Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon të mbetet i bllokuar nga marsi.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e hodhi poshtë kërkesën e presidentit për interpretimin e nenit 139, mbetet në dorën e presidentit të vendos për nominimin e anëtarëve të rinj.
Ndërkohë, edhe në strukturën aktuale të KQZ-së ka paqartësi sa i përket mandatit.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme po kërkohen nga opozita, por KQZ-ja vazhdon të jetë jashtë funksionit, pasi që anëtarëve aktual u ka përfunduar mandati në mars.
Megjithatë, përfaqësuesit e PDK-së dhe AAK-së në KQZ, e konsiderojnë ende veten anëtarë të KQZ-së, ndërsa thonë se kurdo që presidenti shpall zgjedhje, qoftë lokale në veri, qoftë të jashtëzakonshme, KQZ-ja ka mandat t’i organizojë.
Ilir Gashi i PDK-së thotë se me gjendjen aktuale juridike, janë mbajtur dy palë zgjedhje më herët.
“Ne i kembi mbajtë dy palë zgjedhje në Pasi janë mbajtë zgjedhjet në vitin 2010 në dhjetor, ne nuk kemi vazhduar mandat tjetër dhe me të njëjtin i kemi mbajtur zgjedhjet e 2013-ës dhe 2014-ës dhe vetëm pasi i kemi përfunduar zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme në 2014, kemi marrë më 15 dhjetor vazhdim mandati nga ana e presidentit”, tha Gashi.
Edhe Binak Vishaj i AAK-së përmend të njëjtin shembull, ndërsa njëjtë si Gashi thotë se KQZ-ja ka mundur t’i kryej të gjitha detyrat e saj sikur që janë më shumë se 40 kërkesa të kuvendeve komunale për zëvendësimin e anëtarëve të asambleve dhe një kërkesë për zëvendësimin e një deputeti të Kuvendit të Kosovës.
“Unë mendoj se ne nuk kemi pasur asnjë pengesë ligjore të takohemi dhe të vazhdojmë me planin e punës dhe aktivitetet e përgjithshme si institucion, është vlerësim i imi. Kush e pengon, mund ta pyesësh dikë tjetër është përgjegjës për thirrjen e takimeve dhe organizimin e punës”, tha Vishaj.
Radio Kosova ka provuar të kontaktojë me kryetaren e KQZ-së, por kontakti me të ka qenë i pamundur. Daka megjithatë, në vazhdimësi ka thënë se KQZ-ja nuk funksionojë pa anëtarë.
“Kur s’ka anëtarë natyrisht që s’mund të funksionojë. Në momentin që të emërohen anëtarët fillon të funksionojë”, ka thënë Daka.
Edhe Adnan Rrustemi i Vetëvendosjes, i cili është nominuar sërish nga partia për anëtar të KQZ-së ka mendim të njëjtë.
Analogjinë që e përdorin Gashi e Vishaj, Rrustemi e quan farsë dhe në linjë të qëndrimit të presidentit për politizimin e KQZ-së.
“Kurrfarë analogjie nuk mund të përdoret. Kjo është farsë në linjë të qëndrimit të presidentit të politizimit në këtë rast edhe të KQZ-së. Por, edhe po të ketë analogji antikushtetuese, nuk mund të jetë arsyetim i veprimeve të vazhdueshme antikushtetuese”, thotë Rrustemi për Radio Kosovën.
Njohësi i proceseve zgjedhore Mazllum Baraliu konsideron se gjendja aktuale në KQZ është jashtë mandatit dhe nuk ka kompetencë për vendimmarrje.
“Gjendja reale dhe aktuale e strukturës dominante të KQZ-së është jashtë mandatit. Që do të thotë është pa kompetencë dhe pa ingerenca që të vendos. Pra, vendimmarrje nuk mund të ketë në KQZ. Pra, KQZ-ja është e bllokuar, për arsye se thjesht ata njerëz janë jashtë mandatit”, thotë Baraliu për Radio Kosovën.
Gjykatës Kushtetuese iu deshën gjashtë muaj t’i kthejë përgjigje presidentit Thaçi i cili e dërgoi kërkesën për interpretimin e nenit 139 të Kushtetutës, i cili flet për emërimin e anëtarëve të KQZ-së.
Kushtetuesja e hodhi poshtë të hënën kërkesën e presidentit, duke thënë se çështja e ngritur nuk hyn në fushëveprimin e juridiksionit të Kushtetueses dhe si e tillë kjo kërkesë është e papranueshme./Radio Kosova/
Takohet për herë të parë grupi punues për hartimin e Strateg...
Presidentja në Kanada: Kosova nga një shtet i shkrumbuar, u ...
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...
Mbyllet pjesa e parë në Gjilan, Llapi në epërsi ndaj Dritës
Begaj mbyll takimet për datën e zgjedhjeve: Opinionet udhëhi...