Përmbyllet me sukses “Java e Minatorëve”

16:57 | 28 Shkurt 2019
Arbresh.info

Në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë lumit Ibër, është mbajtur tubimi përmbyllës i aktiviteteve të “Javës së Minatorëve” me rastin e 30 vjetorit të grevës së tyre.

Në këtë aktivitet morën pjesë kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka, zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Gjergj Beka, zëvendësministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Rrustem Musa, kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku, ish drejtori i Trepçës, njëherësh edhe organizator kryesor i grevës së minatorëve, Burhan Kavaja, minatorë, familjarë dhe qytetarë të shumtë.

Me këtë rast kryetari i komunës, Agim Bahtiri, tha se organizimi i protestave dhe i grevave në atë kohë ishte shumë i vështirë dhe i rrezikshëm, pasi që UDB-ja, kishte informatorët e vetë kudo.

“Mirëpo, minatorët falë sakrificës dhe përkushtimit të tyre arritën të sensibilizojnë çështjen e Kosovës dhe shqiptarëve në tërë botën. Marshet dhe grevat e tyre patën jehonë të madhe në tërë botën. Slogani i tyre “të gjithë për një dhe një për të gjithë”, që aso kohe funksioni me shumë sukses është i nevojshëm edhe sot që të mbrojmë Trepçën, të mbrojmë Mitrovicën dhe Kosovën që të mos ndahen”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

Ndërsa kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku, e vlerësoi si shumë të suksesshëm javën e minatorëve ku tha se janë zhvilluar një sërë aktivitetesh të ndryshme kulturore dhe sportive tjera si dhe falënderoi edhe kryetarin Bahtiri për rregullimin e pllakës përkujtimore të minatorëve.

Drejtori i Minierës së Trepçës në kohën e grevës, e që është organizatori kryesor i saj, Burhan Kavaja, fillimisht falënderoi kryetarin e komunës, Agim Bahtiri, për kujdesin që po tregon ndaj minatorëve grevistë dhe më pastaj shtoi se minatorët nuk kursyen asgjë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve, institucionet e Kosovës dhe Trepçën nga okupatori serb i cili në mënyrë të pamëshirshme po i shkatërronte të gjitha.

Pastaj kryetari Bahtiri së bashku me të pranishmit kanë vazhduar në sheshin e qytetit, ku është zbuluar edhe pllaka përkujtimore “Epopeja e Trepçës” me emrat e minatorëve grevistë, të cilët me këngë e valle e përmbyllën suksesshëm “Javën e Minatorëve”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme