Matthew Palmer, Zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, ka thënë se Kosova e ka për detyrë primare të zgjedhë qeverinë e re e cila të bëjë gjithçka është e mundshme që të vazhdojë dialogun dhe të heq taksën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës (edicioni në gjuhën serbe), Palmer ka thënë se shpreson që Prishtina e Beogradi të gjejnë rrugën drejt tavolinës së negociatave ku më pas të gjejnë zgjidhjen e pranueshme nga të dy palët.
“Shpresojmë se Beogradi dhe Prishtina të mund të gjejnë sërish rrugën drejt tavolinës së negociatave dhe më pas të gjejnë ndoshta zgjidhjen e pranueshme nga të dy palët e cila rezulton në normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe që hap rrugën kah e ardhmja evropiane e të dyja vendeve. Mendoj se tani më e rëndësishmja është që Kosova të ketë qeverinë e re. Kjo është sfida aktuale. Do të donim që Kosova të formojë qeverinë e re sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe që ajo qeveri të bëjë gjithçka për të vazhduar dialogun – përfshirë heqjen e taksës ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjë e Hercegovinës. Shpresojmë që kjo mund të zgjidhet shpejt”, tha Palmer, transmeton Koha.net.
Duke folur për idenë e shkëmbimit të territoreve si zgjidhje mes Kosovës e Serbisë, Palmer tha se fokusi i SHBA-së është që të dy palët të kthehen në dialog dhe më pas mund të flasim se për çfarë mund të dialogohet mes tyre.
“Këtë duhet ta definojnë dy palët. Askush nuk do të detyrohet të bëjë diçka që nuk mund ta bëjë. Por ne do të dëshironim që negociatat të zhvillohen me mirëbesim dhe të shkojnë drejt një marrëveshjeje që çon në njohje të ndërsjellë të Serbisë dhe Kosovës dhe hap rrugën kah Evropa.
SHBA-ja nuk do të diktojë kushtet e negociatave”, theksoi Palmer.
I pyetur nëse ekziston ideja që marrëveshja të arrihet në bazën e shkëmbimit të territoreve, zyrtari i lartë amerikan tha se negociatorët kanë folur për parametrat e një marrëveshjeje të mundshme, por tha se nuk e di thelbin e saj, “qoftë fjala për territore apo për ndonjë komponentë tjetër”.
“Marrëveshja që arrihet duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duhet të ketë komponentin politik, të sigurisë, ekonomik, tregtar e kulturor, pjesën që lidhet me mbrojtjen e pasurive të KOS-it (Kisha Ortodokse Serbe) në Kosovë. Kështu që, unë mendoj se përqendrimi vetëm në harta dhe territor është larg asaj që duhet të sjellë normalizimi gjithëpërfshirës. Çfarë është normalizimi – mund të përcaktohet vetëm nga pjesëmarrësit në negociata dhe se për këtë ata duhet të kthehen në tryezë”, deklaroi Matthew Palmer, Zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë.
Tragjedia në Gjermani, e përsëritur/ Sulmet terroriste në 20...
Tensionet në orët e vona, Olta: Gjesti mund ta nxirrte Xuxin...
Sulmi në Magdeburg, ambasadori i Kosovës në Gjermani: Lutjet...
Sulmi në Gjermani/Begaj: Sulmi ndaj qindra njerëzve duhet të...
Tragjedia në Gjermani: Reagojnë liderët evropianë – dërgojnë...
Tragjedia në Magdeburg po trajtohet si sulm terrorist