Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, një falënderim të veçantë ka pasur edhe për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët me votën e tyre sot i hapën rrugë transformimit të FSK-së.
“Sot të gjitha partitë politike të Kosovës, pa dallim, treguan se kur është në pyetje interesi i Kosovës, e mira e përbashkët e jona, e gjeneratave që do të vijnë, i tejkalojnë interesat e ngushta partiake dhe votojnë për Kosovën. Kërkoj që këtë unitet të treguar sot, ta ruajmë edhe për proceset tjera të rëndësishme që na presin”, ka thënë presidenti Thaçi.
I pari i vendit ka thënë se të bashkuar do të jemi më të fuqishëm dhe do të marrim vendime më të guximshme për Kosovën, për të ardhmen tonë.
“Sot i falënderojmë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Ata i sigurojmë se Forca e Sigurisë e Kosovës do të mbetet forcë shumetnike, që do t’i shërbejë çdo qytetari të Kosovës, pa dallim feje a etnie. Dhe do të bëhet faktor i sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, por edhe në rajonin tonë e më gjerë. Partnerëve tanë ndërkombëtarë u themi se mënyra më e mirë për të shprehur mirënjohjen tonë është duke e kthyer vendin tonë në një eksportues të paqes dhe sigurisë”, u shpreh Thaçi.
Presidenti Thaçi ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës është edhe një mënyrë tjetër e jona për t’i thënë faleminderit bashkësisë ndërkombëtare për përkrahjen që na ka dhënë gjithmonë.
“Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të bëhet në bashkëpunim dhe në koordinim me NATO-n dhe partnerët tanë në botë, të cilët dëshirojnë të ndërtohet paqe e qëndrueshme në Kosovë dhe në rajonin tonë”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi në ceremoninë qendrore për transformimin e FSK-së i ka uruar ushtrinë çdo pjesëtari të FSK-së, çdo qytetari të Kosovës, derisa ka shprehur nderimet më të thella për çdo dëshmor që ka dhënë jetën që ne të gëzojmë edhe këtë ditë.
“Sot përmbyllëm një proces të nisur para shumë vitesh. Morëm një hap të rëndësishëm drejt përmbylljes së shtetësisë sonë pasi ushtria është shtyllë e shtetit. Kjo është meritë, para së gjithash e çdo pjesëtari të FSK-së, e punës së tyre, e profesionalizmit të vet. Falë kësaj pune është bërë e mundur që të ecim përpara në zgjerimin e mandatit të FSK-së, që të bëhet ushtri e vërtetë e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit, njëherësh Komandant Suprem, ka thënë se FSK-ja sot nuk është vetëm ushtri, por ajo është kthyer në institucionin më të besueshëm në Kosovë.
“Është bërë institucion që më së miri paraqet vlerat e Kosovës, të shoqërisë sonë. Bashkëjetesa, solidariteti, përkushtimi, profesionalizmi, janë vlerat e FSK-së, por edhe të tërë shoqërisë sonë”, ka thënë Thaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është treguar emocional kur ka përshkruar rrugëtimin e FSK-së në ceremoninë e sotme festive, që është mbajtur për nder të ndryshimit të mandatit të FSK-së.
Ai ka thënë se gjatë karrierës së tij ka mbajtur poste të ndryshme dhe ka kryer detyra të ndryshme.
“Por, ndër ato që më jep më së shumti nder e kënaqësi është të jem Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Presidenti ka thënë se sot shikon drejtë çdo ushtari të FSK-së, pa dallim përkatësie etnike e pa dallim gjinie, duke ditur se ata kanë në zemër Kosovën dhe të mirën tonë dhe të fëmijëve tanë.
“I shikoj, si çdo qytetar i Kosovës, me respekt, me nderim e me krenari. Dhe ju kërkoj që t’i shërbejnë me nder e me përgjegjësi Kosovës sonë, që me aq mund e kemi ndërtuar. Urime ushtarë detyrat e reja. Gëzuar ushtria, Kosovë”, ka thënë Thaçi./arbresh.info/
https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/2173743566210041/
Koreja e Veriut lëshon një raketë balistike ndërkontinentale
Droni i dytë brenda natës në shtëpi, kësaj radhe për Gresën
SHBA: Irani nuk duhet t’i përgjigjet hakmarrjes së Izr...
Qeveria shpalli 3 ditë zie, shkon në 95 numri i viktimave ng...
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Ruben Amorim thuhet se ka identifikuar largimin e parë nga M...