Qeveria e Kosovës shkel ligjin për mbrojtjen e Sami Lushtakut

23:51 | 13 Janar 2019
Arbresh.info

Qeveria e Kosovës ka shkelur ligjin e inicuar nga vet ajo, pasi ka vendosur të ndajë para për mbrotjen e ish-komandantit të UÇK-së, Sami Lushtaku.

Ligji për mbrojtjen e të akuzuarve potencialë nga Gjykata Speciale, thotë se mjetet për mbrojtje ndahen vetëm në momentin kur ndaj atij personi është ngritur aktakuzë. Zyra për mbrojtjen e të akuzuarve potencialë nga Gjykata Speciale, tashmë i ka ndarë nga 2 mijë e 200 euro në ditë për avokatin Jeffery Nice, që do ta mbrojë Lushtakun, ani pse ndaj ish-komandantit të UÇK-së, nuk është ngritur ende aktakuzë. Se ende s’ka aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Skenderajt, e ka pranuar vetë ai, shkruan Insajderi.

Qeveria e Kosovës, konkretisht Zyra për mbrojtjen e të akuzuarve potencialë nga Gjykata Speciale, kundërligjshëm ka marrë vendim për t’ia paguar nga 2 mijë e 200 eurove për një ditë, Geoffrey Nice, avokatit të ish-komandantit të UÇK-së, Sami Lushtaku.

Kjo pasi që Ligji për Mbrojtjen Juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, specifikon se mjetet ndahen vetëm për ata persona, të cilët kanë aktakuzë nga ana e Prokurorisë Speciale – e që në rastin konkret, Zyra e Prokurorit të Specializuar ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku.

“Neni 3 Mbrojtja juridike. 1. Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga Buxheti i Kosovës, i alokuara për qëllimet e këtij Ligji.

2.Mbrojtja juridike e personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, duke përfshirë edhe angazhimin e mbrojtësit, bëhet sipas akteve nënligjore që do të miratohen nga Ministria e Drejtësisë”, thuhet në Ligjin për Mbrojtjen Juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Ligji për Mbrojtjen Juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.
Se tashmë janë ndarë paratë e majme për mbrotjen e Sami Lushtakut, ani pse në Ligj specifikohet se kjo bëhet vetëm në rast se ndaj një personi është ngritur aktakuzë, e ka konfirmuar për T7, shefi i zyrës për mbrojtjen e të akuzuarve potencialë nga Gjykata Speciale, Driton Lajçi.

Lajçi ka thënë se tashmë buxheti është ndarë, dhe puna e vetme për ta është të takohen në Hagë, me avokatin Nice.

“Buxhetin e kemi të ndarë po presim edhe të takohemi tash në Hagë me avokatin Nice. Por po presim edhe miratimin e buxhetit të Kosovës dhe gjithçka është në rregull”, ka thënë Lajçi.

Por, gjatë ditës së sotme, teksa Lushtaku është nisur fillimisht për Gjermani, e më pastaj për në Hagë, ka pranuar se ai ende nuk ka asnjë aktakuzë që rëndon ndaj tij, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Madje, Lushtaku e ka pranuar, se as vetë nuk e di se në çfarë cilësie është duke shkuar në Hagë.

“Nuk e di ende se në çfarë cilësie jam i ftuar në Hagë”, ka thënë ish-komandanti i UÇK-së, në Zonën e Drenicës.

Sami Lushtaku, pritet që të merret në pyetje nga Prokurorët e Zyrës së Specialuzuar, gjatë datës së 19 Janarit, të këtij viti.

Së bashku me Lushtakun, gjatë ditës së sotme, ka udhëtuar edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i njohur si Remi.
Të dy këta, para udhëtimit për në Hagë, i ka takuar presidenti i vendit dhe njëherësh ish-udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaci.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, tashmë është e konfirmuar se kanë dërguar ftesa edhe ndaj ish-krerëve më të lartë të UÇK-së

Ish-kryegjyqtari i Gjykatës Ushatarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, ish-anëtar i Zonës së Pashtrikut gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sabahudin Cena, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi Shala, ish-anëtari i Zonës Operative të Llapit, Nazif Mehmeti, ish-ushtarja e UÇK-së, Raimonda Rreci janë disa nga ish-pjesëtarët e UÇK-së që kanë marrë ftesë nga Specialja.

Në media është raportuar, se në javën e dytë të muajit Janar, në intervistë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, do të merret edhe ish-komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi. Ish-komandanti i TMK-së, tani është i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi vuan nga një sëmundje.

Ndaj, asnjërit prej të ftuarve t ëish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është ndarë asnjë mjet, për mbrotjen e tyre në Gjykatën Speciale – përjashtim bënë vetëm ish-komandanti, Sami Lushtaku.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015. Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, që e paraqiti para Këshillit të Europës në janar të 2011.

Raporti përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i ketë kryer UÇK-ja gjatë dhe menjëherë pas luftës së fundit në Kosovës. Të njëjtat supozime u mbështeten edhe në një libër që e kishte shkruar ish-prokurorja e Tribunalit Special, Carla Del Ponte, tri vjet para se Marty ta hartonte raportin.

Në mars të këtij viti, pas katër vitesh nga themelimii Gjykatës Speciale, ishte dorëhequr nga detyra Prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, David Schëendiman. Vetëm pak muaj para largimit të tij, ai kishte deklaruar se aktakuzat e Speciales tashmë ishin gati për t’u ngritur.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme