Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli i është drejtuar me një letër të hapur Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pacolli në letrën drejtuar presidentit serb ka thënë se si një udhëheqës i politikës së jashtme dhe diplomacisë së Kosovës po i drejtohet Vuçiq me një letër vullnet mirë në të cilën ka mesazhe konstruktive.
Lexojeni të plotë letrën e Pacollit drejtuar Vuciqit:
Letër e Hapur Presidentit të Serbisë
I nderuar President i Serbisë, z. Vuçiq,
Si udhëheqës i politikës së jashtme dhe diplomacisë së Republikës së Kosovës, po ju drejtohem me këtë letër vullnetmirë. Jam thellësisht i bindur, që thellë-thellë, edhe nëse nuk i afirmoni publikisht, Ju do t’i mirëkuptoni, si frymën ashtu edhe mesazhet konstruktive të kësaj letre të hapur.
Askush nuk mund të pretendojë se Ju nuk e njihni fare mirë historinë politike të disa vendeve në rajon. Është temë tjetër se si i qaseni Ju asaj aktualisht.
Institucionet e Republikës së Kosovës, janë vendosmërisht të përkushtuara, që t’i zbatojnë dhe afirmojnë të drejtat qytetare dhe kushtetuese të komunitetit serb në Kosovë. Kjo vlen kudo që jeton ky komunitet, në jug, lindje, veri apo perëndim të Republikës së Kosovës.
Përpos për serbët, ne veprojmë kështu edhe për të gjitha komunitetet që jetojnë në shtetin tonë të ri. Ndryshe nuk ka se si të jetë.
Kosova renditet tek kombet dhe shtetet që u ngritën dhe që qëndrojnë mbi themelet e lirsë.
I nderuar z. President,
Sot ishim dëshmitar të një takimi mes Jush dhe disa serbëve të Republikës së Kosovës. Jemi të tronditur me faktin, që në vend se ky takim të ishte rutinor, mos të them konstruktiv e paqdashës, Ju pohoni se këtij takimi do t’i referoheni në komunikime e biseda të nivelit të lartë ndërkombëtar, madje edhe në Kinë.
Nuk e kuptojmë logjikën e “mureve kineze” mes dy vendeve tona, e cila është edhe në kundërshtim me çasjen evropiane e cila po investon në konektivitet në këto hapësira.
Serbia, dhe Ju si President i saj, nuk do të duhej të synonit, t’i ktheni serbët e Republikës së Kosovës në muri ndarës, ku përplasen mospajtimet tona ndër-shtetërore.
Ju jeni në dijeni, se për dallim prej Serbisë, Republika e Kosovës e ka paraparë me Kushtetutë që bashkëpunimi ndër-shtetëror mes të dyja vendeve tona të mund të lehtësohet edhe përmes komunitetit serb. Ju po ashtu e dini, që kjo nuk mund të ndodh në dëm të karakterit sovran dhe unitar të Republikës së Kosovës.
Askush mbi faqe të dheut nuk mund ta mohojë faktin që serbët e Republikës së Kosovës jetojnë në një ambient të sigurtë dhe sipas një rendi juridik e institucional, ku të drejtat dhe mundësitë në dobi dhe favor të tyre, flasin asimetrikisht. Mohimi i fakteve nga ana Juaj paraqet mëkat, përderisa t’u kërkohet serbëve t’i refuzojnë ato, përbëjnë mëkat e vuajtje bashkë.
Është koha që Serbia t’i lejojë serbët të bëjnë jetën e tyre të lirë nga ndërhyrjet e saj.
Nuk mund të mos ua them, që mesazhet me të cilat i drejtoheni serbëve në vizitë në Serbi, dhe përmes tyre bashkëqytetarëve serb në Republikën e Kosovës, ndonëse të projektuara të targetojnë rrugëtimin ndërkombëtar të vendit tonë, ngarkojnë negativisht dhe dëmtojnë vetëm komunitetin serb, asgjë më shumë. Kosova dhe shtetësia e saj, si brenda ashtu edhe ndërkombëtarisht, nuk dëmtohen nga mesazhe të tilla përaqarëse.
President i nderuar,
Politika e instrumentalizimit të qytetarëve serbë, nga Serbia zyrtare, në funksion të shfrytëzimit të tyre të vazhdueshëm në procesin e dialogut për Marrëveshjen gjithpërfshirëse, ligjërisht obliguese për të dy shtetet, ndërkombëtarisht e afirmuar si paqësore, nuk mund të jetë as premtuese as e qëndrushme.
Politika dhe qasja instrumentalizuese, si kjo në lidhje me takimin që keni zhvilluar sot, përpos që prodhon kundërefekte në teren, ajo po ashtu po deformon profilin paqëdashës të cilin Ju po provoni ta ndërtoni e ta plasoni me zell, kudo në komunitetin ndërkombëtar.
Jam i bindur që pajtoheni me mua nëse ju them, se ju nuk mund të shiheni njëkohësisht si njeri paqësor në SHBA dhe Evropë, ndërsa si planprishës e paqeprishës në rajon. Është paradoksale, për të mos thënë cinike, që Ju të derdhni lotë krokodilli në forume të nivelit të lartë evropjan, në lidhje me përkushtimin Tuaj për arritjen e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse, përderisa në anën tjetër në Serbi plasoni mesazhe tensioni dhe pasigurie për qytetarët serbë që jetojnë në Republikën e Kosovës.
Ky është pozicionimi më i keq i mundshëm, jo vetëm në raport me serbët e Republikës së Kosovës, por edhe në raport me procesin e dialogut për Marrëveshjen Gjithpërfshirëse.
I nderuar z. Vuçiq,
Më lejoni të ofrojë një përbmyllje ekspeditive të kësaj letre të hapur, sepse sikurse në këto mesazhe, ne do fokusohemi të jemi ekspeditiv në secilin proces.
Qytetarët e Republikës së Kosovës janë përballur me vuajtje e sakrifica, deri në atë nivel, për të cilin deri më sot, asnjë përfaqësues i lartë i Serbisë nuk ka gjetur kurajon që ta pranojë, e të mos flasim për pranimin e përgjegjësisë shtetërore të vendit tuaj, të cilën Ju e fshihni pas narracioneve jo të vërteta për të kaluarën dhe të tashmën e shtetit të Kosovës dhe shteteve tjera në Ballkan. Qindra masakra, dhjetra mijëra të vrarë, dhe dhjetëra mijëra gra të dhunuara pran femijve dhe familjarëve të tyre. Nuk mund të mos ua them, që Marrëveshja Gjithpërfshirëse është një stad kthese drejt një paqeje të qëndrushme dhe gjithpërfshirëse, e ku nënkuptohet një proces ku Ju dhe vendi i Juaj, e pranoni përgjegjësinë, jepni llogari për krimet e kyera, dhe aktivisht përfshiheni në ndërtimin e një kapitulli të ri të marrëdhenieve mes dy vendeve dhe popujve tanë.
Ndryshe nga pohimet tuaja fiktive, ne kemi ndërtuar një Ushtri paqësore e multietnike, FSK-në, e cila mishëron vlerat e NATO-s, dhe e cila do të rrugëtojë bashkë me të. Duke qenë e kufizuar me vende anëtare të kësaj organizate, dhe me Kosovën e cila do të jetë anëtare e saj në të ardhmen, Serbia do të kufizohet me paqe dhe stabilitet.
Secili vëzhgues rasti i zhvillimeve në rajon, e lëre më një President sikurse jeni Ju, është në dijeni që për Marrëveshjen Gjithpërfshirëse mes dy shteteve tona, nuk ka alternativë.
Serbia ka pasur shumë liderë të cilët e kanë ditur që historia i ka rezervuar Kosovës atributet e shtetësisë, ndërkombëtarisht, por asnjëri nga ta nuk ka pasur kurajon që këtë ta pranojë publikisht këtë fakt. Rrjedhimisht, Marrëveshja Gjithpërfshirëse do të ndodhë, sepse ikja nga ajo nuk ka alternativë.
Uroj që Ju të shiheni si Presidenti i parë i Serbisë, i cili merr guximin të përballet me të vërteten, njohjen e Republikës së Kosovës, dhe që nuk ikën nga kjo e vërtetë me takime të improvizuara sikurse ky i fundit mes Jush dhe disa serbëve të Kosovës në vizitë tek ju në Beograd. Kontriboni paqës zotri President i Serbisë!
Dianës i vjen motra në shtëpi, i thotë të dal nga shtëpia se...
Sjelljet e Xhenetës në shtëpi – Vëllai i Madh e çon automati...
Nesër Forumi i Rinisë i LDK-së dorëzon kallëzim penal në Pro...
Pllaka më e vjetër prej guri e mbishkruar me Urdhërimet e Bi...
Muriqi: I ka munguar Kosovës një lojtar si Jashari
Countryman: Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është kyç