Projektligji për dialogun ende nuk ka kaluar në lexim të dytë, dhe për këtë shkak platforma për dialogun me Serbinë nuk do të duhej të miratohej pa u miratuar së pari në lexim të dytë ky projektligj.
Këtë e kanë theksuar deputetë nga opozita dhe organizata joqeveritare.
Eugen Cakolli nga KDI në një prononcim për portalin arbresh.info ka thënë se këto dy procese janë të lidhura njëri me tjetrin dhe se sipas tij do të duhej që fillimisht të miratohej ligji për dialogun.
“Në parim proceduralisht do të duhej të miratohej ligji për dialogun në mënyrë që të aktivizohet neni 9, i cili parasheh që delegacioni shtetëror mund ta dërgoj platformën në Kuvend. Duke qenë se deri më tani kemi të bëjmë me një grup i cili është miratuar me një rezolutë, por që si e tillë nuk ka asnjë efekt detyrues ligjor . Mos votimi i djeshëm i platformës në Komisionin për Punë të Jashtme, vlerësoj se ka qenë një hap i cili ka treguar që nevojitet të miratohet në lexim të dytë në seancë plenare Ligji për dialogun dhe pastaj të trajtohet nga ana e komisionit”, ka thënë ai.
Cakolli ka theksuar se nuk duhet të votohet në asnjë mënyrë platforma pa u miratuar Ligji për dialogun.
“Mos votimi i djeshëm ka pamundësuar dërgimin e platformës në kryesi e pastaj në seancë, andaj vlerësoj që do të nevojitet edhe një votim i ri për çështjen e platformës në mënyrë që kjo e fundit pastaj tu dërgohet deputetëve për shqyrtim. Por kjo nuk duhet të bëhet në asnjë variant pa miratimin e Ligjit për dialogun që paraqet elementin bazik ligjor për të proceduar më tutje me temat në fjalë”, ka theksuar ai.
Njohësi i çështjeve politike në vend, Ramush Tahiri në një prononcim për portalin arbresh.info tha së është vetëm çështje procedurale nëse miratohet platforma e para apo dialogu.
“Nuk është fare e rëndësishme cila miratohet e para në Kuvend , e rëndësishme është që miratohen. Për mendimin tim këto dyja është dashur të jenë interne jo publike. Sepse publike e kemi ligjet dhe Kushtetutën. Me ligj nuk është dashur të rregullohet çështja e delegacionit, sepse nuk parashihet dhe nuk është as kushtetuese as ligjore, por ata e kanë miratuar dhe nuk është e dëmshme. Por, zakonisht shteti i miraton me ligj këto delegacionet ad hoc që i rregullon”, ka thënë ai.
Sipas Tahirit edhe platforma edhe projektligji për dialogun duhet të kalojnë.
“Mendoj se këto dyja duhet kaluar pasi janë të rëndësishme, sepse marrëveshja që e bëjnë këta kalon me dy të tretat. Mendimi im është që duhet me kalu me dy të tretat edhe ligji edhe platforma. Ndërsa për këtë nuk kanë vota, pra është një legjitimitet i brishtë”, ka theksuar ai.
Në Komisionin për Punë të Jashtme, për shkak të mungesës së kuorumit nuk ka kaluar platforma për dialogun. Nga kryetarja e këtij komisioni, Vjosa Osmani u tha se kjo platformë nuk mund të kaloj pasi që sipas saj së pari duhet të kaloj në lexim të dytë projektligji për dialogun.
“Vetë delegacioni shtetëror është pajtuar që të ketë mandat me ligj. Ju keni vendosur dhe respektojeni ligjin që e keni shkruar vet. Për shkak të nenit të 9 në ligjin për dialogun ku thotë se ekipi shtetërorë e prodhon platformën, andaj ligji për dialogun akoma nuk është në fuqi. Kështu që nuk mund ta miratojmë platformën pa u miratuar ligji”, ka thënë ajo.
Në një seancë maratonike, me 61 vota ‘për’, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, në fillim të këtij muaji, është miratuar në shqyrtim të parë Projektligji për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Kosovës në dialogun me Serbinë./V.Berisha/arbresh.info
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...