Pezullohet nga puna zyrtari i ministrisë së Diasporës i arrestuar për ryshfet

17:15 | 8 Nëntor 2018
Arbresh.info

Një zyrtar i ministrisë së Diasporës është arrestuar sot nga Policia e Kosovës i dyshuar për veprën penale “marrje ryshfeti” dhe “përvetësim në detyrë”.

Menjëherë pas marrjes së këtij lajmi, ministria e Diasporës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka kërkuar sqarim zyrtar nga policia e Kosovës nëse bëhet fjalë për punonjësin P.M.

“Me datën 08.11.2018 , duke marrë për bazë sistemin e vijueshmërisë në punë të hyrje daljeve dhe shkrimeve të mediave elektronike në lidhje me arrestimin e dy personave të dyshuar për veprat penale “marrje ryshfeti”, dhënie ryshfeti dhe përvetësim në detyrë ka kërkuar sqarim zyrtar nga policia e Kosovës nëse i arrestuar është për punonjësin e saj P.M. , zyrtar në MDIS”, thuhet në komunikatë.

Si rezultat i informatës së dërguar nga policia e Kosovës ku thuhet se bëhet fjalë pikërisht për të dyshuarin P.M., zyrtar në Ministrinë e Diasporës, është informuar Ministri i Diasporës dhe investimeve Strategjike, dhe ka kërkuar nga Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë që të marrë masat e nevojshme konform legjislacionit në fuqi.

I njëjti është pezulluar nga puna nga Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Diasporës.

“Sekretarja e Përgjithshme e MDIS, bazuar në ligjet e aplkueshme ka marrë vendimin e menjëhershëm për pezullimin parandalues të zyrtarit P.M. nga detyrat si zyrtar në MDIS deri në vendimin përfundimtar të organeve”, përfundohet në njoftim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme