Partitë në bashkëqeverisje, AAK dhe PDK, dhe dy partitë opozitare LDK dhe Vetëvendosje, kanë komentuar deklaratat e kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiqi, i cili paralajmëroi se kryetarët e zgjedhur në katër komunat veriore, janë sërish të gatshëm për dorëheqje.
Nga opozita,deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, deklaroi se Lista Serbe po tallet me Republikën e Kosovës. Për Telegrafin ajo tha se qëndrimi i Vetëvendosjes ka qenë i qartë kur është diskutuar për kandidatët e Listës Serbe.
“Qëndrimi i VV-së ka qenë i qartë dhe i hershëm në kohën kur diskutohej për certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe, fakti që ata sot janë kryetar komunash është goditje e rëndë për Republikën e Kosovës, pasi që janë lejuar të garojnë për zgjedhje kandidatët të cilët nuk e njohin Republikën e Kosovës, dhe kandidatë të cilët dirigjohen nga presidenti serb Vuçiq. Kjo është goditje e madhe ndaj Kosovës, në këtë kuptim secili shtet sovran, secili shtet demokratik nuk do t’i certifikonte kandidatët e tillë”, ka thënë deputetja Haxhiu.
Ajo tha se përkundër kërkesës së Vetëvendosjes që katër kandidatët të mos certifikohen, KQZ përsëri ka bërë një gjë të tillë, ajo shtoi se deklaratat e Listës Serbe për dorëheqje mund të jenë të vërteta.
“Në këtë kuptim deklaratat e tyre mund të jenë ashtu edhe siç kanë deklaruar edhe në fillim, siç edhe kanë thënë ne do të fitojmë dhe do t’i dorëzojmë mandatet, kjo është tallje me Republikën e Kosovës, por që këtë tallje po e bëjnë edhe me papërgjegjësinë e përfaqësuesve politik, Qeverisë, ne nuk do t’i pranojmë por kjo është goditje për Kosovën”, tha ajo.
Kurse, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova tregoi se cili është qëllimi i Listës Serbe.
“Konsideroj se kjo është loja e radhës e Listës Serbe, që ta bllokoj funksionimin e pushtetit lokal në atë pjesë të Kosovës, kjo është strategji e Beogradit zyrtar”, tha Rugova.
Në anën tjetër, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se Lista Serbe nuk është e gatshme për marrjen e përgjegjësive të veta.
“Ne jemi korrekt ndaj të gjitha minoriteteve në Republikën e Kosovës ashtu siç parashihet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por veprimet e Listës Serbe tregojnë mungesë të gatishmërisë dhe seriozitetit në marrje të përgjegjësive që u kanë besuar votuesit e tyre”, tha Lekaj.
Poashtu, sot gjatë ditës edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka reaguar ashpër ndaj Listës Serbe.
“Paralajmërimi i dorëheqjes nga kryetarët e sapozgjedhur të komunave të veriut të Kosovës është një akt i pahijshëm dhe i dëmshëm që cenon bashkëjetesën dhe stabilitetin e Kosovës”, ka thënë Veseli.
Ndërkohë, deklaratat për dorëheqje kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq i bëri pas takimit që ka zhvilluar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Beograd.
Theksojmë se në zgjedhjet e 19 majit, Lista Serbe me kandidatët e saj kanë fituar në katër komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok./Telegrafi
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?
A është tradhtia një sëmundje apo një zgjedhje?