Prokuroria është duke punuar në plotësimin e aktakuzave për lëndën e njohur si rasti i “veteranëve të rrejshëm”, e cila i është kthyer Prokurorisë Speciale për plotësim dhe qartësim.
Prokurori Sylë Hoxha, i ngarkuar për komunikim me mediat nga Prokuroria Speciale e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se aktualisht po punohet në eliminimin e mangësive që gjykata i ka vlerësuar të pa plotësuara në aktakuzë.
“Pas plotësimit të vërejtjeve apo mangësive që janë dhënë, aktakuza do të dorëzohet në rrugë normale në procedurë, si çdo aktakuzë tjetër apo siç ishte dërguar më parë”, thotë Hoxha.
Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se ky rast, nga sistemi i drejtësisë po prolongohet qëllimisht.
Në këtë Institut që monitoron punën e prokurorive dhe gjykatave, thonë se këtij rasti Prokuroria nuk është duke i kushtuar vëmendjen e duhur.
Ehat Mifaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se është për keqardhje se si Prokuroria Speciale po e trajton këtë rast.
“Faktikisht, çka është duke ndodhur me këtë aktakuzë është ajo çka ne, si publik, i jemi frikësuar, që për rastet e nivelit të tillë, të fillojë të luhet loja e pingpongut, do të thotë të kthehet sa në Gjykatë e Prokurori, e të kalojnë afate kohore dhe të sillet nëpër korridoret e Gjykatës dhe Prokurorisë”, thekson Miftaraj.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë, të cilën e ka dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si ‘veteranët’, në drejtim të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Por, më vonë, Gjykata Themelore në Prishtinë, këtë aktakuzë e ka kthyer sërish në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovë për plotësim dhe qartësim.
Miftaraj thotë se është pakuptim se si një Prokurori Speciale ngritë një aktakuzë dhe e njëjta është e pakompletuar dhe kthehet prapë në Prokurori.
“Ne kemi kritikuar qasjen e prokurorit të shtetit ku në një aktakuzë të tillë ka pësuar ndryshime duke kërkuar që në rastin e veteranëve të rrejshëm të paraqitet kërkesa për masë të përkohshme, si dhe në kuadër të njëjtës aktakuzë të futen emrat e mbiemrat, të dhënat personale të mbi 20 mijë personave”.
“Një taktikë dhe një qasje e tillë e Prokurorisë automatikisht ka dërguar mesazhe te publiku se qëllimi është më shumë që kjo lëndë të prolongohet sesa e njëjta të trajtohet në gjykatë”, sqaron Miftaraj.
Organizata e Veteranëve të Luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kërkon nga institucionet e Kosovës që çështja e statusit të veteranëve ta kthehet në pikën zero.
Drejtuesit e kësaj organizate thonë se kjo duhet të bëhet në mënyrë që të sqarohet gjithçka dhe të hiqen dyshimet për veteranët ‘mashtrues’.
Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të mbetet i ekspozuar ndaj ndikimit politik dhe ky ndikim është në forma të ndryshme, vlerësojnë zyrtarë të institucioneve të larta të Kosovës, si dhe njohës të çështjeve juridike në vend.
Rasti, i cili muajt e fundit ka ngjallur debat dhe polemika jo vetëm në opinion, por edhe ndërmjet drejtuesve institucionalë, është rasti i “Listës së veteranëve”./REL/
Para ndeshjes me Rumaninë, delegacioni i FFK-së mirëpritet n...
Ramosaj: Doracaku për “Edukim seksual” i papranueshëm, s’mun...
Pjesëtarë të FSK-së po mësojnë në Shqipëri të pilotojnë me h...
Prokuroria jep detaje lidhur me arrestimin e një serbi i dys...
Celibashi: 1.7 miliardë lekë duhen vetëm për votim elektroni...
Lista për Familjen për doracakët e Edukatës Seksuale: Disa s...