Takimi i Parisit, më 1 korrik, i organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, ku do të marrin pjesë autoritetet e larta të Kosovës dhe Serbisë, do të definojë fatin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të sqarojë se në çfarë formati do të vazhdojë dialogu apo nëse do të vazhdojë fare, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në Kosovë.
Sipas tyre, një e ashtuquajtur ‘diplomaci fluturuese’ do t’i vizitojë përgjatë këtij muaji Prishtinën dhe Beogradin dhe tashmë ekzistojnë tendencat që të krijohen parakushtet në mënyrë që takimi i Parisit të jetë i suksesshëm.
Por, deklaratat, të cilat kanë ardhur nga autoritetet e të dyja vendeve, siç thonë njohësit e zhvillimeve politike, kanë hedhur dyshimet nëse takimi i Parisit do të ketë sukses.
Naim Rashiti, drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosovës tashmë i është kërkuar në mënyrë eksplicite që të pezullohet taksa prej 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë, ndërkaq, kësaj të fundit i është kërkuar ndryshimi i sjelljes karshi Kosovës.
Sipas tij, pas takimit të Parisit, në rast se ai ndodhë, do të shihet nëse do të rifillojë procesi i dialogut ndërmjet dy vendeve, ndonëse siç thotë ai, tashmë ekzistojnë dyshime se dialogu mund të vazhdojë në rast se takimi i Parisit dështon.
“Nëse zonja Merkel dhe presidenti Macron nuk arrijnë ta rinisin këtë proces, nuk e besoj që BE-ja do të gjejë fuqinë për ta rifilluar këtë dialog në një fazë të mëvonshme. Zonja Merkel dhe presidenti Macron, do të përfshiheshin në këtë formë të samitit, vetëm nëse ka një vullnet shumë intensiv dhe shumë përmbajtjesor për një marrëveshje finale”.
“Për këtë nuk janë parakushtet dhe nuk po shoh se si do të fillojë kjo. Meqë kjo nuk po ndodhë, atëherë do të mbetet të provohet nëse eventualisht palët mund t’i kthehen formës së mëhershme të dialogut, por diçka të tillë, nuk e besoj që aq më pak Kosova, por as Serbia, nuk janë të gatshme”, thotë Rashiti.
Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që në rast se Serbia dhe Kosova vazhdojnë të vënë parakushte, duke dashur që të gjitha komplekset e historisë t’i zgjidhin përmes një nënshkrimi, si dhe duke dashur që t’ia imponojnë zgjidhjen njëra–tjetrës, kjo nuk do ta ndihmojë procesin.
“Unë mendoj që me normalizim të marrëdhënieve, të gjitha çështjet tjera do të zgjidhen me procedurë normale, ashtu siç zgjidhen ndaj të gjitha shteteve. Pra, çfarë pres? Mirëkuptim dhe një marrëveshje për normalizim, që do të nënkuptonte një marrëveshje të paqes, pa e paragjykuar zgjidhjen përfundimtare, sepse normaliteti nuk është zgjidhja përfundimtare, por është parakusht për të bërë marrëveshje tjera për secilën fushë”, thekson Tahiri.
Rashiti shpreh mendimin që në rast se takimi i Parisit dështon, atëherë një marrëveshje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do ta zgjidhte kontestin ndërmjet dy vendeve, do të ishte shumë e largët.
“Me dështimin e Parisit, largohet shumë. Parisi dhe më herët Berlini, është dashur të krijojnë një proces shumë intensiv të dialogut dhe eventualisht të krijoj një proces intensiv drejt një marrëveshje finale. Nëse dështon këtu (në Paris) do të jemi shumë larg dhe nuk e besoj që Kosova ka energji, por edhe Serbia, t’i hyjnë një procesi shumë të ngadalshëm dhe shumëvjeçar në kërkim të marrëveshjes. Njëfarë dialogu mbase edhe duhet të vazhdojë, por për marrëveshje përmbyllëse, finale, do të jemi shumë larg”, vlerëson Rashiti.
Politologu Tahiri, shpreh mendimin që në rast se autoritetet e larta të Kosovës dhe Serbisë vetëm takohen në Paris, atëherë ky organizim nuk mund të quhet i dështuar.
“Por, nëse nuk takohen, atëherë shtyhet për një periudhë tjetër çështja e dialogut. Por, situata në Kosovë nuk duhet dhe nuk guxon të ashpërsohet. Ajo mund të ashpërsohet nëse Serbia detyron serbët të dalin nga institucionet dhe t’i rikrijojnë strukturat paralele. Përndryshe, çdo zgjidhje tjetër është e pranueshme, në kuadër të normave që konsiderojmë që janë evropiane dhe që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë individuale dhe kolektive, si dhe me funksionimin e Kosovës si shtet në të gjithë territorin”, potencon Tahiri.
Sidoqoftë, kryeministri Ramush Haradinaj, pas takimit të ditës së enjte me kancelaren gjermane Merkel, ka theksuar se nuk pret që procesi të përmbyllet shpejt. Megjithatë, ai ka theksuar se ekziston mundësia për arritjen e një marrëveshjeje të madhe “pas involvimit të presidentit Donald Trump dhe përfshirjes së drejtpërdrejtëtë kancelares Merkel dhe presidentit Emmanuel Macron”.
Ai ka shtuar se “nëse kjo nuk arrihet, atëherë mundësia tjetër është të ketë një proces disa mujor apo disa vjeçar”.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka këmbëngulur që dialogu të mos fillojë pa heqjen e taksës për prodhimet e Serbisë, ka theksuar se takimi i Parisit është i “rëndësisë së madhe”, ndonëse siç ka thënë ai, nuk është krejtësisht i sigurt nëse ky takim do të mbahet fare.
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...