Diskutimi për efiçiencë të energjisë dhe kogjenerim është pjesë e fushatës për mbrojtje të mjedisit, e organizuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe e implementuar nga Zyra informative dhe kulturore e BE-së.
Temë e diskutimit të panelistëve ishte shpjegimi i kogjenerimit dhe i ndikimit të tij në mjedis.
Në këtë diskutim u tha se kogjenerimi ndikon në zvogëlimin e ndotjes së ajrit dhe të ndotjes së mjedisit të Kosovës në përgjithësi.
Rene Eschemann, kryetari i Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), tha se nga kogjenerimi përfitimet janë të shumta si në aspektin financiar ashtu edhe në mbrojtjen e mjedisit.
Eschemann tha se ky projekt ka qenë i viteve të ‘80-ta, por që nuk ka mundur të jetësohet për shkak të mungesës së fondeve.
“Kogjenerimi ka përfitime të shumta. Ky projekt ka ndikim financiar. Popullata e ka shijuar këtë projekt, e ka mirëpritur pagesën e faturave dhe mbledhjen e borxheve. Zbatimi i këtij projekti ka qenë shumë sfidues sepse ka qenë projekt i viteve ‘80, por për shkak të mungesës së fondeve nuk ka funksionuar. Ne do të mundohemi edhe më shumë që të kyqim sa më shumë njerëz në rrjetin e ngrohjes, ne do të mundohemi që të funksionojë edhe ngrohja solare dhe të përdorim atë në dimër”, tha Eschemann.
Shefi ekzekutiv i termocentralit “Kosova B”, Luigj Imeri tha në konferencë se ky projekt ka qenë ndër më të suksesshmit.
Ai po ashtu tha se janë duke bashkëpunuar me BE-në për ndërrimin e filtrave të termocentralit “Kosova B”.
“Projekti i kogjenerimit është një ndër projektet më të suksesshme që lidhet direkt me termocentralin. Unë ju inkurajoj që të vazhdoni me zgjerimin e rrjetit, është një zinxhir i lidhur që ka ndikimet e veta. Ne nuk kemi nevojë që energjinë termike ta fusim në shtëpitë tona si energji elektrike. Kapacitetet tona janë të gatshme të ofrojnë gjithçka që kanë kërkuar distributorët, në këtë rast “Termokos”. Ne po bashkëpunojmë me Bashkimin Europian për ndërrimin e filtrave të “Kosovës B”. Ne po mendojmë që të kemi edhe energjinë solare”, tha Imeri.
Kurse Naser Canolli, shef ekzekutiv i “Termokos”-it, tha se përfitimet nga kogjenerimi i burimeve të energjisë janë të shumta.
Canolli gjithashtu shtoi se janë duke u munduar ta shtrijnë rrjetin e ngrohjes edhe në shumë lagje të qytetit.
“Kogjenerimi ka qenë një projekt i financuar nga shumë donatorë, ka qenë një projekt i mirë menduar. Benefitet janë të shumta që i ka përfituar Prishtina, për 180 ditë për 24 orë. Kjo ka ndikuar shumë që Prishtina mos të ketë ndotje të ajrit, ka ndikuar shumë në kursimin e mjeteve materiale, me rezervat e mazutit ne mund të kemi ngrohje për dy javë nëse kemi ndonjëherë mosfurnizim nga KEK-u, rehabilitimin e rrjetit, zëvendësimi i gypave, shpërndarjen e rrjetit, me projektin e MCC do të ndryshojë kostoja, me vendosjen e matësve në mënyrë që qytetarët të mos paguajnë për metër katror por për aq sa shpenzojnë”, deklaroi Canolli.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se sëmundjet respiratore e tregojnë më së miri koston jomateriale që qytetarët e paguajmë ndaj ndotjes së ajrit.
“KEK-un nuk mund ta lëvizim por mund të intervenojmë ne filtrat dhe mos të vijë ajri i ndotur. Numri i makinave po ashtu. e nuk mund ta zvogëlojmë numrin e makinave por mund të punojmë me politika të ndryshme. Unë e kam kundërshtuar vendimin e komisionit parlamentar për importin e veturave më të vjetra se 10 e 15 vite e që u përcoll me polemika. E kemi edhe ngrohjen alternative. Ngrohja me qymyr përdoret më së shumti në bashkësitë familjare, sepse rryma shumë e shtrenjtë dhe nuk kemi ngrohje qendrore”, tha Ahmeti.
Shpend Ahmeti tha se qytetarët e kanë mirëpritur ngrohjen me kogjenerim sepse deri tash janë ngrohur vetëm katër orë në ditë, kurse tashmë për 24 orë ata kanë ngrohje me vetëm 78 centë për metër katror të ndërtesave kolektive të banimit.
“Kanë me pagu 78 centë për metër katror dhe ne do të sigurohemi që të kyqim sa më shumë njerëz në mënyrë të barabartë. Prishtina brenda dhjetë viteve nuk do ta ketë çështjen e ndotjes që e ka sot”, shtoi Ahmeti./kallxo.com/
Trajneri i Empolit i frikësohet një largimi të mundshëm të I...
Lëshohet në qarkullim pulla postare që lufton dhunën kundër ...
Osmani: Derisa çdo grua të jetë e lirë nga dhuna, asnjëra ng...
Barku i madh shkakton osteoporozën edhe tek meshkujt
Njëqind vjet më parë u ndërtua autostrada e parë në botë, a ...
Apple do ta mbajë kamerën telefoto periskop ekskluzivisht pë...