Google ADS

Paralajmërohet protestë në tri fshatra të Drenasit, Komuna ka një njoftim!

18:01 | 21 Shtator 2018
Arbresh.info

Komuna e Drenasit, sot ka pranuar një njoftim me numër të protokollit 01-070-56861 ne të cilin përfaqësues të fshatit Abri, Gjegjicë dhe Godanc, kanë paralajmëruar protestë para Komunës për mos hapjen e paraleleve të fuzionuara ne këto tri fshatra.

Sipas njoftimit të Komunës, të gjitha protestat e qeta dhe demokratike mund të zhvillohen pasi që një gjë e tillë është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të gjitha ligjet e aplikueshme ne vend, deri sa të njëjtat nuk e pengojnë zhvillimin e punës normale në administratën komunale.

“Komuna ka vepruar sipas ligjeve ne fuqi dhe protestat e paralajmëruara janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë demokracisë, vetëm sa pengojnë dhe vonojnë procesin mësimor për nxënësit e paraleleve të fuzionuara.

Edhe një herë, Komuna e Drenasit, fton të gjithë prindërit t’i lejojnë fëmijët e tyre që të vazhdojnë procesin mësimor dhe mos të ndikohen politikisht, sepse një vendim i marr nga Drejtoria Komunale e Arsimit, është i pakthyeshëm dhe është i mbështetur fuqimisht në ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe i njëjti nuk ka asnjë bazë ligjore të kundërshtohet”, thuhet në njoftim.

Kështu, DKA-ja, ka siguruar transportin e nxënësve për të gjitha paralelet e fuzionuara për të ndjekur mësimin në shkollat amë, ndaj nuk ka asnjë arsye që të pengohet procesi mësimor përmes protestave dhe pengimin e nxënësve nga prindërit, pasi që ata që pësojnë më së shumti, janë nxënësit, kur dihet se ka kaluar edhe java e tretë kur ka filluar viti shkollor 2018/2019 dhe ata ende nuk vijojnë mësimin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme