Komisioni Komunal i Aksionarëve në Komunën e Prishtinës, dje ka mbajtur mbledhjen në të cilën ka emëruar anëtarët e Bordit të Ndërmarrjes Publike “Prishtina Parking”. Në këtë mbledhje janë emëruar katër anëtarë, të cilët do t’i menaxhojnë parkingjet e kryeqytetit . Por, zgjedhjen e tyre, opozita po e quan të kundërligjshme. E kundër opozitës, po del pozita, e cila po thotë që emërimi i tyre ka ardhur si pasojë e mos plotësimit të kritereve nga kandidatët që kanë aplikuar në dy konkurset e shpallura më parë.
Të gjesh një vend të lirë për ta parkuar veturën në Prishtinë, mund të quhesh njeri me fat. Pasi ka shumë kohë prej kur ndërmarrja publike “Prishtina Parking”, nuk po bën zgjidhje për parkingjet e kryeqytetit. Si pasojë e kësaj, qytetarët detyrohen të parkojnë veturat e tyre vend e pa vend.
Dje në Komunën e Prishtinës, është mbajtur mbledhja për të zgjedhur anëtarët e bordit të “Prishtina Parking”. Anëtarët e emëruar në këtë mbledhje janë: Luljeta Sahiti, Medina Braha, Dhimitër Bilalli dhe Muhamet Krasniqi.
Mirëpo, emërimin e tyre opozita po e quan të kundërligjshme, sepse sipas tyre këta kandidatë nuk janë të kualifikuar madje ata po thonë se do ta dorëzojnë ankesën e tyre edhe në ministritë përkatëse.
Eman Rrahmani, anëtar i Komisionit Komunal të Aksionarëve, njëherësh asamblist i Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës, ka thënë për Express se këta anëtarë të cilët janë zgjedhur nuk plotësojnë kushtet për t’u zgjedhur anëtarë të Bordit.
“Sot janë emëruar anëtarët e Bordit, në mënyrë të jashtëligjshme, sepse ata s’kanë të drejtë të emërohen, por duhet të zgjidhen me konkurs. Pas dy herë që është shpallë konkursi i kanë eliminuar njerëzit me qëllim, që të arrijnë në këtë pikë ku të zgjedhën njerëzit që i kanë “nxjerrë prej çantave”, që s’kemi as dosje të tyre as asgjë, ata as që kanë aplikuar më herët për këto pozita. Në bazë të vendimit kanë me qenë anëtarë të bordit, por këtë vendim ne do ta ankimojmë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik që merret me dikasteret e ndërmarrjes publike”, ka thënë Rrahmani.
Ai tutje ka shtuar se ndërmarrja publike “Prishtina Parking” është paralizuar që nga fillimi i vitit 2018, sepse çështja ne anëtarëve të Bordit ka mundur të zgjidhet qysh nga ajo kohë.
Mirëpo, Drilon Pireva asamblist i PSD’së e po ashtu anëtar i Komisionit Komunal të Aksionerëve, po thotë që emërimi i këtyre anëtarëve është bërë pasi nuk ka pasur kandidatë të cilët i kanë plotësuar kushtet, sipas kritereve të caktuara në konkurs.
“Në mbledhjen e kaluar të Komisionit Komunal të Aksionareve (KKA) të NPL “Parking Prishtina” kemi shqyrtuar dosjet e të gjithë kandidatëve që kanë aplikuar në bordin e drejtorëve në këtë ndërmarrje. Pas shqyrtimit me kujdes, duke u bazuar në kriteret e konkursit, kemi vërejtur se kandidatët nuk i përmbushin kushtet sipas kritereve të kërkuara me ç’rast na është pamundësuar që të vazhdojmë tutje me procedurat për përzgjedhjen e këtyre anëtarëve. Si rrjedhojë, ne, tre anëtaret e KKA-së jemi dakorduar që ky konkurs të anulohet. Duke u ndodhur në këtë situatë, ku për dy herë radhazi anulohet konkursi dhe duke pasur parasysh urgjencën e themelimit të këtij bordi në mënyrë që kjo ndërmarrje të funksionalizohet sa më shpejtë dhe të vazhdojë me përgatitjet tjera, unë propozova që përzgjedhja të bëhet me anë të emërimit të këtyre anëtarëve” ka thënë Pireva.
“Po ashtu propozova që ne, anëtarët e KKA-së, në takimin e radhës t’i sjellim nga tri propozime me kandidatë apo gjithsej nëntë sosh, me ç’rast katër nga ta do të zgjedhen me votë nga KKA duke i respektuar kushtet e përshtatshmërisë profesionale sipas ligjit për ndërmarrjet publike. Ky propozimi u votua dhe mori mbështetjen. Prandaj, çdo pretendim që kinse propozimi është i jashtëligjshëm nuk qëndron. Dhe në fund, dua ta ri përsëris atë që e kam deklaruar edhe ne takimet e Komisionit Komunal të Aksionareve se në bordin e drejtoreve të NPL “Prishtina Parking” nuk do ta mbështes me votën time asnjë person i cili është pjesë e ndonjë subjekti politik dhe për këtë mbaj përgjegjësi publike” ka shtuar ai.
Ndërkaq, edhe Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri ka thënë se vendimi për zgjedhjen e këtyre anëtarëve të Bordit ka ardhur pas anulimit të konkursit të dytë me radhë, e kjo është bërë për t’u funksionalizuar ndërmarrja që do t’i menaxhojë parkingjet e kryeqytetit. Sipas tij, këta anëtarë të emëruar do të jenë të përkohshëm, deri në konkursin e radhës./GazetaExpress/
Çmimet e barnave të unifikuara nga 1 janari, Kurti: Edhe një...
Sali Berisha i bashkohet protestës së opozitës në Tiranë: Nu...
Shkëlqeu ndaj ish-skuadrës së tij, Hot “MVP” i javës
Vëllaznimi rikthen Myreon Jones
Ushtarët e KFOR-it kryejnë stërvitje të përbashkët evakuimi
Nis protesta e opozitës në Shqipëri, bllokohen disa rrugë në...