Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, tash e disa kohë janë duke shprehur mosbesimin ndaj Bashkimit Evropian dhe institucioneve të tij dhe kjo tashmë është shprehur edhe përmes reagimeve me një retorike të ashpër, madje edhe duke e fajësuar BE-në se po e mbanë anën e Serbisë, karshi Kosovës, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Megjithatë, sipas tyre, institucionet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshme në reagimet e tyre, për faktin se alternativa e vetme për Kosovën mbetet rruga drejt BE-së.
Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se arsyeja kryesore për shprehjen e ashpër të mosbesimit të disa përfaqësuesve institucional të Kosovë, sipas tij, është për faktin se institucionet e vendit kanë pasur pritje të mëdha nga dialogu me Serbinë, për avancimin e agjendës evropiane të Kosovës, përfshirë këtu edhe liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit, por edhe për projekte të tjera.
Këto pritje, sipas tij, tashmë janë shndërruar në një lloj reagimi të ashpër ndaj BE-së dhe reagimet e tilla janë shpeshtuar javëve të fundit.
“Mendoj se duhet të gjendet një rrugë e mesit, sepse as ashpërsimi i gjuhës ndaj BE-së, nuk është zgjidhje, ashtu siç nuk është zgjidhje as nënshtrimi i plotë ndaj agjendave të tyre. Pala e Kosovës duhet ta gjejë një pozicionim, i cili nuk e dëmton raportin me BE-në, por nuk e cenon as dinjitetin e institucioneve të Kosovës”, theksoi Muhaxhiri.
Tre ditë më parë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë reaguar ndaj, siç është thënë provokimeve të Serbisë, si nikoqire e Samitit të Digjitalizimit, ndaj zyrtarëve të Kosovës, të cilët ishin në këtë samit.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili ka qenë i pranishëm në Samitin Digjital në Beograd, ka thënë se pjesa teknike në sallën ku është mbajtur samiti, ka qenë e kontrolluar nga ana e serbëve, të cilët kanë penguar paraqitjet e palës së Kosovës.
Ai ka theksuar se pala e Kosovës ka reaguar tek komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, si dhe tek komisionarja evropiane për ekonominë digjitale, Mariya Gabriel, të cilët i kanë lajmëruar për, siç e ka quajtur ministri Lluka, këtë incident.
Po atë ditë, zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, i ka dënuar, siç i ka quajtur ai, “provokimet” që i janë bërë Kosovës në Samitin Digjital, i cili u zhvillua në Beograd të Serbisë.
Ai i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ndërmarrë masa, sepse në të kundërtën Kosova do t’i braktisë organizimet e tilla.
“Ftojmë Bashkimin Evropian që ta disiplinojë Serbinë në të ardhmen, përndryshe Kosova nuk mund të jetë partnere, nuk mund të jetë prezente në konferenca të këtij lloji. Prandaj e ftojmë edhe një herë Bashkimin Evropian që të sqarojë pozicionin e vet ndaj këtyre agresioneve, të cilat i ndodhin Kosovës pothuajse çdo ditë”, ka theksuar Pacolli.
Një ditë më vonë, Besnik Tahiri, Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore, përmes rrjetit social Facebook, e ka kritikuar zëdhënësen e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, pasi që kjo e fundit i ka bërë thirrje Kosovës që të tërheqë vendimin për taksën ndaj produkteve të Serbisë, në mënyrë që të vazhdojë dialogu ndërmjet dy vendeve.
Ai ka theksuar se “gjatë tërë mandatit të saj Maja Kocijançiç më shumë ka funksionuar si zëdhënëse e Zyrës për Kosovë të Marko Gjuriçit se sa të vendeve anëtare të BE”.
“Kushtëzimi i dialogut nga ana e saj nënkupton bllokim permanent të dialogut”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Por, analisti Muhaxhiri vlerëson se retorika e tillë është taktikë e institucioneve të vendit, marrë parasysh që kërkesa për pezullimin e taksës është edhe kërkesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si aleat kryesor i Kosovës.
“Është shumë më lehtë të reagohet ndaj (Maja) Kocijançiqit dhe ndaj (Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica) Mogherinit, se sa ndaj Departamentit Amerikan të Shtetit dhe ndaj presidentit amerikan (Donald Trump). Ky është një taktizim i institucioneve të Kosovës, prandaj edhe këto bishtnime që bëhen – duke hyrë në debat të ashpër me një zëdhënëse të BE-së, e cila realisht nuk ka aspak fuqi vendimmarrëse politike brenda BE-së – është një tentim për ta zhvendosur vëmendjen nga çështja kryesore dhe ajo është kërkesa amerikane për suspendimin e taksës”, theksoi Muhaxhiri.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Kyle Scott, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq – foto arkivi
Në anën tjetër, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq i ka thënë Radios Evropa e Lirë se së shpejti do t’i përgjigjet kritikave të zyrtarëve të institucioneve të Kosovës.
Në frymën e zhvillimeve të fundit, ka reaguar edhe Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka theksuar që “ngrirja e marrëdhënieve të Kosovës me BE-në dhe SHBA-në po shkon në favor të veprimeve nepotiste dhe korruptive” të partnerëve të koalicionit qeverisës, PAN-it.
“Politika e jashtme e Kosovës është jo ekzistente, plotësisht në defansivë, duke u munduar që të parandalohet tërheqja e njohjeve. Vizita të rëndësishme në Kosovë pothuajse nuk ka fare, dhe as vizita jashtë të krerëve të institucioneve”, ka shkruar Hoti.
Por, deklarata fajësuese në adresë të Bashkimit Evropian, ka pasur edhe më herët nga drejtuesit institucional të vendit.
Në tetor të vitit 2017, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pati akuzuar Bashkimin Evropian se e ka izoluar Kosovën.
“Bashkimi Evropian e ka sjell në një pozicion të izolimit klasik Kosovën, në veçanti me çështjen e liberalizimit të vizave”, pati thënë presidenti Thaçi.
Në dhjetor të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e kishte fajësuar Federica Mogherinin, se e ka “mbytur” dhe “çrregulluar”dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për shkak se sipas tij, ajo nuk e ka përjashtoi mundësinë e ndryshimit të kufijve, si zgjidhje e kontestit ndërmjet dy vendeve.
Më pas, në mars të këtij viti, Haradinaj ka kërkuar që Mogherini të mos e ndërlidh vazhdimin e dialogun me taksën doganore që Qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
“Edhe katër investime të mëdha në stadiumet e futbollit” – Ç...
Musliu: Faton Peci e Fitore Pacolli bashkëpunëtorë në manipu...
Zyrtari i LDK-së thotë se Fitore Pacolli ia dha 100 mijë eur...
David: Barcelona ka qenë ekipi me të cilin jam rritur, ëndrr...
Çfarë e bën ecjen kaq të mrekullueshme për shëndetin tuaj?
Vullneti: Edi është 100% tipi i Xhenetës