Google ADS

Paçarizi: Thaçi mund të jetë penduar për fjalimin e tij kundër Haradinajt

18:20 | 1 Mars 2019
Arbresh.info

Në Frontal me Arsim Lanin ishte i ftuar Rrahman Pacarizi, ligjërues në Universitetin e Prishtinës. Me të u fol për taksën 100% që Kosova i ka vënë Serbisë dhe për krizën që e ka kapluar koalicionin qeverisës në vend.
Sipas tij, taksa do të duhej të dëgjoheshin këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e taksës.

“Deklaratat e Kryeministrit Ramush Haradinaj kur thotë që SHBA-të nuk kanë të bëjnë me Kosovën janë të pavend. Pasi që nëse thotë Amerika hiqeni taksën, kjo i bie që ka plane për zhvillimin e dialogut”.

Paçarizi po ashtu tha se në vend të taksës do të duhet të merreshin masa reciprociteti ndaj Serbinë.

“Nëse Serbia nuk i njeh targat e Kosovës, as Kosova nuk duhet t’i njohë të tyre, nëse nuk i njeh pasaportat e Kosovës as Kosova nuk i njeh të Serbisë. Me këtë si dokumentacion, Kosova do të mund të tregonte që Serbia nuk i respekton marrëveshjet me Kosovës dhe kjo do ta ndikonte Serbinë politikisht”, ka shtuar më tutje Rrahman Paçarizi.

Ai po ashtu ka thënë që pikërisht taksa ka përçarë edhe koalicionin qeverisës. Mirëpo, këtë krizë sipas Paçarizit e kanë dëmtuar edhe më shumë deklaratat që ka bërë sot Kryeministri Haradinaj.

“Deklaratat e sotme janë me akuza të rënda të cilat do të duhej të merreshin seriozisht edhe nga organet e drejtësisë. Këto e kane acaruar skajshmërisht situatën politike ne Kosove dhe raportet ne koalicion. Ky koalicion mund të vazhdojë vetëm me ndonjë lëvizje të Veselit sepse ai deri tash ka luajtur rolin e presidentit, pra unifikues”.
E në këtë mes, Rrahman Paçarizi thotë që Haradinaj nuk do të duhej të lihej vetëm për të vendosur për taksën. Pasi që vendimi për ta futur atë në fuqi ka ardhur nga të gjithë bashkë.

Ndër të tjera, Paçarizi ka folur edhe për deklaratat e Presidentit Thaçi të cilat i bëri gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, ku e kishte quajtur Kryeministrin Ramush Haradinaj mik të Milan Radojciq, një zyrtar i Listës Srpska që kërkohet për vrasjen e Oliver Ivanoviq.

“Thaçi ka pas një fjalim euforik. Liderët e një shteti nuk bën të marrin vendime e as të flasin me kokë të nxehur. Fjalimi i tij ishte euforik emocional sepse ai ka menduar se po i drejtohet diasporës e ka harruar se po u drejtohet të gjithë qytetarëve. Ai u nxit nga brohoritjet e shumta dhe tash mundet të jetë penduar për disa fjalë”, ka thënë Paçarizi.
Ai ka shtuar se tani zgjedhjet do të ishin zgjidhja më e mirë e situatës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme