Pesë ankesa për zgjedhjet në veri, PZAP do i shqyrtojë brenda 72 orësh

14:32 | 20 Maj 2019
V. S.

Pesë ankesa që lidhen me procesin e zgjedhjeve në komunat në veri të Kosovës ka pranuar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Tri prej tyre janë parashtruar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe kanë të bëjnë me fushatën e partive politike për këto zgjedhje, ndërsa dy me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor e që janë parashtruar nga BIRN.

Këtë e ka bërë të ditur për Indeksonline, Mul Desku, kryesues i sekretariatit të PZAP.

Ai tha se këto ankesa do të shqyrtohen brenda 72 orësh.

“Kemi pranuar gjithsej pesë ankesa. Tri prej tyre kanë të bëjnë me fushatën dhe janë bërë nga KDI ndërsa dy të tjerat për procesin zgjedhor dhe janë bërë nga BIRN”, tha Desku.

Zgjedhjet e mbajtur në katër komunat në veri të vendit janë zhvilluar pa ndonjë incident, ndërsa në të katër komunat kanë fituar kandidatët e Listës serbe.

Tre nga ta janë kryetarët që dhanë dorëheqje nga posti i të parit të komunës, pas vendosjes së taksës 100% ndaj produkteve serbe.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme