Google ADS

Policia vë në pranga tre persona të dyshuar, dy prej tyre për “Keqpërdorim të Pozitës apo Autoritetit Zyrtar” dhe një për “Punime ndërtimore të kundërligjshme”

20:29 | 11 Prill 2019
Arbresh.info

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore sot më 11.04.2019, ka bërë arrestimin personit të dyshuar mashkull/shqiptar/kosovar me inicialet (A.P) dhe të dyshuarën femër/shqiptare/kosovare me iniciale (A.S.), në Komunën e Fushë Kosovës dhe të dyshuarin mashkull/shqiptar/kosovar me iniciale (M.V.) pronar i një kompanie.

Të dyshuarit (A.P.) dhe (A.S.) në cilësinë e personave zyrtar duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tyre zyrtare kanë lëshuar lejen ndërtimore për investitorin (1), për ndërtimin e objektit shumë banesorë me afarizëm në Rr. ”Nënë Tereza”– Fushë Kosovë si dhe lejen ndërtimore për investitorin tjetër (2), duke mos i përfillur procedurat e parapara sipas Ligjit të ndërtimit dhe në kundërshtim me Udhëzimet Administrative.

Në rastin e lejes ndërtimore për kompaninë (1), veprimi i të dyshuarave ka shkaktuar dëm për banorët e dy objekteve ekzistuese duke mos respektuar distancën e ndërtimit.

I dyshuari (M.V.) në cilësinë e pronarit të kompanisë (1), dhe ndërtuesit të objektit në rrugën Nënë Tereza në Fushë Kosovë edhe pse ishte pajisur me leje ndërtimi nga të dyshuarit në kundërshtim me Ligjin e Ndërtimit dhe udhëzimet administrative, i njëjti nuk ju ka përmbajtur as kësaj leje ndërtimi duke bërë tejkalime të lejes gjatë ndërtimit të objektit si dhe nuk ka përfillur urdhëresat e Inspektoratit të Ndërtimit për ndërprerjen e punimeve të kundërligjshme.

Të dyshuarit me iniciale (A.P.) dhe (A.S.) me veprimet e tyre dyshohet se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar” nga neni 422, ndërsa i dyshuari me iniciale (M.V.) dyshohet se ka kryer veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” nga neni 368, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pas intervistimit personat e dyshuar me aktvendim të prokurorit kompetent dërgohen në ndalim për 48 orë për procedura të mëtejme./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme