Google ADS

Përleshje e ashpër mes policisë dhe hajnave në Fushë-Kosovë, përdoren armë e sakica

12:37 | 27 Maj 2019
Arbresh.info

Një vjedhje në një lokal në Fushë-Kosovë gjatë mesnatës së të hënës është parandaluar nga ana e zyrtarëve të Policisë së Kosovës. Këta të fundit kishin marrë informacion se rreth orës 02:30, ishte duke u kryer një vjedhje në një lokal, në rrugën e Pejës në Fushë-Kosovë, transmeton Express.

Në vendin e ngjarjes policia ka hasur në flagrancë dy persona të dyshuar, të cilët ishin futur në lokal dhe po kryenin një vjedhje.

Ata, sipas policisë, për t’iu shmangur arrestit, kanë filluar të sulmojnë zyrtarët policorë me mjete të rrezikshme (sëpatë dhe çekan). Për t’u vetëmbrojtur njëri nga zyrtarët policorë ka shtënë në njërin nga personat që po kryenin vjedhjen.

“Duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarve përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë, të rrezikshëm për jetën e tyre, edhe pse fillimisht zyrtarët policorë kanë përdorur taktika dhe metoda për t’iu shmangur rrezikut, njëri nga zyrtarët policorë është detyruar që në vetëmbrojtje, të përdorë armën zyrtare, me qëllim të neutralizimit të veprimeve të tilla të rrezikshme të të dyshuarve, si dhe për t’i vënë të njëjtit nën kontroll”, thuhet në njoftimin e policisë.

Nga ky institucion deklarojnë se në këtë rast lëndime trupore nga arma e zjarrit ka marrë i dyshuari A. M., mashkull, 25 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.

“Të njëjtit fillimisht, nga policët, i është dhënë ndihma e parë në vendngjarje dhe pastaj është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërkohë që i dyshuari tjetër i njohur për policinë ka arrit, që të largohet nga vendi i ngjarjes”, sqaron policia.

Aktualisht nga policia në bashkëpunim me organet e drejtësisë, po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme policore rreth këtij rasti, njëkohësisht është zgjeruar rrethi i hetimit edhe për disa raste të tjera për të cilat ekziston dyshimi i arsyeshëm se personat e njëjtë mund të jenë të implikuar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme