“PDK-ja s’ka vija të kuqe për koalicione, por është e interesuar të shkojë e vetme në zgjedhje”

00:11 | 13 Gusht 2019
Trina Galanxhi

Deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, ka thënë se deputetët e partisë së saj e kanë nënshkruar dokumentin për thirrjen e seancës për shpërndarje të Kuvendit më 22 gusht.

“Është hera e tretë që unë e përmbylli mandatin e deputetes para kohe. Pa dëshirën tonë është dashur ta përmbyllim punën. Thirrja e seancës ka ardhur me ftesë të kryetarit të partisë sonë. Unë s’e kam pritur largimin e Haradinajt në këtë mënyrë. Ka qenë e befasishme. Vota e deputetëve të PDK-së e ka sjellë Haradinajn në krye të qeverisë, të cilën s’ka mundur ta arrijë me 7 deputetë. Kjo formë e largimit ka lënë shumë ligje në pritje, shumë agjencione pa kuorum. Do t’i vuajmë shumë pasojat e këtij vendimi. E ka pasur për obligim që të diskutojë me deputetët që po largohet”, deklaroi deputetja Izmaku.

Ajo tha se edhe deputetët e AAK-së kanë qenë të befasuar me vendimin e Haradinajt për dorëheqje.

“Ne do të votojmë për shpërndarje të Kuvendit. Është marrë vendimi në Këshillin Drejtues të PDK-së. Sepse, kryetari ynë, Veseli, nuk deshi të kalohet në një marrëdhënie të re, krijimin e institucioneve të reja, pa pasur legjitimitet të ri. Së paku PDK-ja s’ka pse t’i frikësohet zgjedhjeve. As që është diskutuar para deputetëve tanë mandatari i ri për kryeministër. Do të kemi një kryeministër që s’do t’i ik proceseve. Kandidat për kryeministër do të jetë Kadri Veseli dhe besoj se do t’ia dalim”, deklaroi Izmaku.

“Kryetari Veseli e ka përmbyllur debatin për sa i përket krijimit të një mandatari të ri. Ka pasur ftesa nga parti më të vogla për një mandatar të ri. Por, Veseli s’e ka pranuar. PDK-ja s’do ta shfrytëzojë këtë mundësi”, u shpreh ajo.

Izmaku tha se PDK-ja është e gatshme të hyjë në zgjedhje duke theksuar se janë krijuar edhe shtabet zgjedhore.

“PDK-ja kësaj radhe do të kërkojë votën për kryeministrin tonë. Dy mandate kemi kërkuar votë nga elektorati ynë për kryeministra tjerë. Por, tani besojmë fuqishëm se s’do ta kemi problem të dalim të parët. Të krijohet një qeveri stabile që i çon proceset deri në fund”, deklaroi deputetja e PDK-së.

Xhevahire Izmaku tha se partia që ajo përfaqëson nuk ka nisur ende diskutimet për çështjen e koalicioneve parazgjedhore, duke bërë me dije se PDK-ja është e interesuar të shkojë e vetme në këto zgjedhje.

“Ende s’ka diskutime për koalicione dhe ka disponim të përgjithshëm që të shkohet vet. Edhe Veseli ka thënë se më s’e japim postin e kryeministrit me qira. PDK do të dalë fituese në këto zgjedhje, e pastaj do ta shohim për koalicione. Do të kemi aleatë pas zgjedhjeve”, theksoi Izmaku.

“PDK, siç ka thënë Veseli, s’vendos vija të kuqe për partnerët shqiptarë, por edhe për partitë e pakicave”.

Duke folur për sondazhet, ajo tha se PDK-ja s’ndalet së punuari që të dalë partia e parë, pavarësisht se ku e vendosin sondazhet. Asnjë prej sondazheve për neve s’ka relevancë. Jemi shumë mirë të shtrirë në terren. Në sondazhet e fundit, ne jemi 3 për qind para LDK-së. Të gjitha sondazhet kredibile na vendosin afër LDK-së. Rezultati i fundit PDK-në e çon 3 për qind përpara”, u shpreh deputetja e PDK-së në Interaktiv të KTV-së.

Ajo tha se personalisht nuk do të dalë të kërkojë votë për kandidat tjetër për kryeministër përpos për Veselin, duke mohuar se do t’ia lënë ndonjë partie tjetër këtë post pas zgjedhjeve.

Deputetja e PDK-së tha se vendi ka nevojë që ta ketë PDK-në edhe për një mandat në krye të qeverisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme