Google ADS

Pas Samitit të Berlinit, Hahn pret zhbllokimin e dialogut

09:25 | 30 Prill 2019
V. S.

Komisioneri europian i Zgjerimit, Johannes Hahn reagoi pas Samitit të Berlinit duke thënë se pret që dialogu Kosovë-Serbi të zhbllokohet dhe që vendet anëtare të Bashkimit Europian ta mbështesin zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Që përpara takimit, zyrtari i lartë i bllokut e kishte bërë të qartë se qëllimi kryesor i tij ishte vazhdimi i dialogut.

Si Angela Merkel, ashtu dhe Emmanuel Macron theksuan në takimin e organizuar prej tyre se, synimi i tij nuk ishte të gjente një zgjidhje për problemet e hapura, por thjesht të fliste hapur për problemet në rajon.

Çështja e negociatave të anëtarësimit nuk ishte pjesë e agjendës së samitit, që në fokus kishte kërkimin e një zgjidhjeje për ngërçin mes Kosovës e Serbisë, përcjell TCH.

Por, Hahn tha dy ditë më parë, i cituar nga “Handelsblatt”, se ka besimin që në fund të majit, Komisioni Europian do të rekomandojë çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Rekomandimi, sipas tij do të bëhet mbi bazën e kritereve me të cilat janë pajtuar vendet anëtare, e vendimi më pas do të kalojë përmes tyre.

Sipas Hahn, si Shqipëria, ashtu dhe Maqedonia e Veriut e kanë merituar “dritën jeshile” për negociatat, duke theksuar në rastin e vendit tonë reformat e brendshme, sidomos atë të gjyqësorit, ndërsa i mëshoi në të njëjtën kohë nevojës për luftë të mëtejshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme