Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) duket se po kërkon për një partner tjetër koalicioni në Kuvendin Komunal të Prishtinës, thonë asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët udhëheqin Komunën bashkë me socialdemokratët.
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Egzon Azemi, tha se Partia Socialdemokrate ka kohë që është në koalicion jozyrtar me PDK-në, me ç’rast e akuzon kryetarin e Komunës Shpend Ahmetin se po vepron ashtu siç po urdhërohet nga zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike.
“PSD-ja është në koalicion me PDK-në veçse ende nuk është bërë zyrtare një gjë e tillë, por edhe nëse zyrtarizohet ose jo, kjo tashmë ka ndodhur me votimet e vazhdueshme në Kuvendin Komunal, që janë bërë me direktiva dhe me urdhra të zyrtarëve të lartë të PDK-së”, theksoi Egzon Azemi për gazetën “Zëri”.
Azemi ka shtuar se nuk është për t’u habitur nëse koalicioni PSD – PDK zyrtarizohet, duke shtuar se Shpend Ahmeti është i detyruar nga PDK-ja dhe nga AAK-ja të bëjë një gjë të tillë.
“Me gjasë Shpend Ahmeti i ka ndarë rrugët, tash për të më e mirë është PDK-ja sesa Vetëvendosja dhe nuk është për t’u habitur nëse zyrtarizohet. Bashkëpunimi me PDK-në nuk është çështje inatesh, është çështje detyrimesh sepse Shpendi është një kryetar i kapur nga PDK-ja dhe nga AAK-ja”, ka thënë Azemi.
Nushi: S’ka asgjë zyrtare
Por asamblisti nga radhët e Partisë Socialdemokrate në Komunën e Prishtinës, Nol Nushi, ka thënë për gazetën “Zëri” se ende nuk ka asgjë zyrtare në lidhje me koalicionin PSD – PDK dhe se nuk e di edhe nëse ka nevojë për një koalicion të tillë. “Nuk ka asgjë zyrtare për koalicion me PDK-në dhe deri më tash nuk ka as nevojë e as arsye për një koalicion të tillë”, ka thënë asamblisti Nushi.
Shala: Aktualisht s’kemi koalicion, por të ardhmes s’i dihet
Se nuk ka koalicion mes PDK-së dhe PSD-së e konfirmoi edhe asamblisti i PDK-së në Kuvendin e Prishtinës, Migjen Shala, i cili për gazetën “Zëri” tha se aktualisht nuk janë duke biseduar për ndonjë koalicion të mundshëm, por Shala nuk e mohoi se mund të ndodhë një gjë e tillë në të ardhmen. “Tani për tani koalicion nuk kemi, por të ardhmes nuk i dihet” tha Migjen Shala për “Zërin”.
Ka tetë muaj që Shpend Ahmeti e kishte lënë Vetëvendosjen për Partinë Socialdemokrate dhe pavarësisht që i kishte ofruar kërkesë për koalicion në Komunë ish-partisë së tij ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje bashkëpunimi mes tyre. Kryetari aktual i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, të dyja mandatet në krye të Prishtinës i kishte marrë si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, por ndryshe nga hera e parë Ahmeti vazhdon ta udhëheqë mandatin e dytë ndonëse vetë i takon një partie tjetër.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...