Qeveria e Malit të Zi i miratoi ndryshimet në Ligjin për Simbolet Shtetërore dhe Ditën e Shtetësisë së Malit të Zi, të cilat përfshijnë gjobë prej 300 deri në 2,000 euro për ata që nuk ngrihen në këmbë kur këndohet “Oh, agim i ndritshëm i Malit të Zi”.
Në një vend ku paga mesatare mujore është rreth 500 euro, një gjobë e tillë duhet të jetë një stimul i madh.
“Në këtë mënyrë, Mali i Zi, ashtu si çdo vend tjetër, shpreh respektin e tij për karakterin e shtetit dhe identitetin e tij”, tha ministri i Kulturës, Aleksandar Bogdanoviq.
Ndryshimet në ligj tani kalojnë në parlament, ku me gjasë do të miratohen, marrë parasysh mbështetjen midis ligjvënësve të partisë në pushtet.
Masat sigurisht që pritet të nxisin polemika midis serbëve etnikë të Malit të Zi, të cilët përbëjnë gati një të tretën e popullsisë dhe disa prej tyre refuzojnë të njohin himnin, i cili është miratuar në vitin 2004.
Teksti i himnit kombëtar, që më herët ka qenë këngë e njohur popullore, përmban personifikime të ndryshme që datojnë në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të.
Versioni aktual është riformuar nga Sekula Drleviq, themelues i lëvizjes së pavarësisë së Malit të Zi dhe një bashkëpunëtor me pushtimin italian gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Por, versioni aktual nuk përfshin referenca ndaj malazezëve me prejardhje serbe, duke nxitur partitë opozitare, kryesisht pro-serbe, të refuzojnë të ngrihen për himnin në parlament, transmeton rel.
Ish-presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq i cili thotë se është malazez me prejardhje serbe, është ngritur gjithmonë ngadalë kur është kënduar himni dhe njëherë ka thënë se ai e dëgjon atë për shkak të obligimit dhe jo kënaqësisë.
Shfaqje të ngjashme mund të shihen edhe gjatë ndeshjeve të futbollit, ku himni shpesh shpërfillet nga disa tifozë.
Sipas ministrit Bogdanoviq, manifestimet e tilla janë në qendër të legjislacionit, i cili përfshin edhe obligimin “për të mbajtur gjithmonë flamurin në ndërtesat e vetëqeverisjes lokale dhe të institucioneve publike, të themeluara nga shteti ose komuna”.
Por, masa po sulmohet edhe nga ata që e shohin atë si shkelje të të drejtave civile.
“Një person me mendje të lirë ka të drejtë të vendosë për veten nëse do të qëndrojë ulur apo të ngrihet për himnin”, thotë për Radion Evropa e Lirë Jovan, një 24-vjeçar nga Podgorica.
Ligji e veçon Malin e Zi – anëtar i ri i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE – nga pjesa tjetër e fqinjëve në Ballkan, ku nuk ekziston një legjislacion i tillë.
Në Kinë, administrata e presidentit Xi Jinping ka miratuar një ligj vitin e kaluar, i cili parasheh deri në 15 ditë burgim për tallje me himnin kombëtar.
Bashota: Nuk e di nëse Kadri Veseli ka pasur ndonjë zëvendës...
Putin ka planifikuar një vizitë në Indi
Dhjetëra të vdekur nga përleshjet në një ndeshje futbolli në...
Begaj kujton Rugovën: Sot 80 vite më parë, Kosova lindi pres...
Presidentja Osmani pranon dhuratë skulpturën e ish-president...
Tahiri i AAK-së liston “dështimet” e Qeverisë Kurti