Vizita dyditore e Presidentit të Serbisë, në Kosovë, Aleksandër Vuçiq, nuk ka kaluar pa premtime për investime milionëshe për serbët në Kosovë.
Presidenti serb Vuçiq, në fshatin Leshak më 8 shtator kishte deklaruar se shteti i Serbisë do të vazhdojë me investime milionëshe për qytetarët serb.
Gjithashtu, Vuçiq, kishte lutur bizn
eset nga Serbia të investojnë në “Kosovë e Metohi”.
Njohës të zhvillimit ekonomik, kanë vlerësime të ndryshme për premtimet, për investimet e Serbisë në Kosovë.
Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë për KALLXO.com, se deklaratat e Vuçiqit janë propagandistike dhe se nuk krijojnë asnjë efekt ekonomik.
“Vlera që e ka përmend Vuçiq nuk e krijon asnjë efekt ekonomik, ose vlerë të shtuar në këto ndërmarrje, por më shumë është për qëllime propagandistike”, tha Rukiqi.
Sipas Rukiqit i tërë fjalimi i presidentit serb ishte i konceptuar për t’i kënaqur epshet nacionaliste.
“Në fakt ishte fjalim shqetësues për përpjekjet rajonale për bashkëpunim më të mirë rajonal, para se gjithash në aspektin ekonomik”, tha Rukiqi.
Sipas Rukiqit, marrëveshjet e kaluara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kanë lënë mundësi të funksionimit të një fondi të ndarë për Veriun.
“Çdo investim që rregullohet përmes aranzhmaneve të marrëveshjeve ndërkombëtare në mes Kosovës dhe Serbisë, mund të trajtohet dhe të vlerësohet. Në të kundërtën investimet që kontestojnë, cenojnë dhe sabotojnë pronësinë dhe menaxhimin e aseteve dhe ndërmarrjeve të regjistruara në shtetin e Kosovës, është i pa pranueshëm dhe krijon efekte negative për të ardhmen e këtyre ndërmarrjeve”, shtoi Rukiqi.
Në anën tjetër Naim Gashi, ekspert i ekonomisë, tha për KALLXO.com, se deklaratat e Vuçiq për investime në komunat e banuara me shumicë serbe janë shkelje e sovranitetit dhe ligjeve në fuqi në Kosovë.
“Serbia mund të investojë në komunat me shumicë serbe duke zbatuar legjislacionin e Kosovës në fuqi. Fillimisht propozimi për investime shkon në Ministrinë e Financave, pastaj vendimi shkon në Qeveri e cila duhet t’i kërkoj presidentit që ta autorizojë Ministrinë e Financave për ta nënshkruar marrëveshjen për financim. Kjo marrëveshje hyn në fuqi kur ratifikohet në Kuvend”, tha Gashi.
Sipas tij investimet e Serbisë në Kosovë do të ishin të mirëseardhura nëse do të respektohej rregullativa ligjore në Kosovë dhe sikur të synonin përmirësimin e popullatës së komunitetit serb në Kosovë.
“Në fakt investimet e Serbisë në Kosovë nuk kanë për qëllim përmirësimin e kualitetit të jetës së serbëve. Këto investime kanë për qëllim minimin e shtetit të Kosovës dhe inkurajimin e komunitetit serb që të mos integrohen në institucionet e Kosovës”, tha Gashi.
Këto praktika të Vuçiq sipas Gashit, janë edhe në kundërshtim me Mmrrëveshjet e Brukselit dhe fqinjësinë e mirë. Bashkimi Evropian si ndërmjetësues në negociata ndërmjet dy vendeve sipas Gashit duhet të reagojë kundër këtyre praktikave minuese të fqinjësisë së mirë.
“Nëpërmes këtyre projekteve Serbia po vazhdon financimin e strukturave paralele dhe po shkelë marrëveshjen e Brukselit për shpërbërjen e këtyre strukturave”, përfundoi Gashi.
Ndryshe, Berat Rukiqi, kryetar i OEK, ka thënë se janë duke bërë përpjekje që me iniciativa të ndryshme të ofrojnë shërbime dhe përkrahje për të gjitha bizneset anë e mbanë Kosovës.
Lidhur me deklaratat e Vuçiqit i cili ka premtuar investime milionëshe në Kosovë dhe lidhur me planet konkrete për investime të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, në veri të vendit KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga Ministri Valdrin Lluka, por nuk ka qenë i gatshëm për përgjigje të menjëhershme.
35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku sot bën homazhe...
Mblidhet KQZ për certifikimin e 17 subjekteve tjera politike
Sot diskutohet për transparencën parlamentare
Rama: Nis shpërndarja e mbi 20 mijë librave artistikë për bi...
Nëntë vite më parë Kushtetusja vendosi për Asociacionin
“Ke e diele, nuk u nejke”, arsyetimi qesharak i Gjestit pse ...