Autoritetet në Prishtinë nuk e fshehin drojën se procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, mund të përfshihet si kusht i ri për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
Me një kusht të tillë, nuk do të pajtoheshin as partitë në pushtet dhe as ato në opozitë.
Ministrja për Integrim Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, në një interviste për Radion Evropa e Lirë, tha se “kjo do të ishte më të vërtetë zhgënjyese që të shihen tendenca të tilla, pavarësisht faktit se duhet të pranojmë se kemi pasur kërkesa, qoftë për suspendimin e taksës, qoftë për vazhdimin e dialogut, njëra e ndërlidhur me tjetrën”.
“Unë shpresoj që të mos ndërlidhet, sepse ne qysh në start e kemi paguar dyfishin e çmimit që vendet e rajonit e kanë paguar për këtë proces, pra ne kemi 95 kritere, kurse vendet e tjera i kanë pasur 40-45 kritere”, tha Hoxha.
Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, shfaqi shpresën që kjo çështje të mos ketë tendenca të tilla.
“Këtë e kemi bërë të qartë, edhe unë në shumë takime të mia, dhe kemi thënë se nuk duhet të paguajmë edhe një herë për liberalizimin e vizave duke na kërkuar diçka që nuk është fare e lidhur me liberalizmin e vizave”, theksoi ajo.
Përfaqësuesit e opozitës, por edhe analistët politikë thonë se Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet që çështja e liberalizmit të vizave të mos lidhet me procesin e dialogut politik Kosovë- Serbi.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli Dalipi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se dialogu politik me Serbinë dhe procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën nuk kanë lidhshmëri dhe se institucionet e Kosovës në asnjë rast nuk duhet të lejojnë që kjo çështje të bëhet kërkesë.
“Ministria dhe Qeveria jonë duhet të insistojnë që kjo të mos futet në dialog. Përveç kësaj, duhet edhe të punojnë që ta luftojnë korrupsion dhe t’i bindin shtete anëtare që janë duke punuar në këtë drejtim, sepse ne kemi një raport të Komisionit Evropian që thotë; ‘po janë përmbushur kushtet’”, tha Pacolli-Dalipi.
Ajo shton se përveç zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, deri më tash nuk ka dëgjuar asnjë zyrtar të Bashkimit Evropian që ka folur ose që ka tentime për të ndërlidhur procesin e liberalizimit të vizave edhe me dialogun. Siç tha ajo, nëse diçka e tillë ndodh, është mjaft e dëmshme.
“Vetë zyrtarët tanë politikë e çojnë me një drejtim tjetër liberalizmin e vizave, e që është shumë e rrezikshme. Nga mosluftimi i korrupsionit, zyrtarët tënë, Qeveria dhe kryeministri tentojnë ta çojnë temën drejt përfshirjes në dialog. Kjo është tejet e rrezikshme dhe nuk guxon të ndodhë”, theksoi Pacolli- Dalipi.
Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Artan Muhaxhiri, tha për Radion Evropa e Lirë se në rastin e liberalizimit të vizave, Bashkimi Evropian i ka bërë padrejtësi të mëdha Kosovës. Andaj, sipas tij, nuk duhet përjashtuar mundësia që kjo çështje të lidhet edhe me dialogun.
“Është e pritshme që një gjë e tillë të vazhdojë, sepse e para nuk ekziston një gatishmëri e klasës politike kosovare që të ballafaqohet drejtpërdrejt me BE-në për këtë çështje. E dyta, deri më tani janë bërë shumë lëshime, prandaj edhe BE-ja pret që të vazhdohet serish me to. Ndërlidhja e dialogut me liberalizim nuk është logjike, mirëpo është e pritshme në kontestin e raporteve të Kosovës me Bashkimin Evropian”, vlerësoi Muhaxhiri.
Ai theksoi se Kosova dhe institucionet e saj duhet të jenë më këmbëngulëse dhe të tregojnë se janë plotësuar kriteret dhe nuk duhet të ketë vonesa në procesin e liberalizim të vizave.
“Problemi me politikanët e Kosovës është se kanë një kompleks, inferioritet ndaj BE-së. Ata ndryshe flasin në Prishtinë e ndryshe flasin në Bruksel. Pra, asnjëherë nuk kanë bërë presion të merituar ndaj institucioneve të BE-së,edhe atëherë kur kanë pasur të drejtë”, tha Muhaxhiri.
Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të marrë një përgjigje nga zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, për këtë çështje.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, të jetë pjesë e agjendës së Bashkimit Evropian në një proces të përshpejtuar.
Ndryshe, procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2012, ndonëse ende nuk është finalizuar.
Çështja e liberalizmit të vizave për Kosovën tani ka mbetur te ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Kryeministri Haradinaj dhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, kanë paralajmëruar mundësinë që në BE, pavarësisht zhvillimeve të brendshme të marrë vendime pozitive për Kosovën.
Për dallim nga ta, komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, pati paralajmëruar se heqja e vizave për qytetarët e Kosovës, me gjasë, ‘mund të vijë në shprehje, diku gjatë vitit 2020’.
Kurti e Vitia sot vënë gurthemelin e QKMF-së në Drenas
Përfundon regjistrimi i votuesve nga jashtë, Elezi nga KQZ t...
Aeroporti i Prishtinës feston arritjen e katër milionë udhët...
Laporta mund t’i befasojë të gjithë me transferimin e parë t...
Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e ...
Parashikimi i motit për sot në Shqipëri