Përderisa presidenti nuk i emëron anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ky institucion është jashtë funksionit. Këtë vlerësim e jep në vazhdimësi kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka
Zyra për Informim e Presidentit ka thënë se pas pranimit të nominimeve nga grupet parlamentare për anëtarë të KQZ-së dhe verifikimit të dokumentacionit të tyre, Departamenti Ligjor ka vërejtur dokumentacione të pakompletuara te disa prej tyre dhe ka kërkuar dokumentacione shtesë. Në përgjigjen me shkrim nga kjo zyrë thuhet se sapo të kompletohet dokumentacioni, presidenti do t’i dekretojë anëtarët e rinj të KQZ-së.
Radio Kosova merr vesh se një gjë të tillë presidenti Thaçi pritet ta bëjë pas kthimit nga SHBA-ja, ku do të marrë pjesë në lutjet e mëngjesit. Ajo që mbetet e paqartë deri më tani është nëse presidenti do t’i emërojë edhe propozimet e grupeve parlamentare të formuara pas konstituimit të Kuvendit, apo vetëm propozimet e grupeve parlamentare të dala nga zgjedhjet. Ky në fakt është problemi kryesor që ka bërë që KQZ-ja tash e një vit të mbetet e bllokuar.
Sidoqoftë, brenda KQZ-së ka mendime të ndryshme karshi funksionimit të KQZ-së. Ilir Gashi, që e përfaqëson PDK-në në KQZ, thotë se edhe pse nuk janë emëruar anëtarët e rinj, kurdo që shpallen zgjedhjet ato mund të organizohen nga KQZ-ja dhe për këtë merr shembull zgjedhjet e vitit 2013 dhe 2014.
“Në gjendjen e njëjtë juridike të cilën e kemi sot, ne i kemi mbajtur dy palë zgjedhje në Republikën e Kosovës dhe i kemi nxjerrë institucionet e vendit”, ka thënë Gashi për Radio Kosovën.
Por, Mazllum Baraliu, që dikur e ka udhëhequr KQZ-në, po mendon ndryshe.
“Gjendja reale dhe aktuale e strukturës dominante të KQZ-së është jashtë mandatit. Që do të thotë, është pa kompetencë që të vendosë. Pra, vendimmarrje nuk mund të ketë në KQZ. Ajo është e bllokuar, për arsye se thjesht ata njerëz janë jashtë mandatit”, ka thënë Baraliu.
KQZ-ja tash e një vit ka mbetur e bllokuar dhe nuk ka mbajtur asnjëherë mbledhje, ndonëse anëtarët e saj vazhdojnë të marrin paga. Kjo ka bërë që shumë punë të grumbullohen, sikur që janë dhjetëra kërkesa për zëvendësimin e asamblistëve nëpër komuna dhe zëvendësimi i një deputeti të Kuvendit të Kosovës/Radio Kosova/
Të paktën tetë emigrantë mbyten në ishullin grek
Stabiliteti në rajon, temë diskutimi mes homologëve Konjufca...
Nis ndërtimi i Parkut Urban në Spitallë, Rama prezanton proj...
“S’na kanë arrestuar akoma”, gazetarët Artan Hoxha dhe Elton...
Ylli ndërprenë bashkëpunimin me tre lojtarë
Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i realizuan stërvitje të...