Kompensimi i orëve të humbura ka mbetur çështje e lënë peng. E gjithë kjo për shkak të mosmarrëveshjes mes Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK) dhe Ministrisë së Arsimit (MASHT).
Ministria e Arsimit ka marr vendim që orët e humbura të kompensohen, mirëpo SBASHK-u këtë vendim e ka kundërshtuar, madje duke e dërguar në gjykatë.
Drejtori ekzekutiv i qendrës për arsim në Kosovës, Dukagjin Pupovci, në një intervistë për Telegrafin ka folur për kompensimin e orëve.
Pupovci ka thënë se orët është dashur të kompensohen pa u krijuar kjo situatë.
“Edhe më herët kur orët janë humbur për çfarëdo arsye, ose për shkak të klimës, apo për shkak të grevave, gjithnjë janë kompensuar, pa ndonjë problem. Mirëpo, situata e cila është krijuar tani, pothuajse ia ka humbur kuptimin këtij kompensimi të orëve. Sikur SBASHK-u të merrte vendim që këto orë të kompensohen nga java e ardhshme, nuk e di se a do të kishte kjo më ndonjë efekt pozitiv tek nxënësit. Sepse motivimi edhe i mësimdhënësve edhe i nxënësve, për t’i hyrë një pune të tillë, tashmë nuk është më në ndonjë nivel”, ka thënë ai.
Sipas tij në raportin mes SBASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit, ka inate personale.
“Përveç inateve personale mes SBASHK-ut dhe MASHT-it, po pasqyrohen edhe raportet e çrregulluara brenda koalicionit PAN. Brenda tri jave të grevës, SBASHK-u nuk lëvizte fare nga pozicionet e veta, kurse në momentin kur u ftuan nga kryetari i Kuvendit, brenda një ore u arrit marrëveshja, e cila rezultoi me ndërprerjen e grevës. Por ajo marrëveshje nuk paska qenë e dëshiruar, sepse mësuesit klasor kanë mbetur më poshtë se arsimtarët. Për ta qetësuar këtë revoltë, tani SBASHK-u po kërkon një lloj marrëveshje që më tepër duket si kushtëzim”, ka thënë ai duke shtuar që SBASHK-u po kërkon nga Ministria dhe Kuvendi të lëvizin drejt atij koeficienti.
“Po kërkohet që të rritet koeficienti i mësuesve në këmbim të kompensimit të orëve. Dhe kjo po më duket marrëveshje jo e dinjitetshme, dhe jo e arsyeshme. Natyrisht që mësuesit klasor duhet ta kenë koeficientin e njëjtë sa arsimtarët, por fakti që nuk e kanë është përgjegjësi e SBASHK-ut, e jo të shfrytëzohet kjo, si mjet për kompensim”, është shprehur ai.
Pupovci ka thënë se këtë vit ka ndodhur një situatë, që sipas tij nuk ka qenë asnjë vit më herët.
“Përderisa sindikata e ka për detyrë mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, ngritjen e pagave e kështu me radhë, ministria e ka për detyrë të organizojë mësimin në shkolla. Pikërisht një gjë të tillë e ka bërë me vendimin për kompensimin e orëve. Pra ministria është autoriteti që e përcakton kalendarin shkollor. Dhe, tani ministria nuk ka fuqi ta shtyej vendimin e saj, pasi që po has në rezistencë të SBASHK-ut. Kjo mund të jetë pikërisht për shkak të raporteve të çrregulluara të koalicionit PAN,sepse e dimë që Ministria drejtohet nga partneri më i vogël i koalicionit, dhe nuk po mund ta imponoj vendimin e vet”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, Pupovci ka thënë se, SBASHK-u e di që vendim i MASHT-it për kompensimin e orëve është i ligjshëm.
“Vendimet që nuk janë vendime, që i takojnë një organi, thjesht injorohen. SBASHK-u ka kërkuar nga Gjykata të merr një masë të përkohshme për pezullimin e këtij vendimi, kërkesë të cilën Gjykata e ka refuzuar. Nëse e ka bërë këtë, atëherë vendimi i ministrisë deri në një aktgjykim përfundimtar është në fuqi, dhe duhet të zbatohet. Nuk është mirë kështu të sfidohet autoriteti i një organi shtetërorë nga një sindikatë, sepse secili e ka vendin e vet. Kjo sjellje fut një lloj anarkie në sistemin e arsimit”, ka theksuar ai.
Ai ka komentuar edhe çështjen e kompensimit të orëve në disa shkolla. Sipas tij SBASHK-u po konsideron se në disa shkolla ku janë mbajtur orët, ka ndodhur si rezultat i presionit të autoriteteve komunale.
“Autoritetet komunale janë realisht punëdhënësit e atyre mësimdhënësve, ata i paguajnë, e jo SBASHK-u. Nëse i shihni kontratat e mësimdhënësve janë njësoj sikurse kontratat e të gjithë shërbyesve tjerë publik. Numri më i madh i shkollave ka respektuar ftesën e SBASHK-ut të mos punojnë ato ditë, dhe kjo krijon konfrontime të panevojshme në sistemin e arsimit, për këtë po ndodhë revolta tek prindërit. Kjo krijon edhe imazh të keq për arsimin”, ka thënë ai.
Ndërsa ditë më parë SBASHK-u dhe MASHT-i kanë pasur një takim së basku në komisionin parlamentar për arsim.
Në këtë takim, SBASHK-u për të zëvendësuar orët ka vënë si kusht të ndryshohet projektligji për paga, ku mësuesit e klasave 1 deri në 5 të iu rritet koeficienti, që i bie të barazvlersohen me ata të klasave 5 deri 9-të.
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...
Protesta më e madhe në historinë e Serbisë