Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kishte shpallur një tender në tetor të vitit 2017, fituesi i së cilit ngarkohej që të zhvillonte aktivitete që do t’i informonin dhe edukonin qytetarët lidhur me qentë endacakë. Projekti quhet “Shërbimet e informimit të popullatës lidhur me trajtimin e qenve endacakë dhe me pronar”.
Dy muaj më vonë, në dhjetor të 2017-ës, ndërmarrja veterinare “Mala Farm” u kontraktua nga AUV që ta zhvillonte këtë projekt me vlerë 111 mijë euro.
Por “Mala Farm” nuk ka lidhje me shërbime informuese për qytetarët, për çka edhe ishte hapur tenderi dhe ishte kontraktuar kjo ndërmarrje. Kjo kompani nuk ka ofruar as fakte se ka kryer punën për çka e ka marrë tenderin.
“Mala Farm” është kompani farmaceutike – e barnave bujqësore. Punë primare e kësaj ndërmarrjeje janë aktivitetet e veterinarisë. Punë të tjera që përshkruhen nga kjo kompani janë edhe tregtia me pakicë e artikujve farmaceutikë, ortopedikë dhe mjekësorë në dyqane të specializuara (barnatore).
Gjithashtu “Mala Farm” bënë edhe tregtinë me shumicë të drithërave, duhanit të papërpunuar, farërave dhe ushqimit të kafshëve, por askund, as në web-faqen e kësaj kompanie nuk thuhet se kjo kompani kryen shërbime informuese.
Megjithatë kjo nuk është shumë e rëndësishme për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë. Madje, AUV me kërkesat në dosjen e tenderit, favorizon kompani si “Mala Farm”.
Në dosjen e tenderit, te kërkesa mbi kapacitetin teknik dhe profesional të atyre që aplikojnë për tender, AUV thotë se operatori ekonomik duhet të ketë përvojë pune në lëminë e veterinarisë, të jetë e licencuar nga AUV për kryerjen e aktiviteteve për shërbime veterinare dhe se duhet te këtë se paku një veterinar/e të diplomuar, por nuk përmend kualifikimin profesional mbi informimin e qytetarëve.
Qëllimi i kontratës, që gjithashtu përshkruhet në dosjen e tenderit është që pas projektit, AUV të ketë njohuri mbi gjendjen e qenve në të gjithë territorin e Kosovës, së bashku me opinionet e qytetarëve për qentë endacakë.
Kohëzgjatja e marrëveshjes mes AUV-it dhe Mala Farm për informimin e qytetarëve lidhur me trajtimin e qenve endacakë, sipas njoftimit për dhënie të kontratës nga AUV, parashihej të zgjaste 36 muaj.
Por 10 muaj nga janari, nuk ka asnjë ‘gjurmë’ për aktivitetet e kompanisë Mala Farm në këtë projekt.
Zakonisht, kompanitë që organizojnë dhe zhvillojnë kampanja të tilla, aktivitetet informuese i publikojnë edhe në media dhe rrjete sociale. Por në faqen e Mala Farm në Faceobok gjenden vetëm postime për festa të ndryshme. Postimi i fundit i tyre në Facebook është bërë më 15 qershor, dhe është një urim për festën e Fitër Bajramit.
Në aneksin 1 të dosjes së tenderit nga AUV, te specifikimet teknike të detyrueshme, shënohet se kontraktori, në këtë rast Mala Farm detyrohet të zhvillojë edhe aktivitete me pyetësorë e fletushka, aktivitete të cilat nuk janë pjesë e punës profesionale të kësaj ndërmarrjeje.
Gjithashtu, në njoftimin për dhënie të kontratës nga AUV, thuhet se kontraktori nuk mund të nënkontraktojë dikë tjetër për këtë projekt, por duhet t’i përdor resurset e tyre.
Mala Farm, me këtë detyrim nuk mund ta nënkontraktojë as ndonjë kompani që merret me informim.
Insajderi ka hasur në shumë vështirësi për të kontaktuar me këtë ndërmarrje.
Në fillim, nga Mala Farm na është thënë se nuk mund të përgjigjen lidhur me këtë rast me arsyetimin se “shefi është në pushime”. Pas insistimeve të shumta, Insajderi ka marrë vesh se Mala Farm e ka lexuar e-mailin me pyetje nga Insajderi, por megjithëse kanë thënë se do të na kthejnë përgjigjje, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Disa ditë më vonë, Mala Farm, nëpërmjet telefonit i ka thënë Insajderit se kjo kompani ka mbajtur aktivitete për projektin në fjalë.
“Ka pasë kampanja, ka pasë tubime, shumë ka pasë”, i kanë thënë Mala Farm Insajderit, por pa dashur të specifikojnë dhe të përgjigjen në pyetjet e tjera, duke thënë se raportin e aktiviteteve e kanë dorëzuar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
“Mundeni me shku te Agjencioni i Veterinës me i lypë krejt informatat”, kanë sygjeruar “Mala Farm”.
Insajderi ka provuar të kontaktoj përmes edhe me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, por AUV nuk ka pasur qasje në telefon për më shumë se një javë. Ndërkaq, edhe në e-mailin që ua kemi dërguar, nuk kemi marrë asnjë përgjigjje.
Projekti misterioz “Shërbimet e informimit të popullatës lidhur me trajtimin e qenve endacakë dhe me pronar”, është planifikuar t’i paraprij dhe më pas të zhvillohet paralelisht me projektin e mëhershëm të AUV-it “Menaxhimi dhe kontrolli i qenve endacakë”, projekt për të cilin pati shumë akuza.
Për projektin “Menaxhimi dhe kontrolli i qenve endacakë” që do të zgjas deri në fund të vitit, AUV-i akuzohej se kishte kontraktuar veterinerë jo profesionalë që po i mbysnin qentë./Insajderi.com/
Kurti: S’kemi mosmarrëveshje me Maqedoninë e Veriut, bashkëp...
Fermerët francezë në protesta mbi marrëveshjen tregtare BE-M...
Kurti: Nga 1 janari do të kemi pikëkalime të përbashkëta kuf...
Mickoski: Bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliar...
Takimi ndërqeveritar, Kurti: Partnerë të lidhur jo veç prej ...
Amorimi sot mban seancën e parë stërvitore me Unitedin