Pak ditë pasi Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 6 personave për vepra penale që lidhen me terrorizmin, dalin detaje për pretendimet e Prokurorisë për mënyrë e organizimit të këtyre personave, planet për sulme terroriste, mënyrën e përzgjedhjes së vendeve dhe kohën kur do të sulmohej, pasojat që synoheshin të shkaktoheshin si dhe mënyrën e financimit të këtyre aktiviteteve terroriste.
Bujar Behrami në mbrojtjen e tij të dhënë në Polici më datë 12 shtator 2018 ka pranuar veprimet e tij inkriminuese duke shpalosur të dhëna tjera në lidhje me mënyrën se si ka ardhur ideja për sulme, nga ku parashihej të vinin paratë, si rekrutoheshin personat për sulme, çfarë armë zjarri e çfarë eksplozivë e mjete tjera do të përdoreshin për kryerjen e këtij sulmi, shkruan KALLXO.com
Behrami në deklaratën e tij ka thënë se e gjitha filloi në shtator apo tetor të vitit 2016, kur përmes rrjetit telegram nga llogaria e tij “Ebu Musab”, ka filluar të bisedoj me A1, i cili në atë kohë gjendej në Siri.
“Në atë kohë kemi biseduar për sulme me Kallash apo me eksploziv dhe nuk kishim përzgjedhur ende cakun por kam kërkuar nga A1 që të më lidhë me Ridvan Haqifin dhe pasi që jam lidhur me Haqifin bisedat tona kishin të bëjnë me atë se ne u pajtuam se kishte me qenë mirë me i sulmu izraelitët në ndeshjen që parashihej të mbahej më vonë atë vit”, përshkruan aktakuza e Prokurorisë.
Ky sulm sipas Behramit fillimisht ishte planifikuar të kryhej me dron ndaj fansave të Izraelit dhe pastaj të vazhdohej me armë Kallashnikov.
“Unë këtë ide ia paraqita Ridvan Haqifit dhe ai më tha se duhet të shikohet mundësia përmes Lavdrimit duke vepruar në drejtim të njerëzve të gatshëm për t’u rekrutuar”, përshkruhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Për realizimin e këtyre planeve, Behrami para prokurorit ka thënë se i kishte dhënë idenë edhe Lavdrim Muhaxherit.
“Në lidhje me sigurimin e parave për realizimin e sulmeve ndaj tifozëve dhe lojtarëve të Izraelit unë i kam dhënë idenë Lavdrimit, A1-shit si dhe Ridvan Aqifit të cilët edhe i kanë siguruar paratë nga Abu Ahmed, shef I inteligjencës së ISIS-it”, përshkruan aktakuza e Prokurorisë Speciale.
Behrami më tej në deklaratën e tij ka përshkruar edhe strukturën e grupeve që do të duhej të kryenin sulmin.
“Sulmi është dashur të kryhet nga tri grupe me nga tre apo katër persona ndërsa sa i përket personave të cilët kanë pas me kryer sulmin unë nuk kam qenë i përfshirë në këtë çështje por vetëm iu kam dhënë idenë ndërsa Ridvani, Lavdrimi dhe A1 i kanë siguruar njerëzit dhe paratë për të kryer sulmin”, përshkruhet në aktakuzë deklarata e Bujar Behramit.
Komunikimi me Lavdrim Muhaxherin dhe Ridvan Aqifin sipas Behramit kishte vazhduar deri në vrasjen e tyre në vitin 2017 ndërsa më pas komunikimi kishte vazhduar me personat A2 dhe A3 dhe komunikimi zhvillohej po ashtu përmes rrjetit telegram.
“Ideja ime ishte që të bëhej sulm ndaj objekteve të fesë ortodokse për krishtlindjet e tyre. Fillimisht nuk kishte as mjete financiare e as njerëz për të bërë diçka. Unë në lidhje me këtë kam hulumtuar në internet se ku ndodheshin kishat e tyre dhe pastaj kam bërë hulumtime për helm të fortë e eksplozivë”, përshkruhet deklarata e Behramit në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Hulumtimet sipas Behramit ishin bërë përmes Wikipedias dhe Google ku ishin gjetur informacione në lidhje me eksplozivët.
“Më shumë kam bërë hulumtime në Wikipedia dhe Google ku gjetjet në lidhje me eksplozivët TNT, C4, RDX , TATP dhe helmet si Sarin, Tabun, Somat dhe Clorin ia kam përcjellur A2-shit dhe A3-shit. Në lidhje me këtë A3 ka shkuar në Shqipëri për të gjetur eksploziv dhe materie helmuese”, përshkruhet deklarata e Behramit.
A2 i cili kishte shkuar në Shqipëri, sipas Behramit kishte gjetur eksplozivë që kushtonte deri në 1 mijë euro kilogrami ndërsa e kishte pasur më të vështirë për të gjetur helme edhe pse për këtë ishte takuar me një ushtarak të lartë në Shqipëri.
Përveç materialeve, Behrami tha se ka kërkuar nga A2 që të sigurojë persona të gatshëm për vetëflijim duke vendosur jelekëve vetëvrasës ndërsa për të gjetur personat A2 kishte shkuar në Mitrovicë, Gjilan dhe Shqipëri ndërsa pasi kishin pasur vështirësi në gjetjen e njerëzve, kishin edhe një ide interesante.
“Në lidhje me kryerjen e sulmeve, unë dhe A2 kemi planifikuar që t’i përfshimë personat që ishin të dënuar dhe që ishin në pritje të përfundimit të vuajtjes së dënimit për terrorizëm. Plani për festën e pashkëve ka qenë i ngjashëm me atë të krishtlindjeve dhe sulmet parashihej të ndodhnin në Graçanicë, Mitrovicë, Pejë dhe Prizren”, përshkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.
Si duket edhe ky plan kishte dështuar në mungesë të njerëzve dhe si rrjedhojë plani ishte shtyrë për një festë tjetër serbe.
“Ideja për shtyrjen e sulmeve për ‘Vidovdan’ ka qenë e imja e A2 dhe Abu Ahmed ndërsa unë gjatë asaj kohe kam filluar të tërhiqem nga ideja sepse Abu Ahmed ka kërkuar nga unë që sulmi të ketë përmasa të ngjashme me trazirat e marsit 2004 ndërsa unë kam kërkuar që sulmi të jetë me përmasa të vogla”, citohet deklarata e Behramit në aktakuzë.
Për krejt këto plane Behrami thotë se financimin e ka bërë Abu Ahmed përmes personit A4 ndërsa paratë do të dërgoheshin nga ish-vendet sovjetike si Kirgizia, Rusia apo Uzbekistani.
(Personat A1, A2 dhe A3 janë të përshkruar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës por KALLXO.com ka kodifikuar emrat e tyre me qëllim të moszbulimit dhe dëmtimit eventual të procesit)/kallxo.com/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...