kanë obligime ndaj Postës për qiranë, për shitjen e produkteve të telefonisë mobile dhe telefonisë fikse që ne i bëjmë në zyrat tona postare, shtypjen, printimin dhe zarfimin e faturave që na i njoftojmë klientëve të Valës dhe Telekomit”.
Për këto arsye, kryeshefi i Postës së Kosovës ka thënë se i është paraqitur një plan veprimi kryeministrit të Kosovës, se si mund të dalë Posta nga kriza dhe të vazhdojë funksionimin për periudhë afatgjate.
Hoxha thekson se kanë identifikuar disa shërbime që mund t’i kryejnë, të cilat, sipas tij, do t’i siguronin Postës qëndrueshmëri financiare afatgjate dhe mundësi për t’i ndihmuar edhe Qeverisë.
“Ne jemi ulë bashkërisht me drejtoritë përkatëse, me menaxhmentin i kemi identifikuar disa forma të shërbimeve të reja që mund t’i krijojë Posta e Kosovës, e kemi identifiku edhe bazën ligjore duke e respektu legjislacionin në fuqi, duke e ruajtë konkurrencën e tregut të lirë, i kemi përcaktu disa shërbime të cilat mund t’i kalojnë Postës së Kosovës dhe mund ta nxjerrin në rezultat pozitiv financiar, jo vetëm për këto vite, por edhe afatgjatë dhe Posta të jetë në gjendje jo vetëm ta mbajë veten, por t’i ndihmojë Qeverisë në të ardhmen”.
“Si kriter i parë ka qenë rimbursimi i humbjeve nga shërbimi universal postar, si kërkesë e dytë ka qenë që Posta po ballafaqohet me një treg joreal, shumë institucione në Kosovë ofrojnë shërbime për të cilat nuk janë të licencuara, p.sh. ofrimin e shërbimeve publike, shpërndarjen e faturave të energjisë elektrike, të ujit dhe të mbeturinave. Ne kemi bë analiza të tregut në të gjitha vendet e Evropës dhe 90 për qind prej tyre këto shërbime i kryejnë administrata postare të secilit vend”.
Hoxha ka deklaruar se Posta i humb çdo muaj nga 200 mijë euro, si pasojë e pamundësisë për të ofruar shërbimet postare.
“Nëse flasim praktikisht, vetëm KEDS-i i ka rreth 500 mijë konsumatorë në Kosovë, që një letër e thjeshtë për me e dërgu është 0.40 cent, që i bie që 200 mijë euro në muaj Posta e Kosovës i humb vetëm nga pamundësimi i padrejtë që i bëhet në ofrimin e shërbimit postar. Ngjashëm ndodh edhe me ujësjellësit edhe me kompanitë e mbeturinave. Këta operatorë nuk janë të licencuar në ARKEP për kryerjen e shërbimeve postare”.
“Nuk kemi ndonjë informatë, nuk kemi arsyeshmëri përveç që ligji neve na obligon me kry shërbimn, ndërsa Qeverinë me e kry rimbursimin”.
Kryeshefi i Postës ka thënë se aktualisht janë duke u përpjekur që të marrin përsipër shpërndarjen e disa skemave të tjera pensionale, ajo e veteranëve të luftës, invalidëve, etj., që, sipas tij, do ta ndihmojë operatorin publik, por edhe Qeverinë e Kosovës.
Posta po kërkon që të marrë përsipër edhe shpërndarjen e skemave të tjera pensionale.
“Janë dhjetëra skema të tjera pensionale të cilat kryhen përmes bankave në Kosovë pa ndonjë procedurë që na lënë edhe ne të bëhemi pjesë e lojës, mendoj që asnjë bankë që operon nuk ka kapacitete më të mëdha, as infrastrukturore, as të resurseve njerëzore që mund ta kryejnë më mirë këtë shërbim sesa Posta e Kosovës”.
Sipas tij, kjo do t’i kishte dy avantazhe.
“Në radhë të parë do ta ndihmojë operatorin publik postar Posta e Kosovës dhe në radhë të dytë do t’i kursejë mjete financiare Qeverisë që do të paguajë më pak te Posta e Kosovës sesa te bankat komerciale që sot operojnë në Kosovë”.
“Janë pensionet për të verbrit, pensionet e invalidëve të luftës, veteranëve, pensionet e TMK-së që kanë dalë në pension dhe dhjetëra skema tjera që aktualisht jepen për qytetarët që për të gjitha këto Posta posedon edhe licencë, edhe infrastrukturë dhe është e gatshme të marrë përsipër shpërndarjen e këtyre skemave sociale”.
Hoxha ka thënë se pas shpalljes publike që kanë bërë për të gjitha bankat që operojnë në Kosovë për të hyrë në shërbimet bankare në zyrat e Postës, janë në fazën e negocimeve dhe se këtë vit do të fusin shërbimet bankare, krahas shërbimeve financiare bankare si e hyrë kryesore e Postës së Kosovës./EO/
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...