Në Gjykatën e Prizrenit është mbajtur seanca e rigjykimit të 4 policëve të trafikut të akuzuar për marrje ryshfeti nga shoferët kundërvajtës.
Meqenëse tre zyrtarët policorë Driton Bajrami, Neshat Avdaj dhe Myzafer Sylejmani kishin pranuar fajësinë për veprën penale të marrjes së ryshfetit, çështja e kthyer në rigjykim vazhdoi me shqyrtimin dhe leximin e provave vetëm për të akuzuarin Binak Bytyçi, i cili njëkohësisht dha edhe mbrojtjen e tij.
Në këtë seancë fillimisht u shikuan pamjet në CD, për të cilat Prokuroria pretendon se dëshmojnë se të akuzuarit kishin kryer veprën penale.
Pamje të këtilla ekskluzivisht janë shfaqur në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.
Mbrojtësi i të akuzuarit Binak Bytyçi, avokati Rexhep Hasani, kishte vërejtje ndaj videove të shfaqura pasi që, sipas tij, nuk janë të qarta dhe se pamja nuk është e mirë dhe se nuk mund të vërehet se kush i merr paratë dhe se nga kush merren paratë.
I akuzuari Binak Bytyçi i paraqiti vërejtjet e tij lidhur me provat dhe orarin ditor të datës 3 dhe 4 tetor, datat kur akuzohet se ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai deklaroi se nuk janë dokumente origjinale, se ato janë të përmirësuara.
Në vazhdim të seancës, duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të tij, i pandehuri Binak Bytyçi tha se nuk është i sigurt nëse në datat 3 dhe 4 tetor 2016 ka qenë në punë.
Edhe pyetjes së prokurorit i akuzuari iu përgjigj njëjtë, se nuk i kujtohet nëse ka qenë në punë në këto dy data.
Në përfundim të seancës, trupi gjykues i përbërë nga kryetarja Ajser Skenderi, dhe Luan Berisha dhe Kymete Kicaj anëtarë, pasi që nuk kishte më propozime të tjera për prova, caktuan datën 6 dhjetor për seancën e radhës, ku palët do t’i japin fjalët përfundimtare si dhe do të caktohet dita për shpalljen e vendimit të trupit gjykues.
Në nëntor të vitit 2017, Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore Prizren, kishte shpallur aktgjykimin dënues për zyrtarët policorë, Driton Bajrami, Neshat Avdaj dhe Myzafer Sylejmani, ndërsa ndaj zyrtarit policor Binak Bytyçi Gjykata kishte marrë aktgjykim lirues në mungesë të provave.
Rasti i është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit në fillim të vitit 2018.
Prokuroria Themelore e Prizrenit i ngarkonte të akuzuarit se gjatë periudhës gusht-nëntor 2016, duke vepruar si policë trafiku, drejtpërdrejt kanë kërkuar dhe marrë ryshfet në të holla.
Të akuzuarit ngarkoheshin se këto para i kanë marrë nga shkelësit e rregullave të trafikut, në shuma të ndryshme, duke filluar prej 10 e deri në 100 euro, në mënyrë që të mos u shqiptojnë gjobat kundërvajtëse./kallxo.com/
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...