Google ADS

Privatët protestojnë për linjën e re të autobusëve të Trafikut Urban, nuk do të ndalen

10:58 | 8 Tetor 2018
Arbresh.info

Dhjetëra pronarë të kompanive private të autobusëve kanë protestuar para objektit të Komunës së Prishtinës. Ata kanë shpalosur kërkesat e tyre të cilat i kanë drejtuar para mediave, pasi që kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk ka shprehur gatishmëri t’i takoj.

Ismet Haliti, përfaqësues i Këshillit të linjave private, ka thënë se kompanitë private duhet të trajtohen të barabartë me atë të Trafikut Urban. Ata kanë protestuar mëngjesin e së hënës, me arsyetimin se komuna e Prishtinës i ka sjellë 21 autobusët e rinj pa paralajmërim, siç thonë ata, duke rënë ndesh me oraret që kanë pasur deri tani kompanitë private.

Ata ditë më parë janë takuar me nënkryetarin e Prishtinës, Muhedin Nushi, për të arritur një zgjidhje, por vetëm kanë marrë sqarime shtesë. Zyrtarë nga komuna e Prishtinës kanë thënë se nuk bien ndesh të gjitha oraret e “Trafikut Urban” me ato të linjës 7 dhe 3b.

Po ashtu kanë thënë se kompanitë private nuk mund të operojnë, përderisa primare është interesi publik. Edhe qytetarët e kanë mirëpritur ardhjen e 21 autobusëve urbanë, duke thënë se rritja e numrit të autobusëve ua lehtëson qarkullimin atyre.

Komuna e Prishtinës është furnizuar me 30 autobusë të rinj urbanë në vitin 2017, derisa tani ka në funksion 51 autobusë urbanë. Njëzetenjë autobusët e rinj urbanë kanë nisur të qarkullojnë në disa linja të reja.

Risi është linja e Kalabrisë, që fillon te kompania “Pastrimi” dhe kalon në disa rrugë të Kalabrisë, përfshirë rrugën te Stacioni dhe “Banesat e Arabëve”.  Po ashtu linjës 3 i shtohet edhe një sub-linjë që kalon te “Princi i Arbërit” dhe përshkon edhe rrugën “Muharrem Fejza”.

Përmes autobusëve të rinj, do të ketë qarkullim edhe deri në fshatrat e Gollakut dhe në Keqekollë. Por, për autobusët e rinj janë ankuar kompanitë private që qarkullojnë në linjën 7 dhe 3b.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme