PVD: Marrëveshja Kosovë-Serbi nuk do të ishte e plotë, pa përgjigje për pozitën e shqiptarëve në Luginë

11:38 | 25 Janar 2019
Arbresh.info

Partia për Veprim Demokratik konsideron se në prag të nisjes së fazës finale të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat duhet të rezultojnë jo vetëm me Marrëveshje ligjërisht të obligueshme për palët por edhe me garancë që Kosova të fitojë ulësen në OKB, shpresa për përfshirjen e Luginës së Preshevës si pjesë e Dialogut Final po shtrohet si mundësi jetike për të gjetur një zgjidhje të drejtë dhe të duhur edhe për shqiptarët.

Po sipas kësaj partie, muajt e fundit është dëshmuar një angazhim më i theksuar dhe i drejtpërdrejtë i institucioneve të Kosovës për të përkrahur kërkesat legjitime të Luginës së Preshevës.

“Ky angazhim i institucioneve të Kosovës, sidomos i presidentit dhe delegacionit shtetërorë të Kosovës po paraqet një kapitull të ri të aktualizimit ndërkombëtarë të çështjes së Luginës së Preshevës”, thuhet në një deklaratë të PVD-së.

Gjendja aktualisht e rëndë, shkruan tutje në deklaratë, vjen si pasojë e grumbullimit të shumë problemeve jetike për të cilat qeveria e Beogradit nuk ka treguar asnjëherë gatishmëri serioze për të gjetur zgjidhje të pranueshme, duke i konsideruar shqiptarët si element të padëshirueshëm.

“Mungesa e zgjidhjeve të duhura të proceseve të shumta politike në të cilat shqiptarët kanë marrë pjesë (2001, 2009, 2013), të cilat Luginën e Preshevës e kanë shndërruar në një geto të vërtetë, vend pa perspektivë, që po ndikon largimin në masë sidomos të rinisë, dukë dëmtuar në mënyrën më serioze bërthamën kombëtare në këtë rajon”, thuhet më tej në deklaratë.

Andaj, theksohet në deklaratë, të ballafaquar me këtë gjendje të vështirë, shqiptarët e Luginës së Preshevës Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, e shohin si mundësinë e vetme, për të gjetur zgjidhjen adekuate për pozitën e tyre.

“Marrëveshja eventuale mes dy shteteve nuk do të ishte e plotë nëse nuk jep përgjigjen e drejtë edhe për pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, përfundohet në deklaratën e nënshkruar nga Shaip Kamberi, kryetar i PVD-së.

https://www.facebook.com/OfficialPVD/photos/a.451747588286333/1835786423215769/?type=3

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme