Prokuroria zbulon planin e ISIS-it për ta destabilizuar Kosovën

10:14 | 10 Tetor 2018
Arbresh.info

Mbi gjashtë muaj hetime të Prokurorisë Speciale të Kosovës kanë zbardhur planet e një grupi i cili dyshohet se është i lidhur me ISIS-in për të kryer sulme terroriste në Kosovë Francë e Belgjikë.

Hetimet e prokurorisë kanë zbardhur se grupi i lidhur me struktura të larta të ISIS kishte ndërtuar plane për të destabilizuar Kosovën dhe sjellë atë në gjendjen e vitit 2004. Ndërsa për ta arritur këtë qëllim grupi kishte ideuar sulme në diskoteka në Graçanicë sulm mbi Kishën Ortodokse në Mitrovicën e veriut e deri tek sulmet vetëvrasëse mbi KFOR-in.

Pak ditë pasi Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 6 personave për vepra penale që lidhen me terrorizmin, Kallxo.com sjell detaje për pretendimet e Prokurorisë për mënyrë e organizimit të këtyre personave, planet për sulme terroriste, mënyrën e përzgjedhjes së vendeve dhe kohën kur do të sulmohej, pasojat që synoheshin të shkaktoheshin si dhe mënyrën e financimit të këtyre aktiviteteve terroriste.

Image

Njëri nga të akuzuarit e prokurorisë Bujar Behrami në mbrojtjen e tij të dhënë në Polici më datë 12 shtator 2018 ka pranuar veprimet e tij inkriminuese duke shpalosur të dhëna tjera në lidhje me mënyrën se si ka ardhur ideja për sulme, nga ku parashihej të vinin paratë, si rekrutoheshin personat për sulme, çfarë armë zjarri e çfarë eksplozivë e mjete tjera do të përdoreshin për kryerjen e këtij sulmi.

Financimi i grupit

Prokuroria ka arritur të siguroj prova se një shumë prej rreth 9 mijë eurosh ishte transferuar në Kosovë për të financuar grupin e dyshuar.Skema e tyre ishte që të përdornin fonde të IS për të financuar grupin.

Në dëshminë e tij Behrami thotë se financimin e ka bërë Abu Ahmed përmes personit A4 ndërsa paratë do të dërgoheshin nga ish vendet Sovjetike si Kirgistani, Rusia apo Uzbekistani. Në transaksionet e parave nuk përmendet se grupi kishte arritur të blinte eksploziv apo materiale të rrezikshme të cilat mund të përdoreshin për sulmet

Plani për sulmin mbi kombëtaren e Izraelit

Behrami në deklaratën e tij ka thënë se e gjitha filloi në shtator apo tetor të vitit 2016 kur përmes rrjetit telegram nga llogaria e tij “Ebu Musab”, ka filluar të bisedoj me A1[1] i cili në atë kohë gjendej në Siri.

“Në atë kohë kemi biseduar për sulme me kallash apo me eksploziv dhe nuk kishim përzgjedhur ende cakun por kam kërkuar nga A1 që të më lidhë me Ridvan Haqifin dhe pasi që jam lidhur me Haqifin bisedat tona kishin të bëjnë me atë se be u pajtuam se kishte me qenë mirë me i sulmu izraelitët në ndeshjen që parashihej të mbahej më vonë atë vit”, përshkruan aktakuza e Prokurorisë.

Ky sulm sipas Behramit fillimisht ishte planifikuar të kryhej me dron ndaj fansave të Izraelit dhe pastaj të vazhdohej me armë kallashnikov.

“Unë këtë ide ja Ridvan haqifit dhe ai më tha se duhet të shikohet mundësia përmes Lavdrimit duke vepruar në drejtim të njerëzve të gatshëm për t’u rekrutuar”, përshkruhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Për realizimin e këtyre planeve, Behrami para prokurorit ka thënë se i kishte dhënë idenë edhe Lavdrim Muhaxherit.

“Në lidhje me sigurimin e parave për realizimin e sulmeve ndaj tifozëve dhe lojtarëve të Izraelit unë I kam dhënë idenë Lavdrimit, A1 si dhe Ridvan Aqifit të cilët edhe i kanë siguruar paratë nga Abu Ahmed shef I inteligjencës së ISIS”, përshkruan aktakuza e Prokurorisë Speciale.

Behrami më tej në deklaratën e tij ka përshkruar edhe strukturën e grupeve që do të duhej të kryenin sulmin.

“Sulmi është dashur të kryhet nga tru grupe me nga tre apo katër persona ndërsa sa i përket personave të cilët kanë pas me kryer sulmin unë nuk kam qenë i përfshirë në këtë çështje por vetëm iu kam dhënë idenë ndërsa Ridvani, Lavdrimi dhe A1 i kanë siguruar njerëzit dhe paratë për të kryer sulmin”, përshkruhet në aktakuzë deklarata e Bujar Behramit.

Planet për sulme në Kishat Ortodokse

Dëshmitë e Prokurorisë flasin se pas dështimit të grupit për të sulmuar kombëtaren e Izraelit grupi kishte zbuluar caqe të reje. Kishat ortodokse ishin vënë në shënjesëtër ndërsa grupi ishte vënë në kërkim të eksplozivëve të rrezikshëm në tregun shqiptar ku thuhet se ishte takuar edhe me një ish eprorë të ushtrisë shqiptare.

Komunikimi me Lavdrim Muhaxherin dhe Ridvan Aqifin sipas Behramit kishte vazhduar deri në vrasjen e tyre në vitin 2017 ndërsa më pas komunikimi kishte vazhduar me personat A2 dhe A3 dhe komunikimi zhvillohej po ashtu përmes rrjetit telegram.

“Ideja ime ishte që të bëhej sulm ndaj objekteve të fesë ortodokse për krishtlindjet e tyre. Fillimisht nuk kishte as mjete financiare e as njerëz për të bërë diçka. Unë në lidhje me këtë kam hulumtuar në internet se ku ndodheshin kishat e tyre dhe pastaj kam bërë hulumtime për helm të fortë e eksplozivë”, përshkruhet deklarata e Behramit në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Image

Hulumtimet sipas Behramit ishin bërë përmes Wkipedias dhe Google ku ishin gjetur informacione në lidhje me eksplozivët.

“Më shumë kam bërë hulumtime në Ëikipedia dhe Google ku gjetjet në lidhje me eksplozivët TNT, C4, RDX , TATP dhe helmet si Sarin, Tabun, Somat dhe Clorin ia kam përcjellur A2 dhe A3. Në lidhje me këtë A3 ka shkuar në Shqipëri për të gjetur eksploziv dhe materie helmuese”, përshkruhet deklarata e Behramit.

A2 i cili kishte shkuar në Shqipëri, sipas Behramit kishte gjetur eksplozivë që kushtonte deri në 1 mijë euro kilogrami ndërsa e kishte pasur më të vështirë për të gjetur helme edhe pse për këtë ishte takuar me një ushtarak të lartë në Shqipëri.

Përveç materialeve, Behrami tha se ka kërkuar nga A2 që të siguroj persona të gatshëm për vetëflijim duke vendosur jelekëve vetëvrasës ndërsa për të gjetur personat A2 kishte shkuar në Mitrovicë, Gjilan dhe Shqipëri ndërsa pasi kishin pasur vështirësi në gjetjen e njerëzve, kishin edhe një ide interesante.

“Në lidhje me kryerjen e sulmeve, unë dhe A2 kemi planifikuar që t’i përfshimë personat që ishin të dënuar dhe që ishin në pritje të përfundimit të vuajtjes së dënimit për terrorizëm. Plani për festën e pashkëve ka qenë I ngjashëm me atë të krishtlindjeve dhe sulmet parashihej të ndodhnin në Graçanicën, Mitrovicë, Pejë dhe Prizren”, përshkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Si duket edhe ky plan kishte dështuar në mungesë të njerëzve dhe si rrjedhojë plani ishte shtyrë për një festë tjetër serbe.

“Ideja për shtyrjen e sulmeve për ‘Vidovdan’ ka qenë e imja e A2 dhe Abu Ahmed ndërsa unë gjatë asaj kohe kam filluar të tërhiqem nga ideja sepse Abu Ahmed ka kërkuar nga unë që sulmi të ketë përmasa të ngjashme me trazirat e marsit 2004 ndërsa unë kam kërkuar që sulmi të jetë me përmasa të vogla”, citohet deklarata e Behramit në aktakuzë.

Bujar Behrami me nofkën Ebu Musab El –Albani, Resim Kastrati me nofkën Pc Habibi, Gramos Shabani, Albert Ademaj, Leotrim Musliu dhe Edona Haliti janë pjesë e aktakuzës për terrorrizëm.

Aktakuza pretendon se Bujar Behrami dhe Resim Kastrati nga dhjetori i vitit të kaluar e deri më 29 qershor të këtij viti kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë.

Madje, sipas aktakuzës, Bujar Behrami ka tentuar të krijoj grupin me emrin ‘Ndihmëtarët e shtetit Islam në Tokën e Shqiponjave’, e që ky grup do të vepronte në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni për të përgatitur sulme terroriste.

Si lokacione të përzgjedhura për t’u sulmuar, sipas aktakuzës, ishin diskotekat “Kamboxha”, dhe “Insomnia”, në Graçanicë si dhe Kisha Ortodokse afër kafenesë “Moskva” në pjesën veriore të Mitrovicës.

Për kryerjen e këtyre sulmeve, roli për furnizim me armë sipas aktakuzës i përkiste të akuzuarit Resim Kastrati i cili duhej të gjente armë zjarri dhe materie plasëse por edhe të gjente persona për vendosjen e jelekëve me eksploziv.

Për realizimin e këtyre planeve Prokuroria pretendon se i akuzuari Bujar Behrami ka pranuar gjithsej 9 mijë euro nga një person nga Gjermania me iniciale M.M me qëllim të blerjes së armëve të zjarrit dhe eksplozivëve.

Për dallim nga dy të akuzuarit e parë, i akuzuari i tretë Gramoz Shabani sipas aktakuzës kishte cak Belgjikën dhe Francën ku synonte kryerjen e sulmeve terroriste në vende të frekuentuara me qytetarë. Shabani sipas aktakuzës mban edhe shtetësinë belge.

Duke vepruar sipas udhëzimeve të akuzuarit Gramoz Shabani, e akuzuara Edona Haliti sipas aktakuzës gjatë muajit maj dhe deri më 2 qershor 2018 është përfshirë në veprime inkriminuese të përgatitjes së sulmeve terroriste në Kosovës duke planifikuar të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë.

Dy të akuzuarit e fundit, Albert Ademaj dhe Lotrim Musliu akuzohen se nga muaji dhjetor 2017 e deri më 29 qershor 2018 edhe pse kanë pasur njohuri dhe kanë qenë të informuar se të pandehurit Bujar Behrami dhe Rasim Kastrari janë duke përgatitur sulme terroriste në Kosovë dhe duke qenë në kontakte të vazhdueshme me ta, nuk i kanë lajmëruar veprimet e tyre inkriminuese.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme