Google ADS

Presidenti shkon në Uashington thotë se java e ardhshme është përcaktuese për dialogun

12:51 | 21 Nëntor 2018
A. B.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet të udhëtojë javën e ardhshme për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Uashington, RTK ka mësuar se Thaçi pritet të zhvillojë takime të shumta me përfaqësues të lartë të SHBA-së.

“Presidenti do të zhvillojë takime të shumta me përfaqësues që njohin detajet e dialogut, nga të cilët pritet të marrë mbështetje për procesin dhe domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, i ka thënë RTK-së një burim diplomatik.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë pjesë në të gjitha proceset e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që nga Rambujeja e deri në dialogun e tashëm për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel.

Përmes zyrtarëve të Departamentit të Shtetit dhe Shtëpisë së Bardhë, SHBA-ja në fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk e kanë përjashtuar mundësinë e korrigjimit të kufijve ndërmjet dy shteteve.

Presidenti Thaçi, gjatë qëndrimit në Uashington, pritet të takojë edhe kongresmenë dhe senatorë të shumtë, për të zgjeruar përkrahjen e SHBA-së për Kosovën.

RTK ka provuar të kontaktojë me kabinetin e presidentit Thaçi, të cilët as nuk e kanë mohuar dhe as pohuar këtë vizitë në Uashington, duke thënë se do të deklarohen ditëve të ardhshme për këtë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme