Pacolli fton BE-në të disiplinojë Serbinë

11:26 | 5 Prill 2019
Arbresh.info

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli ka mbajtur sot një konferencë për media.

Në këtë  takim zëvendëskryeministri Pacolli shprehi shqetësimin për vazhdimin e lobimeve të Serbisë kundër Kosovës.

Ai tha se është shqetësuese se si kundër Kosovës,  Serbia foli edhe sot në samitin për heqjen e roamingut e cila po mbahet në Beograd, raporton arbresh.info.

“Po prezantoj turneun tim në Afrikë. Jam i shqetësuar që edhe këtu duhet të merrem me Serbinë. Jam i shqetësuar sot për ngjarjen e BE-së ku po mbahet në Beograd për heqjen e roamingut në të cilën po merr pjesë edhe Kosova me ndodh diçka e papritur. Edhe këtu Republika e Serbisë ka provokuar sot duke thyer rregullat. Gjatë këtij sesioni organizatorët ndalojnë mikrofonat dhe ia japin fjalën dikujt nga publiku dhe fillon të dalë teksti destruktiv dhe shovinist dhe ne s’mund t’i pranojmë ato. Kanë qenë tekste kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj. Ne e dënojmë këtë fuqishëm. Situata e tillë ka ndodhë edhe në panelet e tjera. Qendra inovative e Kosovës në momentin kur ka paraqit planin e saj ka ndodh e njëjta gjë. Gjatë fjalimit të tyre ka dalë teksti përsëri kundër Kosovës. Ftojmë BE që ta disiplinojë Serbinë përndryshe Kosova s’mund të jetë më pjesë e këtyre paneleve dhe konferencave”.

Përveç kësaj ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, foli edhe për vizitat zyrtare në Afrikë.

“Një gjë e tillë na shqetëson edhe neve. Unë kam kënaqësinë sot të ju informoj për vizitën time në kontinentin e Afrikës. Është koha që marrëdhëniet me vendet afrikane të marrin një kahje më të mirë dhe të hapin perspektivë për Kosovën. Kontinenti i Afrikës është mjaft i rëndësishëm për Kosovën. Në kontinentin e Afrikës e kemi një ambasadë, jemi në proces të hapjes së edhe dy ambasadave të tjera. Deri tash kemi pasur 5 vizita gjatë këtij viti”./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme