Google ADS

Pensionet me rritje nga janari

18:01 | 26 Tetor 2018
Arbresh.info

Pensionistëve në Kosovë do t’u rriten pensionet. Duke filluar nga janari i 2019’ës, ata do të mund t’i marrin pensionet me rritje.

Në Ministrinë e Financave i kanë thënë se rritje do të kenë pensionet kontribut dhënëse me 15 për qind, si dhe pensionet bazike me 20 për qind.

Por, se sa do t’i kushtojë rritja e pensioneve buxhetit të shtetit, këtë duket se nuk po e dinë as në këtë ministri, ose së paku nuk po e dhënë një informacion të tillë. Ndërkohë, që rritje të pensioneve pritet të përfitojnë rreth 150 mijë të moshuar nga i gjithë vendi.

Që nga janari i 2019’ës, të moshuarit do tu ofrohen me më shumë gëzim bankomateve nëpër gjithë vendin. Gjithë kjo pasi që nga ky muaj, ata do të mund t’i marrin pensionet me rritje.

Rritje të pensioneve pritet të përfitojnë më shumë se 150 mijë të moshuar nga i gjithë vendi. Aq është numri i të moshuarve që përfitojnë pensione aktualisht në Kosovë.

Kështu ka marrë vendim Ministria e Financave, që udhëhiqet nga Bedri Hamza.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini i ka thënë Gazetës Express se rritje do të ketë për pensionet bazike dhe ato kontributdhënëse.

Shahini thotë se pensionet me rritje do të ndahen nga janari i vitit të ardhshëm.

“Rritje do të kenë pensionet kontribut dhënëse me 15 për qind si dhe pensionet bazike 20 për qind. Pensionet me rritje do te merren duke filluar nga muaji janar 2019”, ka thënë Shahini, shkruan gazetaexpress.

Por, se sa do t’i kushtojë rritja e pensioneve buxhetit të shtetit, këtë duket se nuk po e dinë as në Ministrinë e Financave. Së paku nuk po e dhënë një informacion të tillë.

E nga njohësit e ekonomisë, paralajmërimi për rritje të pensioneve po konsiderohet si diçka i mirë.

Njohësi i ekonomisë, Naim Gashi ka thënë se rritja e pensioneve është një lajm i mirë dhe se nuk do të ketë asnjë konsekuencë për buxhetin e Kosovës.

Gashi ka thënë se buxheti i shtetit rrezikohet nga skemat e tjera sociale, duke aluduar kështu për pensionet e veteranëve.

Deklaron se të moshuarit janë persona që kanë nevoja dhe nuk kanë mundësi për të siguruar të ardhura të tjera.

“Buxheti i Kosovës rrezikohet nga skemat tjera sociale, për të cilat ka vërejtje edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndërsa kur jemi te pensionet, këta janë persona që kanë nevoja dhe pamundësi për të siguruar të ardhura”, ka thënë Gashi.

Ndërkohë, bazuar në gjendjen e muajit dhjetor të vitit të kaluar, numri i përfituesve nga skema e pensioneve bazike të moshës ishte 122 mijë e 716 të moshuar. Ndërsa, përfitues të pensioneve kontribut dhënëse ishin mbi 43 mijë persona.

Për pensionet e gjithë këtyre të moshuarve, shteti më i varfër në rajon kishte shpenzuar mbi 15 milionë euro. Shumica e përfituesve ishin nga Prishtina, Prizreni e Gjilani.

Vetëm nga këto tri komuna, numri i përfituesve të pensioneve arrin në rreth 30 mijë.

Ndryshe, në tërë vendin, vetëm në vitin 2017, pensione nga buxheti i shtetit kanë marrë 269 mijë e 401 persona, shifër kjo që i përfshin të gjithë përfituesit e pensioneve, pa marrë parasysh kategorinë.

Për të gjithë këta janë shpenzuar nga buxheti 370 milionë euro.

Së paku kështu thuhet në raportin “Statistikat e Mirëqenies Sociale 2017”, që ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Në bazë të këtij raporti, kategoria e personave që ka më së shumti përfitues e për të cilën shpenzohen më së shumti para është ajo e pensioneve bazike të moshës, pasuar nga ajo e pensioneve kontributpaguese të moshës dhe kategoria për pensionet e veteranëve.

Vetëm në këto tri kategori të pensioneve, janë përfitues 202 mijë e 48 persona.

E më së paku përfitues ka nga pensionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK) dhe Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK). 1 mijë e 289 persona marrin pensione për këto kategori.

Të tjerët janë persona me aftësi të kufizuara, pensionist të Trepçës, Skema e të verbërve, Pensionet e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, Skema e ndihmës sociale dhe Skema për përkrahje financiare familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme