Zhvillimi ekonomik dhe fuqizimi i subjektivitetit të shtetit, janë pikat kryesore të përbashkëta në platformat e deritashme të prezantuara nga partitë politike që pritet të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, më 6 tetor.
Ndonëse prezantimi zyrtar i platformave pritet të ndodhë gjatë fushatës, e cila hapet më 25 shtator, partitë politike thonë se i kanë tashmë pikat kryesore programore, me të cilat konkurrojnë për të marrë besimin e qytetarëve për qeverisjen e ardhshme të vendit gjatë mandatit katërvjeçar.
Partia Demokratike e Kosovës, kryesisht ka prezantuar si qëllim kryesor luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kryetari Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se PDK-ja deri më tash ka ndërmarrë reforma të thella kundër korrupsionit, duke kursyer para dhe investuar në mundësi të reja për të rinjtë.
“Ndryshimi fillon me luftën kundër korrupsionit, për të krijuar mundësi të barabarta, për t’i mbajtur të rinjtë këtu dhe për ta ndërtuar një ekonomi të fuqishme”, ka deklaruar Veseli në paraqitjet publike.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë thënë se ata që e kanë kultivuar korrupsionin dhe nepotizmin, nuk mund ta luftojnë as njërën e as tjetrën, duke aluduar në partitë, të cilat kanë qeverisur bashkë në koalicionin PDK- AAK dhe Nisma Socialdemokrate.
Lidhja Demokratike e Kosovë kanë theksuar se programi i saj qeverisës në rast të fitores, do të përqendrohet në zhvillimin ekonomik, si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik.
Vjosa Osmani nga LDK-ja, ka deklaruar se qeverisja nën drejtimin e kësaj partie politike, do të fokusohej që nga arsimi e shëndetësia, e deri te luftimi i krimit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit.
“Bashkë me qytetarët e Kosovës, ta kthejmë Kosovën në rrugë të drejtë që bashkë me qytetarët e Kosovës, ta nxjerrim këtë vend nga humnera, në të cilën e kanë vendosur njerëzit e pandërgjegjshëm e njerëzit e korruptuar”, është shprehur Osmani, e cila nga LDK-ja është nominuar si kandidate për postin e kryeministrit.
Lëvizja Vetëvendosje deri më tash nuk ka qenë asnjëherë në pushtet në nivelin qendror.
Zyrtarët e këtij subjekti politik thonë se programi i Vetëvendosjes në këtë proces zgjedhor fokusohet në tri shtylla kryesore.
Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se çështja e parë ku Vetëvendosje është e fokusuar, ka të bëjë me shtetin e së drejtës, shtetin zhvillimor dhe shtetin social.
“Për secilën nga këto tri shtylla, ne tashmë në komitetet tona profesionale kemi filluar punën dhe pothuajse jemi në finalizim të përcaktimit të prioriteteve, gjegjësisht të masave edhe aktiviteteve konkrete se si mund të arrijmë përmirësimin në këto tri shtylla”, është shprehur Nagavci.
Kurse, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila në zgjedhje garon bashkë me Partinë Socialdemokrate, kanë thënë se programi i tyre në radhë të parë ka elemente, të cilat e fuqizojnë shtetin e Kosovës.
Ardian Gjini, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se AAK-ja bashkë më Partinë Socialdemokrate, po punojnë në program për sovranizimin e mëtejmë të Kosovës, por edhe për çështje të tjera si ekonomia dhe drejtësia.
“Mendoj se është një qasje shumë reale e kalkuluar mirë si te rritja e pagave, qoftë te punësimi, qoftë te skemat sociale. Pra, programi ynë dallon edhe te çështja e sovranizimit të shtetit, politika të cilat më përpara nuk kanë ekzistuar: Me sovranizim të shtetit, me forcim të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës dhe në të njëjtën kohë,politikat tona të zhvillimit ekonomik, të cilat do të jenë tepër konkrete dhe do të shpalosen në ditën që do të vijnë”, ka deklaruar Gjini për Radion Evropa e Lirë.
Fushata zgjedhore pritet të fillojë më 25 shtator dhe do të zgjasë dhjetë ditë. Por, partitë dhe koalicionet qysh tash kanë nisur aktivitetet zgjedhore, si dhe kanë dalë me emrat e kandidatëve të tyre për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.
Zgjedhjet e parakohshme u bënë të domosdoshme pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, për shkak të ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.
Pas dorëheqjes së Haradinajt, Kuvendi i Kosovës miratoi mocionin për shpërndarjen e Kuvendit, kurse presidenti Hashim Thaçi shpalli 6 tetorin, datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Arrestohet shqiptarja në Londër, mori pjesë në protestat pro...
Supergol nga Granit Xhaka, vulos fitoren e Leverkusen
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të “BBVA”
Dhjetra të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë dhe Liban
Asociacioni “do të jetë” kusht edhe për BE, thotë Guerot
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...